Nga Arian Galdini
Kryesisht shkruaj gjatë e për këtë më kritikojnë shpesh e shumë. Kësaj rradhe do të shkruaj shkurt, jo për shkak të kritikëve, por prej thjeshtësisë së argumentit.
Ngasja më vjen për ti hedhur këto rradhë prej një debati të dokohshëm e herë pas here të ripërsëritur mbi etninë dhe kombësinë e shqiptarëve. Ky sfond, ka mbërritur edhe në një zgrip të tillë kur analizë pas analize, deklaratë pas deklarate, e politikan pas politikani, krijohet rrokopuja mendimore e një përplasjeje mes Shqipërisë dhe Kosovës.
I vihet kapaku gjithë kësaj stisjeje, kur dikush flet me rivelacionizëm se ka ardhur koha që Kosova ta fitojë Pavarësinë nga Shqipëria.
Pyetja themelore që më vërshon nga çdo neuron, ruazë e bardhë dhe e kuqe, e nga çdo por i trupit tim është: Çfarë përfaqëson për ne shqiptarët, të gjithë shqiptarët, nga Kosova në Çamëri, nga Maqedonia në Mal të Zi, nga Shqipëria në Diasporë, 28 nëntori 1912?
Për 1 muaj, pra më 28 nëntor 2016, ne shqiptarët e kudondodhur e ngadoqofshim, do të festojmë 104 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të cilën e kemi edhe ditën e flamurit tonë kombëtar.
Ati themelues i Shqipërisë së Pavarur dhe ngritësi i flamurit kombëtar në Vlorë, Ismail Qemali, në atë 28 nëntor 1912, nuk përmbylli as çështjen e as aspiratën kombëtare të shqiptarëve.
Shqipëria që u mvetësua, nuk i dha fund as luftës, as idealeve e as ëndrrës së shqiptarëve për të qenë një ditë bashkë dhe nën të njëjtin shtet.
As Ismail Qemali, as Qeveria e tij e përkohshme, as të gjitha aktet politike e ligjore, as Qeverisjet a Sistemet e llojllojshme, as Kushtetutat e ndryshme që ka patur Shqipëria deri tek kjo e fundit e miratuar në dt 21-22 korrik 2016, nuk e kanë krijuar shqiptarin si kombësi.
Shqiptari ka qenë ngahera edhe para edhe pas 28 nëntorit 1912.
Nuk njoh, nuk kam lexuar e as kam dëgjuar për ndonjë shqiptar që ka luftuar, punuar, sakrifikuar dhënë apo dedikuar jetën për ndonjë projekt a ideal tjetër përveçse asaj të Aspiratës Kombëtare të shqiptarëve, para a pas 28 nëntorit 1912.
Përveç këtyre kombmohuesve që shkojnë të luftojnë në flamurin e zi të ISIS.
Çdo hero, mendimtar, veprimtar, luftëtar që jetën e tij e ka dhënë ose vënë në gatishmëri para dhe pas 28 nëntorit 1912, gjatë L1B, L2B, kundër Diktaturave komuniste e pushtimeve që kanë pësuar shqiptarët dhe trojet e shqiptarëve, kur u krijua shteti paralel i Kosovës, kur u rrëmbyen armët dhe u luftua nën siglën e UÇK, etj, etj, e ka bërë vetëm nën një projekt e ideal, atë të Aspiratës Kombëtare të Shqiptarëve.
Shqipëria e mvetësuar më 28 nëntor 1912, nuk ishte përmbyllja, por veçse e vetmja arrtje e mundshme nga ne shqiptarët asokohe nën kontekstin gjeopolitik dhe historik që ekzistonte, e si e tillë ishte hapi apo etapa e parë e ngjizjes së Aspiratës Kombëtare të Shqiptarëve.
Shqipëria e mvetësuar nuk u bë shteti i etnisë shqiptare që me Kushtetutë krijoi kombin e shqiptarëve, duke i dhënë fund çështjes së shqiptarëve. Kush e thotë a shkruan se ka një të kundërt të kësaj, më së paku është tifoz i sëmurë futbolli deri aty sa do një ekip vetjak, më së shumti e sheh futbollin si akt politik, meqë vitet e fundit u mësuam ta shohim të tillë edhe prej dyshes më të re në Ballkan, Rama – Vuçiç.
Shqipëria e mvetësuar u bë vetëm fitorja e parë dhe e mundshme e shqiptarëve atbotë deri kur u mbërrit në vitin 1999, i cili solli një tjetër fitore të madhe të shqiptarëve, çlirimin e Kosovës. Më tej, 17 shkurti 2008, me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e konsolidoi këtë fitore të shqiptarëve, duke krijuar një shtet të dytë për ta, i cili shënoi edhe një etapë të dytë gjeostrategjike dhe historike të veprimtarisë dhe arritjeve në funksion të realizimit të Aspiratës Kombëtare të shqiptarëve.
Ajo çka ka qenë ngahera e pandashme, e palëvizshme, e patjetërsueshme për çdo shqiptar, qoftë prej Kosovës a Çamërisë, Malit të Zi a Maqedonisë, Shqipërisë a Diasporës, është Harta e Plotë Identitare Kombëtare.
Kjo Hartë e Plotë Identitare Kombëtare, ka mëkuar e ndërtuar etninë dhe kombësinë shqiptare si tërësi. Kjo Hartë Identitare Kombëtare ka qenë edhe udhërrëfyesja e Kushtetutës themeltare të pashkruar por të gjithëditur e gjithëpranuar, të krijimit dhe ngritjes së Aspiratës Kombëtare të Shqiptarëve.
Nuk kanë qenë Hartat Shtetërore, e as Kushtetutat shtetërore të shteteve ku kanë jetuar apo që kanë sot shqiptarët, krijuese të kombësisë.
Shqipëria dhe Kosova si shtete të mvetësuara, nuk thërrasin për besnikëri ndaj tyre shtetërisht, duke e ngritur këtë si një paradigmë që e vendos arsyen e shtetit përmbi arsyen e kombit.
Përkundërazi. Besnikëria ndaj shteteve përkatëse është plotësuese dhe udhërrëfyese për arsyen e kombit. Kjo besnikëri kërkon luftë pa kompromis ndaj korupsionit, hajnisë, harbutërisë, padrejtësisë, diskriminimit, injorancës, padijes, varfërisë, klientelizmit, nepotizmit, partiakësisë, autoritarizmit, e kështu me rradhë. Kjo besnikëri kërkon luftë e përpjekje vendimtare për ndërtimin e lartësimin në standartet më të mira perëndimore të shtetit të së drejtës, demokracisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Kjo besnikëri nuk fton në aborgimin e shqiptatizmës si projekt kombëtar, duke e konsideruar si kategori jo kushtetuese.
Britania e Madhe nuk ka Kushtetutë, e më vështirë akoma, nuk ka vetëm një etni a kombësi. Ama e ka krijuar Britanikun si Projekt dhe Aspiratë. Ngase ata janë etni e kombësi të ndryshme, për ta krijuar Britanikun, kanë bërë edhe shumë luftra e ushtruar shumë dhunë ndër veti.
Ne shqiptarët kemi 2 Shtete, 2 Kushtetuta, por jo 2 Projekte. E ne nuk jemi në nevojë as për luftë, as për dhunë, as për ndërvarësi, as për pavarësim, apo paternalizëm ndaj njëri – tjetrit. Sepse ne jemi natyralisht Një.
Projekti ynë i njëjtë, Aspirata jonë Kombëtare shqiptare, është Kushtetuta e pashkruar, që mbivlen 2 Kushtetutat e shkruara.
Braktisësit e këtij Projekti, janë në lirinë dhe të drejtën e tyre, por le ta themi haptazi se gjithëfarë ideje a nisme për një Projekt të ri për një Komb Kosovar me arsyetim respektimin e gërmës së një Kushtetute, është dritëshkurtësi e kundërshti e fortë ndaj Apiratës Kombëtare Shqiptare.
Nuk është në kulturën time të shpall armiq e tradhëtarë, e nuk është fare ky qëllimi i këtyre rradhëve. Por nuk mund të mos e them mendimin tim se kosovaristët janë braktisësit e Projektit dhe Aspiratës Kombëtare Shqiptare. Edhe ata vetë duhet ta kenë guximin dhe kurajon intelektuale që ta thonë e pranojnë një të vërtetë të tillë.
E pasi ta kenë pranuar e deklaruar se ndërsa kërkojnë sipas gërmës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, krijimin e kombit kosovar, ata në fakt janë edhe braktisësit e Projektit dhe Aspiratës Kombëtare Shqiptare, nëse kanë ndjekës dhe popull që zgjedh ti ndjekë e të vetëquhet etni shqiptare me kombësi kosovare, atëherë i priftë e mbara.
Pyetja që më lind si përfundim i këtyre rradhëve është e pafajshme: E nëse Kuvendi i Republikës së Kosovës apo një Referendum popullor në Kosovë, vendos tia ndryshojë emrin shtetit të ri të Kosovës, nga Kosovë në Dardani, çfarë do të bëhet me kosovaristët?
Apo do të bëhen dardanistë?
Po sikur, Kuvendi i Kosovës apo Referendumi Popullor në Kosovë, të vendosë për ta quajtur shtetin e ri si Republika e Shqipërisë Veri-Lindore?
Po sikur….
Ajo që besoj është se ne jemi në fazën apo etapën e tretë të proçesit historik dhe gjeostrategjik të përmbushjes së Aspiratës sonë Kombëtare shqiptare.
Është rradha e çështjes çame. Braktisësit e Projektit dhe Aspiratës Kombëtare shqiptare le të luajnë futboll intelektualisht me topin kushtetues të Ahtisarit.
Ne shqiptarët do të vazhdojmë të ecim përpara deri sa tia mbërrijmë ditës që të jemi Një në plotësi.