Home KRYESORE Papa Françesku si “Papa i sekreteve”.

Papa Françesku si “Papa i sekreteve”.

At Ernest Simoni ishte duke ndjekur Papa Françeskun ne televizor kur mori vesh se u shpall kardinal. Thjesht pa shumë fjalë apo njoftime të mëparshme, Ati i Shenjtë vendosi që Simonin së bashku me 16 priftërinj të tjerë të marrin këtë titull të lartë.

At Ernest Simoni, tashmë në moshën 88 vjeçare, u shpreh për “Reuters” se vendimi i Papa Françeskut ishte aq i papritur për të, saqë fillimisht kur e dëgjoi mendoi se bëhej fjalë për një Ernest tjetër. Por në fakt, ai nuk është i vetmi që i merr vesh i fundit vendimet e Atit të Shenjtë.

Të shumtën e rasteve, Papa Françesku vendimet e tij i mban larg administratës së Kishës Katolike dhe hierarkisë së Vatikanit. Episodi ilustron se Papa Françesku është sekretiv dhe i “luan vet” të gjitha letrat, ndërsa prej vitit 2013 kur nisi mandatin është munduar të reformojë Kishën Katolike nga konservatorizmi i saj.

Nga shpallja e kardinalëve deri tek shpallja e shenjtorëve, Papa Françesku ka marrë vetë çdo vendim. Intervista me dhjetëra zyrtarë aktual dhe të kaluar të Vatikanit, madje edhe me njerëz të afërt të tij, e përshkruajnë Papa Françeskun si një njeri që ndërton mure ndërmjet tij dhe botës së jashtme.

Ai mban çantën e tij të zezë në krahë, menaxhon vetë axhendën dhe shumicën e telefonatave i bën po vetë.

Në kontrast me paraardhësit, Papa Benediktin e XVI dhe Papa Gjon Palin e Dytë, Papa Françesku cilësohet si “Papa i sekreteve”.

Ai beson se duke sfumuar rolin e hierarkisë së kishës mund të zbusë konservatorizmin dhe t’i bëjë të ndihen të përfshirë në krahët e katolicizmit edhe ata që deri dje kisha i ka paragjykuar si komunitetin gay dhe të divorcuarit./Top Channel

Share: