Home KRYESORE Monitor.al: Goditjet pas shpine e shtetit ndaj biznesit…

Monitor.al: Goditjet pas shpine e shtetit ndaj biznesit…

Editorial i Monitor.al

Një vit më parë, biznesi u gjend nën një presion të paprecedentë fiskal. Strategjia e luftës kundër informalitetit u zbatua në mënyrën më të keqe të mundshme, duke e konsideruar sipërmarrjen si armik, duke vendosur gjoba të papërballueshme dhe duke kërcënuar deri me ndjekje penale e me burgosje. Një strategji që u provua shpejt që ishte e dështuar për disa arsye:

Së pari, përqendrimi i saj te biznesi i vogël, jo vetëm që nuk ndikoi në disiplinimin e zinxhirit të faturave, por në të kundërt, goditi rëndë këtë segment të rëndësishëm për vetëpunësimin, që edhe pa këtë presion po vuante pasojat e riformatimit të ekonomisë.

Së dyti, ajo nuk arriti të sjellë më shumë të ardhura në buxhet, teksa ritmet reale të rritjes së të ardhurave buxhetore (duke marrë në konsideratë GDP dhe inflacionin) ishin negative në 2015-n dhe njëshifrore në 8-mujorin 2016, njësoj sinë vitet e mëparshme kur nuk ishte ky sforcim fiskal.

Së treti, Gjykata Kushtetuese i rrëzoi supergjobat në dhjetor, si të papajtueshme me parimin e proporcionalitetit dhe Kushtetutën, duke lehtësuar ndjeshëm frikën që ishte krijuar te sipërmarrjet.

Së katërti, vetë qeveria u tërhoq nga agresiviteti, duke i paraqitur biznesit në muajt e parë të këtij viti një përqasje krejt tjetër, me ndryshimet në Kodin e Procedurave Tatimore, që jo vetëm ishin më miqësore ndaj subjekteve për mënyrën si do të zhvillohen kontrollet, por parashikonte edhe ulje të gjobave edhe më shumë se niveli që ishin përpara se të rrëzoheshin nga Gjykata Kushtetuese (ky mbetet ende draft dhe pritet që të kalojë në Komisionet parlamentare e më pas në Kuvend).

Në korrik, ministri i Financave deklaroi planin e qeverisë për falje fiskale, duke e cilësuar atësi një incentivë për të çliruar, për të formalizuar sa më shumë biznese dhe për të sjellë nivelin e borxheve në një situatë të re shumë më të formalizuar, si pjesë e filozofisë më bashkëpunuese me sipërmarrjen dhe kalimin në një fazë të re të luftës kundër informalitetit, ku parësore do të ishin elementet inteligjente.

Por çfarë po ndodh së fundmi. Ndryshe nga fryma bashkëpunuese që po përpiqet të transmetohet muajt e fundit, biznesi po përballet me një sjellje krejt të ndryshme.

Së pari, ndërsa ministri i Financave pohoi publikisht se gjobat masive që u vunë automatikisht nga sistemi në qershor të këtij viti për deklarim të vonuar të administratorit do të faleshin, tatimet po u kërkojnë që t’i paguajnë ato, përmes shkresave zyrtare që po u dërgohen atyre.

Se çfarë do të bëhet me faljen fiskale ka mbetur ende e paqartë, si rrjedhojë e kundërshtimit të FMN-së, që kërkon që të falen vetëm detyrimet që janë të pambledhshme dhe të bëjë ç’është e mundur për të arkëtuar ato detyrime që mund të mblidhen, duke i vënë në vështirësi financat që kishin premtuar një falje masive të gjobave dhe 30% të detyrimit të krijuar pas vitit 2011.

Së dyti, ndërsa premtohet drejtësi ndaj biznesit, shumë tatimpagues janë ankuar së fundmi tek Avokati i Tatimpaguesit se ata po marrin së fundmi vetëm një formular për kërkesë pagimi të detyrimeve, që në fakt drejtoria e apelimit tatimor nuk e njeh për akt administrativ që lidhet me një procedurë apelimi, duke u hequr në këtë mënyrë subjekteve një prej të drejtave themelore, atë të mundësisë së apelimit.

Së treti, financat premtuan që në ndryshimet e draftit të procedurave tatimore, bizneseve do t’u jepej mundësia e vetëvlerësimit për tre vitet që kanë kaluar, pa penalitete, por duke paguar interesin e parasë. Sërish, ankesat tek Avokati i Tatimpaguesve tregojnë se Administrata Tatimore u ka prerë hovin disa subjekteve të biznesit që janë vetëdeklaruar për korrigjim, duke i gjobitur ata me 50 mijë lekë.

E gjithë kjo sjellje, ku ndryshe thuhet e ndryshe premtohet, nuk bën gjë tjetër veçse i çorodit më shumë sipërmarrjet që në vite kanë ngulur këmbë që të ketë politika të qëndrueshme fiskale, jo vetëm në nivelin e taksave, por edhe me politikat korrektuese. Për më tepër që ndryshimet kaq të shpeshta, në kahe të kundërta brenda një kohe të shkurtër nga ana e politikëbërësve dhe premtimet që nuk mbahen, janë shqetësuese dhe tregojnë se janë veprime të pastudiuara, që bëhen më shumë për qëllime afatshkurtra dhe elektorale dhe jo për të sjellë një formalizim real të ekonomisë. Ndaj duket se “nxitimi” i politikëbërësve për të marrë me të mira bizneset, teksa zgjedhjet po afrojnë, po u kthehet në një bumerang./Monitor.al

Share: