Nga Mentor Kikia
Që Leka Zogu mund ta bëjë dasmën si ti dojë qejfi, këtë askush nuk ka pse e gjykon. Mund ta bëjë dasmën me një mijë të ftuar, në luks, me limuzina, buqeta lulesh dhe çfarë ti teket.
Edhe në ftoftë tërë parinë e Europës dhe Botës, princër realë apo të rënë nga fiku me kohë, kjo sërish është e drejtë e tij. Edhe që të vetëquhet princ apo mbret, është po e drejtë e tij. Mund të vetëquhet edhe lord, dukë, sulltan…
Edhe fakti që kryetari i bashkisë Erjon Veliaj celebroi si kryebashkiak martesën e dy të rinjve që banojnë në qytetin që ai drejton, kjo sërish s’ka asgjë të keqe, pasi nuk është hera e parë, as për të e as për kryebashkiakë të tjerë, këtu e kudo.
Edhe nëse shumë media thonë se u martua princi shqiptar, sërish gabimi është i tyre, derisa e dinë mirë që ky vend është republikë parlamentare(edhe pse për faqe të zezë). Por përdorimi i bandës muzikore të Gardës së Republikës, në një ceremoni private, siç është dasma e dy të rinjve shqiptarë, është e pa perceptueshme.
Qoftë ky edhe nipi i një ish-kryeministri të vetëshpallur mbret, pavarësisht rolit të madh që ka patur në histori.
Garda e Republikës nuk jepet me qera për sebepe familjare, se atëherë do të dilnin pasanikët e Shqipërisë, që mendojnë se janë mbretër mbi mbretër, e do ta merrnin Gardën me qera edhe për synetllëqet, fejesat e ditëlindjet e fëmijëve të tyre, që janë “princër mbi princër” për nga pasuria.