Nga Aulon Kalaja
Sot isha i ftuar në Komision e Medias, për të raportuar mbi situatën e fundit të censurës në media dhe për rastin e shkarkimit nga puna të gazetares Alida Tota, e cila gërmoi për landfillin e Sharrës dhe për vrasjen e 17-vjecarit Ardit Gjoklaj.
Seanca nuk u zhvillua se mazhoranca nuk na dëgjoi, duke pretenduar se censurë nuk ka, por kjo thënie vetëm sa e intimidoi atë edhe më shumë në këtë histori.
Po cfarë ndodhi?!
Alida u shkarkua në televizionin ku punonte me urdhër të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Jo vetëm kaq. Të njëjtin fat kishte edhe emisioni investigativ “Publicus”, i “Vizion Plus”, i cili u mor me të njëjtën cështje dhe me urdhër politik, u shkarkua i gjithë stafi. Mbyllja e portalit “Hashtag”, përndjekja e faqes së facebook “Lolita” si dhe kërcënimet me mbyllje dhe me gjoba të disa portaleve të tjera.
Për këtë situatë, por edhe për censurën që ekziston në tërësi në median shqiptare, që nga porosia e kronikave, censurimi i lajmeve, mos-lejimi i gazetarëve për të ndjekur ngjarjet, por përgatitja e kronikave nga “kuzhinat” e institucioneve, azilin e kërkuar nga gazetarët, mbylljen e televizioneve, mbylljen e emisioneve, shkarkimin e gazetarëve dhe punëtorëve të medias me urdhër politik, si dhe kërcënimet e gezetarëve që punojnë nëpër portale.
Duke parë këtë situatë, me datë 14 tetor, unë thërrita një protestë të gazetarëve dhe të punëtorëve të medias, përpara Bashkisë Tiranë dhe më pas një marshim drejt Kryeministrisë. Një protestë e cila vrau frikën dhe kishte pjesmarrje të kënaqshme, me emra cilësorë gazetarësh, me emra të panjuhur punëtorësh mediash dhe me studentë e pedagogë të gazetarisë.
Pikërisht nga kjo censurë, nga kjo protestë dhe nga këmbëngulja dhe profesionalizmi i koleges Erisa Zyka, erdhi dhe reagimi nga Brukseli. Zëdhënesja e Shefes për Politikë të Jashtme në Bashkimin Europian, tha se BE po e ndjek me vëmëndje rastin e censurës, natyrisht që kjo ngjarje do të pasqyrohet në progres-raportin për Shqipërinë, që mund t’a pengojë vendin tonë në bashkangjitjen në këtë familje.
Ndërkohë sot, kur ishte parashikuar një dëgjesë nga ana e Komisionit të Medias, ajo nuk u zhvillua për shkak se deputetët e mazhorancës e bllokuan. Në sallë nuk ishin prezent deputetët e PS dhe LSI, ndërkohë që deputetët e PD dhe zonja deputete Mimoza Hafizi ishin të interesuar që kjo seancë të zhvillohej, pasi edhe më parë kishin votuar “pro”.
Sipas nënkryetarit të Komisionit të Medias, zotit Alfred Peza, në sallë nuk ishte kuorumi i nevojshëm për t’u zhvilluar mbledhja, ceshtja e censurës nuk ekziston dhe nuk mund të ketë seancë dëgjimore me gazetarët. Jo vetëm kaq, ai porositi gardën, që të mos lejonte asnjë gazetar, asnjë kamer që të hynin në ambientet e komisionit, por i la ata “duarthatë”, pas dere dhe u mjaftua me një deklaratë për shtyp në koridor.
Sa i takon dy argumentave të zotit Peza, unë gjykoj se nuk qëndrojnë. Ai thotë se në sallë nuk ka kuorum, por në sallë mungonin deputetet e PS dhe LSI, pra me qëllim, ose me urdhër të Kryeministrit u punua që deputetët të mungonin dhe në sallë të mos arrihej numri i duhur i deputetëve për dëgjese. Që do të thotë se mazhoranca nuk ishte e interesuar për të na dëgjuar.
Së dyti, sa i takon argumentit tjetër të zotit Peza, se cështja e censurës në mediat shqiptare nuk ekziston, një deklaratë e guximshme për një sih gazetar. Dua t’i kujtoj Pezës, se një nga institucionet më të rëndësishme, sic është Bashkimi Europian, e ka njohur këtë cështje dhe është shprehur për të. Maja Kocijancic me datë 14 tetor ka dhënë këtë deklaratë:
“BE po e ndjek me vëmëndje rastin e censurës, natyrisht që kjo ngjarje do të pasqyrohet në progres-raportin për Shqipërinë, që mund t’a pengojë vendin tonë në bashkangjitjen në këtë familje.”
Pra nuk është e vërtetë se censura nuk është cështje në Shqipëri, por ajo shqetëson edhe BE…
Fakti që mazhoranca nuk pranoi t’a zhvillonte seancën dëgjimorte me gazetarët tregon se ka dicka që nuk shkon dhe vetëm sa e intimidon më shumë PS, por edhe LSI, që në mënyrë të cuditshme është bërë patericë e saj, të paktën në këtë cështje.
Gjithsesi nuk dua të bëj llogaritje numrash, por të ftoj cdo gazetar të guximshëm të reagojë në fomën dhe lirinë e vet.
Pra e vërteta është se as unë dhe as kolegia Tota nuk u dëgjuam sot nga deputetët që paguhen nga taksat tona. Sigurisht që ne do të këmbëngulim dhe të hënen do të jemi po aty, me kërkesën e vetme dhe legjitime për t’u dëgjuar.
E në rast se Kryeministri Rama urdhëron të tijtë që sërish seanca të mos zhvillohet, at’herë gazetarët, punëtorët e medias dhe qytetarët e lirë të këtij vëndi do të dalin sërish në protestë, por kesaj radhe përpara Kryesisë së Kuvendit.