Home KRYESORE Edi Rama i kërkon Ilir Metës ta largojë ministrin Manjani për deklaratat...

Edi Rama i kërkon Ilir Metës ta largojë ministrin Manjani për deklaratat e tij

Nga Koha Jone

Ylli Manjani nuk ndalon. Ai si përherë, origjinal në deklarata e qëndrime, krejt ndryshe nga pjesa tjetër e qeverisë flet hapur. Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani kërkon që qeveria të nxjerrë ushtrinë për të luftuar fenomenin e kultivimit të kanabisit. Kjo është një ndër deklaratat më të forta të bëra deri më sot nga një anëtar i qeverisë Rama përsa i përket situatës se kultivimit dhe trafikut të drogës.

Manjani pranon kështu se gjendja është emergjente, përkundër deklaratave të bëra nga kryeministri Edi Rama apo ministri i brendshëm, Saimir Tahiri, të cilët përpiqen ta fshehin atë me të gjitha format.

“Na takon ne që të reagojmë në mënyrë proporcionale. Ne duhet të reagojmë edhe më fort edhe sesa sot. Po qe e nevojshme them se duhet të dalë edhe ushtria. Për të dhënë një mesazh, edhe ushtria duhet të dalë. Nga ky fenomen o ndahemi tani, o nuk ndahemi më. O ndahemi më sa ka filluar, ose kur të ndahemi do jetë shumë vonë dhe shumë e vështirë. Nuk shkon më. Nuk e ka në traditën e vet askush në këtë vend që të marrë drapër të kësaja natyre”, u shpreh Manjani.

Një ditë pasi deputeti Ben Blushi deklaroi se mbjellja e kanabisit është një politikë shtetërore ekonomike, Ministri i Drejtësisë thotë se ky fenomen është i ngjashëm me piramidat financiare që goditën shqipërinë në periudhën ’96-’97 dhe se prej tij vendi do të ketë vetëm varfëri. Ai tha se perceptimi i të gjithë shqiptarëve është se në këtë vend droga është një fenomen i përhapur gjerësisht.

“Ky nuk është një biznes që siguron mirëqënie, por siguron varfëri dhe shton krimin, kriminalizon shqoërinë. Është e ngjashme me efektet e piramidave financiare. Jam për krijimin e xhandarmërisë. Të gjitha forcat policore në këtë vend duhet të qenë në një piramidë dhe duhet reagim porporcional. Dhe nuk jam kritik, sepse nuk e di çfarë është realiteti. Por ky perceptim ekziston. Po të dalësh në rrugë, në kafene, ky perceptim ekziston. S’ka rëndësi çfarë thotë Italia apo dikush tjetër, njerëzit në Shqipëri e besojnë”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.

Deri tani, ushtrinë në terren për të luftuar narkotrafikantët e ka nxjerrë vetëm Kolumbia. Ndërsa në Shqipëri, deri tani ushtria ka dalë në terren vetëm për të mbledhur plehrat nëpër rrugë kombëtare.

Kjo nuk i ka pëlqyer kryeministrit Rama dhe nga informacione të besueshme thuhet se Rama është nxehur shumë dhe do ti kërkojë Ilir Metës që ta largojë si ministër, pasi po kundërshton autoritetin e kryeministrit. Në fakt vetëm ministri i drejtësisë flet hapur dhe pa frikë ndër ministrat e qeverisë, edhe kur nuk i pëlqen kryeministrit. Deklarata e ministrit Manjani se duhet të dalë ushtria për të luftuar hashashin tregon se fenomeni është bërë shkatërrues për vendin dhe imazhin ndërkombëtar. /kohajone/

Share: