Nga Nikollaq Neranxi*
Myzeqarët dhe dukatasit thonë “Mos ma prek Himarën!”, servilët e pushtetit merren me parrullën greke dhe jo me grabitjen masive!
Të dashur miq! Dua t’ju rrëfej diçka. Kur vendosëm këtë verë për protesta në Himarë mbi çështjen e pronave, bëra një kërkesë.
Meqenëse komuniteti ynë ka qenë i paragjykuar, por edhe i anatemuar, (kjo edhe për përdorimin që shpesh i kanë bërë disa individë, vetëm për interesa personale), iu kërkova himarjotëve që kësaj here të protestonim vetëm me parrulla shqip dhe anglisht. Dhe iu a spjegova se këtë do e bënim, që mediat më pas, të mos merreshin me parrullat greke, por me thelbin, që ishte grabitja e pronave që po iu bëhej himarjotëve.
Atë ditë, me 14 gusht parrullat ishin të gjitha në shqip dhe në anglisht, ndërkohë një zonjë, kishte shkruar në greqisht mbi një çarçaf “Prona është jeta jonë” dhe e mbante fshehur.
Sapo e pa një gazetar, e filmoi direkt, dhe atë darkë, lajmi në një tv të rëndësishme, ishte; “Banorët e Himarës protestojnë me parrulla greke.” dhe në kamera ishte vetëm zonja me çarçaf.
Në këtë mënyrë lajmi u kopsit dhe disinformimi u realizua sipas porositësit të anti-lajmit. M’u kujtua sot kjo histori, sepse ky televizon kishte bërë pikërisht këtë lajm fjalë për fjalë edhe sot.
Në fakt unë gabova duke iu imponuar himarjotëve vullnetin tim. Ai komunitet që mban në xhepat e tyre pasaporta greke, amerikane e franceze etj, me siguri më ka parë si një provincial mendjembyllur, sepse unë nuk kam të drejtë t’i ndrydh ata.
Ashtu sikurse asnjë politikan, qeveri, pushtet vendor e qendror, nuk mund të tundë kartën e patriotit e nacionalistit, për të fshehur pas saj një grabitje masive, duke e shkatërruar përfundimisht Himarën, që më pas kriminelët me paratë e drogës, të ndërtojnë aty resortet e tyre.
Unë i bëra sot një thirrje Jorgo Goros; “Kthe paratë që iu ke marrë kriminelëve në këmbim të hedhjes së firmës, për të ndërtuar buzë detit, në tokën tonë. Ke mundësi ta rregullosh fajin e madh. Përndryshe ti nuk do kesh asnjë ndryshim nga çdo lloj vrasësi me pagesë, sepse kjo që po i bën komunitetit tënd, është një vrasje!”
Në fund dua të falenderoj nga zemra patriotët e vërtetë, myzeqarët dhe dukatësit të cilët kishin ardhur në mbështetjen tonë.
Parrullat e tyre “Mos ma prek Himarën!” ishin prekëse, sepse Himara është e të gjithëve, por kurrsesi e hajdutëve, kriminelëve dhe mafiozëve! Beteja vazhdon!