Kryeministri Edi Rama ka reaguar perseri dhe me inat ndaj kryetares së bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Kjo, pas këmbënguljes së saj për mosprishjen e ndërtesave rreth stadiumit ‘Loro Boriçi’, kusht që është vendosur edhe nga UEFA, si dhe për prishjen e një parku për të zgjeruar një rrugë.
Statusi i plotë i Edi Ramës në Facebook
“Si mundet mendja t’i thotë një njeriu në krye të qytetit, se për të shkulur krejt gjelbërimin brenda lagjes e zgjeruar rrugën pa asnjë arsye është kollaj fare, ndërsa për të hapur sheshin para stadiumit të ri (investimi më i madh publik në historinë e qytetit) është e pamundur sepse për shkaqe “sociale” këta çibanë betoni e ndryshku nuk u shkulkan dot?!?
Kjo është mendja e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme që drejton sot Shkodrën, që në kohëra të vjetra i jepte leksione shijeje europiane jo veç Shqipërisë po dhe fqinjëve në veri! Çfarë shembulli rrëqethës, i kokëboshllëkut që ka karakterizuar, për plot 25 vjet, politikën e atyre që rrënuan qytetet e Shqipërisë, e i kthyen në pazare orientalë ku nuk fryu asnjë fllad Europe!… Janë po ata që sot, bërtasin “Ngrihuni të shpëtojmë Shqipërinë!”