Nga Nertila Selimaj/ Socialiste e Vlorës
Mendova të kthehesha në atdhe në fund të vitit 2013 me mëdyshje dhe me ndjenjën e sheqerosur se vendlindja ime do të kishte interes për atë përvojën dhe shkollimin tim në perëndim.
Isha e ndikuar nga ajo shpresë e premtimeve të zgjedhjeve se do u krijohesh hapësirë të rinjve të studiuar në perëndim.
Nga ana tjetër, të afërmit e miqtë e mi në Shqipëri ma shtonin më shumë frikën dhe konfuzionin: “ç’të duhet ty Shqipëria”, “këtu nuk do të mbështesë njeri”, “degën që ke ti e çon dëm këtej”, “ik mbase të qasin te partia”, “po dhe partia është mbushur me djaj” etj.
Projekti për reformimin e PS-së në Vlorë i dha fund dilemave gati dy vjeçare për mua.
Kokëdhima ftoi ish-studentët shqiptarë të ekselencës dhe ata të studiuarit në perëndim dhe i vendosi në pozicionet kyç të reformës. Në këto rrethana, zgjodha përfundimisht të qëndroja në Shqipëri pas shumë vitesh në emigracion.
Fillimisht drejtova ekipin që rekrutoi, mobilizoi dhe trajnoi shtabet dhe grupet e punës, gjithsej rreth 2500 persona në të dy qarqet, Vlorë e Gjirokastër.
Më pas u mora me rindërtimin e PS-së në Itali. Një punë sfilitëse, por edhe e bukur. Besonim se po përmbysnim mosbesimet dhe po ringrinim një gjë krejtësisht tjetër. Puna filloi me entuziazëm edhe në ato sheshe emigrantësh ku nuk gjen vetëm bashkatdhetarë por gjen edhe pak Atdhe, gjen Shqiptarë të cilët nuk ulërasin, nuk të gjykojnë përse nuk ke qenë në fushatat e shkuara, nuk të pyesin nëse më parë votoje PD-në apo LSI-në, nuk duan t’ja dinë nëse prindërit e tu janë angazhuar politikisht me herët, nuk “çjerrin” zërin për të treguar sakrificat që kanë bërë për partinë, nuk të thonë se në 21 Janar ishin në rreshtin e parë të protestës për të pështyrë Saliun. Ata nuk mburren me teserat, as me stërgjyshin që ishte mik me Enverin e me Hysni Kapon, as me zotësitë e tyre për të ngrënë edhe me Saliun edhe me Ramën.
Sa shumë takime e biseda dhe sa foto u koleksionuan, sa bileta vajtje-ardhje u grisën me shpresën se po bënim diçka shumë të mirë.
Takova shumë njerez në qytetin tim, në pjesën më të madhe, qytetarë të denjë. Bisedova me mijëra socialistë që punojnë në heshtje për të ndryshuar çdo ditë nga pak realitetin që shumë të tjerë nuk e njohin.
Dëgjova edhe shumë nga ata që shiten si të rënë dëshmorë për PS-në apo si “dashnorë të lënduar” që janë gati të ikin në një parti tjetër po nuk u trajtuan nga PS-ja me vende pune a privilegje të tjera! Ajo që binte më shumë në sy ishte se të rinjtë e formuar dhe inteligjenca nuk kishin asnjë prezencë apo pozicion në parti.
Hera-herës pasi deputetit Kokëdhima ju hoq mandati, dëgjoja ‘keqardhjen’ e armiqve të kësaj reforme që pozicionohen edhe kundër meje: “ne s’kemi gjë me ty por me faktin që je e Koço Kokëdhimës”! Dhe nuk harrojnë në çdo rast të tillë të vënë në dukje mbulesën se ata gjoja janë të Ramës! Patjetër që kjo pakicë ishte kundër asaj që unë përjetoja e bëja, ishte kundër reformës që drejtoi Kokëdhima, ishte kundër vetë zhvillimeve pozitive në PS dhe pro privilegjeve e pushtetit të pamerituar që jua hoqi kjo reformë për t’ia kthyer forumeve kolegjiale të Partisë Socialiste.
Unë nuk jam as e Ramës, as e Kokëdhimës, jam e prindërve të mi. Më pëlqen të përqëndrohem tek idetë dhe të mirat e një projekti apo programi politik dhe jo tek emrat e përveçëm.
Deputeti Kokëdhima nuk bëri një reformë për vete, as nuk zhvilloi kurrë klane e përçarje në parti. Ai e zhvilloi këtë projekt me transparencë të plotë, gjithmonë në cilësinë e të deleguarit të Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe në bashkëpunim e në mirëkuptim me Kryetarin Rama i cili ka marrë pjesë në shumë aktivitete gjatë zbatimit të reformës. Kjo reformë ishte gjithëpërfshirëse, parimore, në të mirë të gjithë socialistëve dhe qytetarëve. Me keqardhje duhet të them se Shqiperia i ka frikë ata që i bëjnë punët mirë.
Unë jam anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe kryetare e Këshillit Socialist të Njësisë Administrative të Shushicës. Në këtë kuptim jam “përfituese” e kësaj reforme. Kam parë edhe një tipologji tjetër përfituesish. Disa persona, pasi erdhën në pozicionet drejtuese duke bërë qindra fjalime e lavde servile në mbështetje të reformës, filluan t’i kundërvihen përmbajtjes së saj shpesh herë në mënyrë të ulët, thua se ne kishim qëllim të hiqnim disa drejtues për ti zëvendësuar me disa të tjerë të cilët më pas do të mbartnin po atë kulturë e sjellje si ata që ishin. Nuk jam penduar për asnjë sekondë për atë çka bëra krah mijëra socialistëve e qytetarëve të tjerë.
Unë jam një qytetare e thjeshë që kam zgjedhur të jem në PS-në e politikave aktive, jo në PS-në e sharlatanëve që shitën çdo stol e pallatizuan çdo lulishte ku uleshin dhe ku luanin fëmijët, jo në PS-në e atyre që u përfshinë në mëkatet më të ulëta të këtij tranzicioni duke shpërdorurar mbështetjen dhe votën e socialistëve dhe qytetarëve të thjeshtë. Jam e bindur në vlerat, parimet, drejtësinë dhe domosdoshmërinë e kësaj reforme për Partinë Socialiste.