Home KRYESORE Pesë kryebashkiakët që refuzojnë t’i përgjigjen qytetarëve

Pesë kryebashkiakët që refuzojnë t’i përgjigjen qytetarëve

Gjatë gjashtë muajve të fundit, BIRN organizoi një seri me takime në të gjithë Shqipërinë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve në lidhje me punën e kryebashkiakëve të rinj. Shqetësimet dhe pyetjet e qytetarëve iu paraqitën 59 kryebashkiakëve, shumica dërrmuese e të cilëve u përgjigj. Por kryebashkiakët e Durrësit, Elbasanit, Mirditës, Tiranës dhe Vlorës refuzuan kërkesat e BIRN për t’u intervistuar. Këto janë pyetjet pa përgjigje të këtyre kryebashkiakëve.>Nga e majta në të djathtë, Vangjush Dako i Durrësit, Qazim Sejdini i Elbasanit, Ndrec Dedaj i Mirditës, Erion Veliaj i Tiranës dhe Dritan Leli i Vlorës . Foto kolazh

BIRN i paraqiti kryetarëve të bashkive një seri me pyetje të paraqitura si shqetësime nga qytetarët në të gjithë Shqipërinë, me synimin e vënies para përgjegjësisë të kryebashkiakëve të rinj një vit pas marrjes së pushtetit. Pesëdhjetë e katër kryebashkiakë iu përgjigjën pyetjeve, të cilat varionin nga shqetësimet se si menaxhohen mbetjet urbane te mungesa e shërbimeve dhe investimeve te zonat rurale të bashkive të reja. Dy kryebashkiakë nuk u intervistuan dot për shkak se Elvis Rroshi i Kavajës qe nën masën e sigurisë arrest shtëpiak ndërsa Shukri Xhelili i Dibrës qe i arrestuar.

Por pesë kryebashkiakë, Vangjush Dako i Durrësit, Qazim Sejdini i Elbasanit, Ndrec Dedaj i Mirditës, Erion Veliaj i Tiranës dhe Dritan Leli i Vlorës refuzuan të intervistoheshin.

Për këtë arsye, ne po paraqesim këtu pyetjet që qytetarët e këtyre bashkive i ngritën para kryebashkiakëve, pyetje që mbetën pa përgjigje.

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako refuzoi t’i përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve për ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike të qytetit, aktualisht e rrezikuar nga një projekt për ndërtimin e një Pallati të Drejtësisë, shqetësimit për mosrehabilitimin e zonës së ndotur të Kepit të Rodonit apo ngërçit të krijuar me mungesën e hipotekimit të qindra apartamenteve në këtë qytet.

Kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini për shqetësimin e banorëve për ndotjen industriale, për mungesën e transportit të nxënësve në shkollat e fshatrave të largët malorë të kësaj bashkie apo për projektet sociale në ndihmë të shtresave në nevojë.

Ndrec Dedaj i Mirditës nuk iu përgjigj shqetësimeve për nevojën për rehabilitimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së vaditjes së tokave bujqësore, kërkesave për projekte të zhvillimit të turizmit kulturor apo shqetësimeve të krijuara nga projektet e ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël.

Erion Veliaj nuk iu përgjigj pyetjeve mbi mungesën e transparencës së bashkisë së drejtuar prej tij, për kioskat pa leje të vendosura nëpër Tiranë nën logon EcoParking, për mungesën e shërbimeve publike në fshatrat përbërëse të Bashkisë së Tiranës apo për vonesat në shfrytëzimin e banesave sociale, të ndërtuara mbi pesë vjet më parë dhe që vijojnë të mbeten pjesërisht të papërdorura.

Dritan Leli i Vlorës nuk iu përgjigj shqetësimeve të qytetarëve për koncesionin e parkingjeve publike, për zvarritjen e gjatë të punimeve mbi projektin e Lungomares, për mungesën e ujit të pijshëm në qytet dhe për gjendjen e keqe të rrugëve të brendshme të lagjeve të qytetit.

Intervistat e 54 kryebashkiakëve të cilët u përgjigjën gjenden të publikuara këtu.

Share: