Nga Luciano Boci
Po shoh shumë tollovi në rrjete, në lidhje me foton time, të Asllanit e Bedriut në kafen e Parlamentit, me K/ministrin!!!!
Shumë komente!?
Nuk e dija që duke debatuar me pasion të plotë politik, me autorin e vijave të kuqe për studentët, Ramën, po shkelja “vijat e kuqe” të Partisë sime.
Nuk kam dashur dhe nuk kam luftuar kurrë që PD të ketë vija të kuqe.
Besoj se nuk i ka, pavarësisht mirazheve të momentit.
Më ka dehur tek ajo liria e fjalës dhe shprehja e plotë e personalitetit të çdonjërit. Për këtë e kam dashuruar, e dua dhe e kam zgjedhur që në fillimet e saj.
Situata e fotos ishte shumë e thjeshtë, politike dhe njerëzore.
Nga salla me tension të plotë, e zhvendosëm debatin në kafe me të njëjtin tonus.
Asllani në të tijën, më hashashin në shkolla e filialin e Kukësit e unë për procesin tallës me maturantët. Rama në mbrojtje të gafave të veta.
Secili në pozicionin e tij.
Unë e di që politika flet dhe me gjeste. Një shtrëngim dore, një foto, një qeshje…. Por gjesti është gjithnjë i mangët…
Personalisht nuk impresionohem nga fotot. As kur Rama kapet mat me ne, ose anasjelltas. As kur ndonjë nga PS, takon Bashën tek selia e PD.
Gjestet gjithmonë kanë një rrejshmëri, një lloj falsiteti statik. Nuk u zihet besë.
Për mua forca e politikës është fjala, debati. Kësaj i përmbahem deri më një.
Ramën unë nuk e kam mik. Nuk më lidh as kafja me të. As interesi. As investimet. As obligacionet. Nuk kam fare të tilla. As ndaj vendime me të, sepse jam i kundërti i tij.
Më lidh debati politik për shumë çështje.
Politikisht është “armiku” im i betuar. Më saktë kundërshtari i im i pakëmbyer me askënd. Ndaj tij harxhoj gjithë baterinë e argumentave që disponoj. E bëj çdo herë pa pishman, pa hezitim. Me dëshirë e përkushtim.
Njerëzisht, është një mesoburrë me mijëra defekte e jo defekte. Dikur basketbollist i pa sukses, sot tragjikisht në majë të suksesit.
Rastësia, mund të më pjekë me të dhe për një kafe tjetër.
Kurrë nuk kam refuzuar apo paragjykuar një kafe nga asnjë person, pavarësisht nga statusi, gjendja sociale, gjinia apo mosha.
Politika vërtet të varfëron disi, por dimensioni i njeriut është një lloj instikti i pandryshuar.
Kodi ynë kanunor e saktëson bukur: dhe hasmit i hapet dera dhe i jepet bujrum.
Trishtohem nga komentet negativiste dhe gëzohem njëkohësisht.
Trishtohem, se konstatoj që ende në xhunglën tonë politike ka “gjahtarë” të durueshëm, deri në pabesueshmëri, “arusha fotografë”, hiena politike, që presin që në shtegun ku janë instaluar, rastësisht t’i kalojë “preja”, për t’iu sulur me batare të gjithfarësoj armësh, për ta gjunjëzuar, nën një ekstazë marramendëse.
Kanë simbol gishtin tregues.
A thua u vetërealizuan përfundimisht e përjetësisht aty!!!!??
Gëzohem me mërzitjen dhe reagimet e miqve. Duket pak e padrejtë kjo. Por gëzohem se konstatoj se në mesin tonë ka shumë të rinj e njerëz plot pasion politik. Në keqkuptimin e tyre shoh shumë dëshirë dhe angazhim për t’i ndryshuar gjendjen e gjërave midis nesh dhe përtej nesh. Kjo më bën optimist dhe detyrues që këto energji t’i kanalizojmë drejt.
Ne do ja dalim bashkërisht!
Unë vazhdova një debat me një kafe para.
Politikisht nuk tradhtova askënd. Mbrojta, me saktë mbrojtëm me Asllanin, qëndrimin e PD.
Qartë, shkurt, pa mllef.
Këtë ia uroj të gjithëve ta bëjnë.
Po të mos pranoja kafen në uljen e Ramës, do tradhtoja brenda vetes sime Njeriun. Këtë nuk do ja uroja askujt.
Një ditë afër ose larg unë, ose politika do ikim nga njëri-tjetri. Jemi përkohësisht bashkë. Por unë dhe njeriu kemi rrugë të gjatë për të bërë. Me të mirat dhe të këqijat e mija.
Për sa kohë jam në politikë, i përkas atyre që më kanë votëbesuar.
Fotot nuk bëjnë histori. Thjesht ilustrojnë ose lustrojnë.
Historinë e bëjmë vetë.