Një nxënës 15-vjeçar ka shkruar një letër të hapur për pushtetarët dhe qytetarët shqiptarë në lidhje me realitetin disi të zymtë ekonomik në Shqipëri.
Ai shkruan se nëse Steve Jobs do të kishte lindur në Shqipëri, atëherë nuk do të kishte Iphonë.
Letra është publikuar nga Panorama.
Letra
Qyteti im, Shkodra, është i bukur, është i dashur. Si fëmij ia numëroj edhe pikat e shiut, edhe flokët e borës, edhe dihatjet në verë apo drithmat në acar. Por vlerat e plota të pashfrytëzuara të qytetit tim, janë të pathënshme për moshën time 15 vjeçare. Di se meriton të njihet botërisht, të përfshihet nëpër diskutime e projekte, të shquhet si qytet i mrekullive që të ndez dëshira në zemrën e gjithkujt e viziton. Pra, dua t’u them të rriturve, jo me shumë krenari, se ky qytet i lashtë sa Roma, sa Parisi, me aspak më pak pasuri, ka nevojë për ndryshim, për njerëz që kanë ide e vullnet për punë të mira.
Në Shkodrën e vitit 2016, kemi ëndrrat tona, edhe në Parisin e vitit 2016, të rinjtë si unë kanë ëndrrat e veta. Këto ëndrra-kërkesa, nuk do kenë fund kurrë për të rinjtë. Gjithmonë njerëzit do të duan më shumë. Por, një gjë është e sigurtë tani dhe shpresoj të mos zgjatë gjatë. Shkodra e shekullit të 21 nuk i ngjan Parisit të po të njëjtit shekull (nuk dua ta krahasoj me Parisin e ca shekujve më parë).
Shtetet që sot kanë vëmendje globale shfrytëzojnë në maksimum mundësitë për të qenë më të mirët. Sikur kjo të ndodhte në atdheun tim, besoj se qyteti më premtues do të ishte Shkodra, gjë të cilën nuk e them vetëm se jam vendas, fakt për të cilin jam i lumtur, por e sugjeroj, sepse shoh që në krahasim me qytetet e tjera jo vetëm shqiptare, Shkodra ime është vendi më i përshtatshëm, jo vetëm për të banuar për shkak të ajrit shumë të pastër që vjen nga mali e nga pemët, ushqimit të shëndetshëm që prodhohet në shumë dritë e rreze dielli e ujit kristal, por për burime e faktorë të tjerë, të cilët të bashkuar në këtë qytet, do të krijonin parajsën mbi tokë.
Ku qëndron dallimi mes Shkodrës e Parisit?
Janë të shumta, të prekshme, por kjo nuk është pyetja e duhur, pasi këto dallime krijohen nga njerëzit. E pse ka ngjarë kështu?
Disa thonë se arsyeja është se jetojnë në Shkodër e po të banonin në Paris do të ndryshonin. Unë nuk mund të bindem. Nuk është Parisi ai që ndryshoi gjërat, I ndryshuan banorët e tij.
Shkodra, ashtu si Parisi, nuk flet, nuk edukon asnjeri as keq as mirë.
Guxoj të gjykoj se Shkodra mëmë na jep mundësi të mëdha dhe rinia nuk duhet të largohet drej rrugëve pa rrugë të botës që e prêt ftohtë; jemi si amfiteatër natyror i rrethuar nga malet, kemi ujin më të mirë në Botë, ajri i pastër për shkak të shumë faktorëve të tjerë, toka pjellore, pasuri nëntokësore, ushqimet më të shëndetshme, peisazhe natyrore nga më fantastiket, kafshët, klimë të pakrahasueshme. Çfarë do të donte më shumë një njeri? Fatkeqësisht, jemi ne që i fshehim këto mrekullira nga syri i botës. Interesat personale të liderëve tanë dhe memecllëku ynë bëjnë të vdesin edhe shpirtrat revolucionar, dhe të stepen idetë për zhvillim. Askush nuk na ka faj?!
Çfarë ka Sena e Parisit më shumë se Buna e Shkodrës?
Asgjë.
Çfarë ka Sena e Parisit më shumë të shfrytëzuar se Buna e Shkodrës? Vetë Senën.
Bunën time të ëmbël dua ta shoh duke mbajtur në kurriz anije tregtare, tragete, varka plot qeshje e dashuri. Dua ta shoh një port të madh, dua ta shoh të zgjuar duke transportuar ato pasuri e vlera drejt Perëndimit e anasjelltas, dua që Buna të shërbejë jo vetëm vizualisht! Siç edhe ka qenë një herë e një kohë. Dua të zgjohem nga zhurma e sirenave të anijeve që herët në mëngjes, që të shkoj në shkollë me shpresë se të rriturit mendojnë diçka për fëmijët e tyre, dua që në shkolla të projektohet e ardhmja, edukimi i brezit të ri, i cili shpresoj të mos i përngjajë atij që po ikën, pasi kur shohim projektet e rrugëve në ndërtim, habitemi. Si fëmijë edhe habitemi, edhe kënaqemi! Po investohet në shuma të mëdha! Por pas inagurimit shohim se përmirësimet janë të vogla. Nga ikën paratë e tjera të investimit? Thua të gjitha u derdhën në ndërtimin e asaj rruge që shoh unë në Shkodër dhe dikush më thotë ka kushtuar një metër rrugë më shumë se një meter tunel diku në Perëndim? Çuditërisht, kjo situatë nuk përbën lajm të veçantë për askënd sot. Çfarë ka ndodhur me shtetarët tanë?! Nuk u edukuan siç duhet në shkollë? Apo nuk u edukuan fare, pasi diplomën e shkëmbyen me ca karamele a çokollata, apo thjesht e blenë me para.
Talenti që nuk është në gjendje të mirë financiare është i destinuar që të mbetet askushi, ëndrrat e tij duhen rrëzuar e të punojë si çdo person tjetër, popull, të pranojë fatin e tij, të nënshtrohet para një krimineli, një nga ligjet e pashkruara të jetesës sonë.
E dini kush ishte Steve Jobs para se të krijonte kompaninë e tij? Askushi. Falenderoj Zotin që nuk lindi në Shqipëri, pasi sot nuk do kisha iPhone.
Edhe Shqipëria ime, edhe Shkodra ime lind njerëz që krijojnë historinë, që fëmijët e ardhshëm, të mos dëgjojnë më për vrasje, por për shpikjet që paraardhësit e tyre i prunë njerëzimit, mjafton të jemi të qytetëruar, ndërtues. Thjeshtë, si i ri 15 vjeçar, po vizatoj realitetin aktual të hidhur, siç e shoh, për të cilin, “djajtë” e shtetit tonë kënaqen, pasi këto monstra liderësh, duket se duan ta mbajnë popullin e tyre sa më injorant, për përfitim!
Nëse provojmë mund të humbim, nëse nuk provojmë, kemi humbur!
Shqipëria dhe veçmas Shkodra ka nxjerrë shumë figura, sidomos në art e kulturë. Ndoshta, para se të arrinin aty ku shkuan, u përfolën apo u përçmuan. Pikërisht kjo është injoranca e të paaftëve ziliqarë, e cila u shton një buzëqeshje në fytyrë drejtuesve tanë. Sa kohë çështja rëndon tek ti, do të duhej të mundje ti mposhtshe ato të qeshura ironike. Ky është guximi që i duhet kohës sonë, këta janë njerëzit që sot i duhen vendit tim.
Nëse provojmë mund të humbim, nëse nuk provojmë, kemi humbur!
Ndikimi i turizmit në ekonominë tonë do ishte shumë më i madh, nëse njerëzit, në duart e së cilëve është besuar kjo, përveçse të ishin të ndershëm, të dinin të menaxhonin mirë punën e tyre. Bregdeti i Adriatikut dhe Jonit do të frekuentoheshin më shumë, nëse turistët do flisnin edhe në vëndet e tyre fjalë të mira për pushimet. Duhet t’i kënaqim. Duhet të shërbejmë, duhet të jemi të përunjur.
Si i ri ndihem jo mirë kur shkoj në plazh. Nuk shoh roje bregdetare si në Itali për shembull, ku edhe rërën e sjellin pasi nuk e kanë, por në vënd të rojeve ka mbeturina që më shoqërojnë shikimin në gjithë horizontin. Ndihem keq që jam pjesë e një shoqërie që hedh mbeturinat në ujë në infinit të ditës, në momentin që duan të kthehen në banesën e tyre, aty ku më vonë do të lahen përsëri ata, apo ç’rëndësi ka, ndonjë person tjeter. Kjo duhet ndëshkuar! Në Durrës thonë: atë që bën në det do ta gjesh në kripë. Ligjet duhet të funksionojnë më mirë e jo vetëm për një shtresë shoqërore të caktuar që shumëherë ndëshkohet vetëm se është e varfër dhe e paditur. Po, po, ende duket sikur shoqëria jonë është e ndarë në shtresa, si në Egjipin e lashtë apo si në epokën e Hanibalit.
Shoh punëtorë që punojnë gjithë ditën duke fshirë rrugët, e shpërblehen, ndoshta edhe një herë në dy apo tri muaj, me një rrogë të papërfillshme, me të cilën ndoshta mund të ushqejnë fëmijët, që nuk shkojnë në shkollë, por, e them me dhembshuri, dalin rrugëve e kërkojnë lëmoshë. Por kush ti ndihmojë? Njerëzit që konsumojnë kohën nëpër pijetore? Ata janë aty pikërisht se janë të papunë, apo të rraskapitur pas një dite të lodhshme pune nga e cila mund të kenë fituar sa për të jetuar, jo për të kursyer. Të kontribuojnë kamarierët, që edhe ata kërkojnë t’u falësh, për ata fëmijë, prindërit e së cilëve nuk janë të aftë të bëjnë gjë tjetër përveç pastrimit të rrugëve? Ato kamarierë me një rrogë minimale, me një diplomë mjeku, inxhinieri apo avokati në xhep, mendojnë për të ardhmen e tyre jashtë vendit, duke lënë kohën dhe vëndin e tyre vendnumëro.
Ndryshimi është i mundshëm. Nëse disa prej tyre do realizoheshin, Parisi, Neë Yorku, Londra, Roma etj., do të fshiheshin nga lista e vendeve për tu vizituar, sidomos përballë Shkodrës e Shqipërisë dhe unë nuk do mëndohesha pas dy a tri vitesh t’i them a mos t’i lamtumirë Shkodrës sime, Shqipërisë sime.
Nilidon Pepushaj
Klasa e 9B
Shkolla Jopublike “Zemra e Krishtit”
Shkodër