Nga Kliton Nesturi
Shtatshkurtër dhe energjik, symprehtë dhe buzagaz, Rinush Idrizi u shfaq në auditorin e mbushur me student, në tetor 1993. “Mirëdita! Së bashku do të zhvillojmë lendën e Letërsisë së Pavarësisë!”
Ishte një prej atyre prezantimeve që të mbeten gjithë jetën në mendje. Një vit më parë kisha lexuar veprën e tij studimore “Migjeni”, dhe në veten time kisha krijuar një imazh tjetër për të; i sertë, akademik, i kollarisur, fjalëpak e hjerëndë.
Ky prezantim ishte tërësisht ndryshe nga përfytrimi që rëndom njeriu krijon për portët, shkrimtarët, studiuesit apo artistët në përgjithësi. Nga i gjithë kursi, vetëm njërit prej grupeve i takoi fati që të zhvillonte me profesorin edhe seminaret e lëndës. Si për shenjë, ishte grupi ku bëja pjesë edhe unë.
Qysh në fillim, ashtu thjesht dhe natyrshëm, Rinush Idrizi na futi në botën e lëndës. Metoda e tij e organizimit të lëndës ishte krejt ndryshe nga ajo që ishim mësuar deri më atëherë, aspak hijerëndë dhe akademike, por e zhdërvjellët dhe me diskutime të hapura. Për herë të parë, nisëm të mësoheshim me mendimin ndryshe duke i shndërruar orët në kuvende diskutimesh dhe debatesh, duke u ndjerë të lirë dhe të pëgjegjshëm, për fjalën dhe argumentetet që mbronim.
Ndryshe nga mjaft pedagogë të tjerë, Rinush Idrizi për gjatë gjithë kohës na trajtoi jo si studentë, por si kolegë të tij, duke na dhënë të kuptonim respektin që ai kishte për studentët. Ishte tradita që ai kishte trashëguar nga profesori i tij, gjuhëtari i ndritur Eqrem Çabej.
Kjo metodë e tij na e shtoi edhe më tepër respektin për të, sa që sa herë binte fjala për të dhe lendën e tij, mes ne studentëve, të gjithë e përmendnim si një shok e mik më të madh, plot respekt dhe adhurim “Rinushi”. Për të gjithë ne ai ishte “Rinushi”profesori dhe njeriu me shije të lartë artistike, shpirti i të cilit vibronte fort dhe vazhdimisht rrezatone energji pozitive.
Gjithnjë përpara nesh ishte pedagogu, intelektuali, euriditi, kritiku, polemisti dhe analisti brilant. Me zërin e tij të qetë dhe të embël, ai na drejtonte nëpër shtigje të parrahura dhe duke na dhënë edhe kodet për të hyrë në enigmat dhe të fshehtat që do na shoqërojnë gjithnjë në punën tonë, duke na mësuar në të njëjtën kohë se dashuria për lëtërsinë mund të bëhet edhe motivi kryesor i jetës. Për të, letërsia ishte zgjidhja e mjaft enigmave dhe kodeve, ishte rruga e orientimit në jetën e përditëshme.
Në fund të viti të dytë, në orën e fundit të lëndës, Rinushi ynë na u drejtua me këto fjalë: “Unë ju kam përgatitur që qysh në këtë çast të jeni të aftë për të dhënë mësim në gjimnaz. E di që do e përballoni denjësisht! Se çfarë rrjedhe do të marrë jeta juaj, e keni vet në dorë! Ju uroj fat!”
Tetë vjet më parë, në një ditë mestetori, ai iku për gjithnjë, atje në Amerikën e largët, duke lënë pas modelin e rrallë.
Faleminderit Profesor!