Një prokuror u detyrua të kthehej nga rruga në fshatin Myz të Matit nga një person i armatosur. Me kallashnikov në dorë ai i doli përpara Abaz Muçës, kryeprokurorit të rrethit që ishte nisur për të konfirmuar vetë në terren një informacion të SHISH se në këtë zonë kishte plantacione me kanabis. Nuk është e qartë arsyeja se përse këtë informacion nuk e kishte verifikuar vetë policia.
Prokurori ishte nën shoqërinë e shoferit të institucionit. Ai u zmbraps, njoftoi policinë dhe priti mbërritjen e uniformave blu që zhbllokuan rrugën. Nën drejtimin e tij policia bëri edhe asgjësimin e parcelave me kanabis që mbronte njeriu i armatosur.
Disa orë më vonë, një prokuror i Krimeve të Rënda ndeshi një person të armatosur me një armë gjahu në Ishëm, pranë vendit ku para disa javësh u zbulua një pistë avionësh dhe ku mbeti avioni i italianit Guido Guidi që kishte ardhur në Shqipëri për t’u ngarkuar me hashash.
Prokurori dhe shoferi i tij vazhduan për rrugën në Biz të Ishmit duke e detyruar të armatosurin të largohej me vrap. Përfaqësuesi i akuzës zbuloi një vend ku po thaheshin mbi 1 mijë rrënjë kanabis. Ai njoftoi forcat e rendit për të kryer veprimet e mëtejshme. Kjo zonë ishte krehur disa herë nga policia. Pas rrëzimit të avionit të drogës, aty u gjet një shtëpi që përdorej për tharjen dhe magazinimin e hashashit. Ishmi, si zonë ku po kultivohet kanabis, është i shënuar në raportin e SHISH që i është dërguar prokurorisë dhe policisë, ekzistenca e të cilit është mohuar nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Të martën në Vlorë, dy prokurorë të Krimeve të Rënda u nisën drejt fshatrave Vezhdanisht dhe Treblovë. Më raportin e SHISH në dorë ata shkuan për të evidentuar parcelat me kanabis. Zbuluan plot 23 ton hashash, një sasi rekord të pakapur më parë. Në aksion nuk u përfshi policia e Vlorës, por FNSH nga Tirana dhe Fieri. Një oficer i policisë së Vlorës u shpall në kërkim. Ai dyshohet se u njoftua nga kolegët e tij që të fshihej. 6 persona u arrestuan. 3 të tjerë, emra mjaft të njohur për policinë, janë në kërkim. Burime të prokurorisë thanë për Lapsi.al se dyshohet se edhe ata u njoftuan nga efektivë apo drejtues të policisë për aksionin. Policia e Vlorës i kishte raportuar këto parcela si të shkatërruara. Evidencat e saj janë gjithashtu pjesë e hetimit të prokurorëve.
Më 19 shtator prokurorët e Krimeve të Rënda zbarkuan në Rremull të Matit dhe sekuestruan 3 ton hashash, sipas të dhënave që gjendeshin në raportin e SHISH për kultivimin e drogës në Shqipëri. Një person u shpall në kërkim, por burime të prokurorisë konfirmuan për Lapsi.al se nuk është ai kreu i grupit të narkotrafikut. Dyshohet se janë të përfshirë edhe policë të Matit dhe drejtues të pushtetit lokal. Policia e ka mohuar që efektivë të saj të jenë pjesë e hetimeve.
Më 27 gusht prokuroria e Korçës shpalli në kërkim një inspektor të policisë së Kolonjës, Edvin Metko, të implikuar në kultivimin e mbi 17 mijë rrënjëve kanabis. Në operacion u angazhua FNSH e Tiranës, si pasojë e frikës së dekonspirimit të aksionit nga policia lokale.
Të gjitha operacionet i bashkon një pikë: janë prokurorët e rretheve dhe ata të krimeve të rënda që kanë dalë në terren për të konstatuar parcelat e kanabisit, sipas të dhënave të siguruara nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Këto aksione kanë zbuluar sasitë më mëdha të drogës të kapura ndonjëherë në Shqipëri.
Prokuroria dhe SHISH i kanë intensifikuar aksionet në terren menjëherë pas deklaratës së bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, se në Shqipëri nuk ka më parcela me kanabis.
Sasitë rekord, nga njëra anë përgënjeshtrojnë kreun e policisë dhe nga ana tjetër po nxjerrin zbuluar policinë me neglizhencën e saj për të goditur grupet e narkotrafikut dhe për të asgjësuar plantacionet e drogës.
Rasti i Vlorës, ku policia e ka deklaruar sipërfaqen “të pastër” është më flagranti. Policia, sipas një burimi të besueshëm të Lapsi.al, ka hezituar të ndërhyjë edhe pas kërkesës së prokurorëve të krimeve të rënda pasi “zona kontrollohej nga njerëz të lidhur me shefat lart”. Për këtë arsye u thirën FNSH –të e Tiranës dhe Fierit.
I gjithë angazhimi i Prokurorisë në terren ka të bëjë me mosveprimin e policisë. Opozita thotë se policia është selektive në aksionet e saj, se godet vetëm ata që nuk kanë lidhje me drejtuesit e saj në qarqe, në drejtorinë qëndrore apo në ministrinë e Brendshme.
Prokuroria dhe SHISH duket se po prekin pikërisht parcelat e “të paprekshëmve”, në zonat ku policia nuk ndërhyn “me dashje”, ku kultivuesit dyshohet se kanë lidhje me shefat në polici dhe qeveri.
Me konstatimet dhe hetimet në terren, prokurorët jo vetëm po zbulojnë dhjetëra ton drogë, por po ngushtojnë lakun edhe ndaj drejtuesve të policisë që dyshohet se kanë lejuar kultivimin e kanabisit dhe nuk kanë ndërhyrë për të asgjësuar zonat e evidentuara nga raporti i SHISH, për shkak të lidhjeve me narkotrafikantët. /Lapsi.al