Home KRYESORE Maturantes se shkëlqyer iu vodhën të dhënat personale dhe humbi universitetin

Maturantes se shkëlqyer iu vodhën të dhënat personale dhe humbi universitetin

Xhoiel Rica është maturantja që një javë më parë kallëzoi në polici se i kishin vjedhur të dhënat personale dhe më pas kishin ndërhyrë në sistemin e aplikimit dhe të regjistrimit për në shkollat e larta. Në një intervistë për GSH ajo tregon se si e zbuloi një fakt të tillë. 18-vjeçarja rrëfen se nuk kishte aplikuar asnjë degë në Universitetin Bujqësor, por kishte dalë fituese në 10 degë të këtij universiteti. Vajza ka mbaruar në gjimnazin “Sami Frashëri” me mesatare 9.63 dhe sipas përllogaritjes së AKP-së ishte me mesatare 9.15.

“Në datën kur u hapën aplikimet për raundin e dytë, kam dhënë një intervistë në një televizion. Gjatë intervistës bëra një improvizim se si mund të aplikoje në raundin e dytë, por nuk bëra asnjë aplikim në të vërtetë. Nisa vetëm mënyrën se si do të bëhej aplikimi dhe më pas i bëra “log out”. Aplikimin e kam bërë në darkë, në shtëpi. Prezente ishte edhe mamaja ime kur kam vendosur 10 preferencat e mia në fakultetin Ekonomik, Psikologji e disa të tjera në privat. Por, përderisa aplikimi ka qenë tri ditë i hapur, një person X ka hyrë në adresën time, ka fshirë të gjitha zgjedhjet që unë kam bërë, dhe të 10-ta zgjedhjet i ka futur në Universitetin Bujqësor. Ndërkohë që unë nuk isha fare në dijeni për këtë gjë. Kur dolën përgjigjet e fituesve të raundit të dytë, tek universitetet që unë kisha përzgjedhur nuk figuroja fare si ID personale. Që do të thotë se unë nuk figuroja as si humbëse dhe as si fituese. Kam kontrolluar edhe te preferencat e tjera në privat, dhe as atje nuk figuroja” –thotë maturantja e cila thotë se të dhënat e saj u vodhën nga video që u transmetua në TV dhe që u publikua në faqen e Ministrisë së Arsimit.

“Videoja e kronikës që u transmetua në televizion ishte hedhur edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe kushdo që mund të bënte pause në momentin që aty janë dhënë të dhënat e mia personale mund t’i merrte ato, pasi kamera e kishte fokusuar shumë afër. Në kronikë nuk mund të merreshin, sepse kalonte shpejt kjo pjesë, por në faqen e ministrisë po. Aty ishin të gjitha të dhënat e mia, si ID-ja e Maturantit, ashtu edhe të dhënat e kartës së identitetit” –thotë 18-vjeçarja e cila kërkon që ngjarja të zbardhet./Lapsi.al

Share: