Home KRYESORE Mazhoranca refuzon ambjentalistët për ligjin e mbetjeve

Mazhoranca refuzon ambjentalistët për ligjin e mbetjeve

Mazhoranca refuzoi kërkesat e ambjentalistëve për ligjin e mbetjeve, por ajo është e hapur për diskutime për vendosjen e kuotave të importit të mbetjeve dhe të përpunimit. Deputeti Eduard Shalsi takoi ambjentalistët me të cilët nuk ka asnjë dakordësi.

“Jemi dhe kemi qenë të hapur për çdo lloj iniciative që do t’i shërbejë menaxhimit të mbetjeve, duke filluar nga mbetjet në Shqipëri. Kemi folur për vendosjen e kuotave, mes asaj çka do të importohet dhe asaj që do të përpunohet në Shqipëri. Po shohim me shumë vëmendje heqjen e ngarkesave fiskale për industrinë e riciklimit”, tha Shalsi.

Deputetët e mazhorancës kanë njohur përfaqësuesit e AKIP-it me propozimet e tyre e dëgjesat, sipas tyre, do të vazhdojnë derisa ligji të votohet në Kuvend. Por, mes tyre nuk ka patur asnjë dakordësi

Brisida Gjikondi, aktiviste e AKIP-it, tha: “Ne nuk lëvizim nga pozicioni jonë, as ata nga pozicioni i tyre. Për ne është e rëndësishme që importi i plehrave të mos kalojë”.

Ambjentalistët më herët kishin marrë mbështetje nga kreu i opozitës: “Kërkojmë të miratohet dekreti i Presidentit, të miratohet një moratorium për importin e plehrave derisa qytetarët të shprehen me referendum, sepse ky vendim nuk i takon më asnjë qeverie, as kësaj që po ikën dhe as asaj që do të vijë, i takon qytetarëve shqiptarë ta vendosin me referendum popullor”.

Aleanca kundër importit të mbetjeve do të protestojë sërish më 30 tetor kundër këtij ligji./t-ch

Share: