Nga Robert Goro
Plot një vit pas thyerjes së heshtjes së gjatë, (me botimin e përmbledhjes “Të gjallë dhe të vdekur”), poeti i njohur shqiptar, Ilirian Zhupa është nderuar me një çmim ndërkombëtar.
Çmimi i artë “Aleksandri i Madh”, i është dorëzuar gjatë një ceremonie në ishullin grek të Salaminës, qendër e një aktiviteti të dendur kulturor me rrezatim të gjerë ndërkombëtar, të zhvilluar nën kujdestarinë e UNESCO-s.
“Ilirian Zhupa, poet dhe diplomat, u afirmua që në moshë të re si një nga zërat më të veçantë poetikë, ndërsa sot vlerësohet si një ndër figurat madhore të poezisë bashkëkohore shqipe, me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare”, thuhej në motivacionin e çmimit “Aleksandri i Madh”.
Duke falënderuar për çmimin, Ilirian Zhupa ishte jashtëzakonisht lakonik; përndryshe nuk u ngjit në skenë për të mbajtur fjalime. Prandaj, në vend të përshëndetjes me formulat e thata të rastit, lexoi një poezi të hershme të tij, shkruar rreth 30 vite më parë, në kohën që Shqipëria po matej të bënte kapërcimin e madh të daljes nga diktatura:
…
Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje,
Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej.
Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje?
Në respekt të auditorit grek, Zhupa e lexoi edhe në greqisht këtë poezi, që titullohet “Orëve të mbrëmjes”.
Në fushën e letërsisë, krahas Ilirian Zhupës, çmimi Aleksandri i Madh iu dha poetit norvegjez, Erling Kittelsen, një nga më të njohurit në botën skandinave dhe më gjerë. Në një vërejtje interesante, Kittelsen veçoi faktin që veprimtaria mbështetet nga UNESCO, duke theksuar nevojën e dialogut kulturor ndërmjet shkrimtarëve, prej nga do të dalin ide të reja për ura gjithashtu të reja komunikimi.
Një tjetër emër i njohur që u nderua me çmimin “Aleksandri i Madh” ishte edhe Nikos Stylos, me një kontribut mbresëlënës në studimin e historisë së shqiptarëve të Greqisë.
I sivjetmi, ishte edicioni i 32-të i çmimeve që mbajnë emrin e strategut të lavdishëm të antikitetit dhe që nominohen nga organizata kulturore “Kafeneja e ideve”, me drejtues shkrimtarin dhe regjisorin e njohur grek, Dinos Kubatis.
Çmimi u jepet çdo vit personaliteteve ndërkombëtare me kontribute të spikatura në fushën e kulturës dhe të artit, shkencës dhe humanizmit. Por edhe brezave më të rinj që me punën dhe iniciativat e tyre shquhen mes gjithë bashkëmoshatarëve.
Mes fituesve të sivjetëm ishte edhe poeti e përkthyesi shqiptar Arjan Kallço, me një ndihmesë të ndjeshme në njohjen e ndërsjelltë të letërsisë italiane me atë shqiptare.
Laureatët përzgjidhen nga komisioni përkatës, me dhjetra kandidaturave nga e gjithë bota.
Ceremonisë së ndarjes së çmimeve i parapriu një koncert muzikor, që kishte edhe ngjyra të theksuar shqiptare. Këngëtarja Teuta Pango-Zhapa i mrekulloi me plot kuptimin e fjalës të pranishmit, në interpretimin e këngëve “Moj e bukura More” dhe “Valsi i lumturisë”, por edhe atyre nga fondi i artë i muzikës së lehtë greke dhe italiane.