Nga Mentor Kikia
U gjenda mes një grupi të rinjsh, të afërm, nga ata që ende i thërrasim “kalamanj”. Megjithatë në 2017, këta “kalamanjtë” do të votojnë të gjithë. Ishin nja 7-8 të rinj, pra. Më të shumtët djem. Kishin provuar thuajse të tërë të punojnë në Greqi. Vendosa të bëj një “studim” social me këtë gjeneratë.
-Çfarë do të bënit nëse do të kishin në dorë një post, pra do të kishit pushtet?
-Do të marrim noj lek si të gjithë, çfarë do bëjmë. Përgjigja e parë ishte e gatshme dhe kishte kujt ti referohej.
-Për këtë do të votoni?
-Se kemi idenë fare, ka kohë. Ose nuk do të votojmë fare.
-Po nëse ju ofrojnë para, do ta shisni i votën?
-Po more – u përgjigjën të gjithë njëzëri. Më ka ngel motorri pa benzinë- tha njëri.
Humbja e besimit tek politika nuk është më një çështje mbajtje-mosmbajtje premtimesh. Tashmë jemi në një spirale të frikshme rëniejeje, e cila ka prodhuar ndërkohë një gjeneratë jo vetëm pa shpresë, jo vetëm pa aftësi dhe mundësi orientimi në tregun e punës, por edhe indiferente, mosbesuese në ekstrem, e gatshme të abuzojë e shpërdorojë “pushtetin” nëse i vjen në dorë. Mos u nxitoni. Nuk është fenomen rural. Besoj mbani mend se si pak muaj më parë, në një emission investigativ, një drejtor 24 vjeçar, nga ata të “rinjtë e pastër”, që ne presim të marrin drejtimin e vendit ne dorë, numëronte paratë e rryshfetit në tavolinën e restorantit.
Një gjeneratë që ka patur për model deri tani hajdutin dhe të korruptuarit, trafikantin dhe horrin, pushtetarin që pasurohet për një mandat qeverisës dhe biznesmenin që bëhet pushtetar pasi ka bërë paratë.
Dhe mund të presim ne që kjo gjeneratë të bëjë ndryshimin, të cilit i referohemi shpesh, kur merzitemi me qëveritë njëra pas tjetrës, dhe nuk dimë se ku ta mbështesim levën e Arkimedit për të lëvizur botën e padrejtësive?