Home KRYESORE Shakatë politike për bujqësinë

Shakatë politike për bujqësinë

Nga Kasem Seferi

Shumë vite, shumë deklarata, por deklaratat dhe kronikat e ditëve të fundit pozitë – opozitë në lidhje me bujqësinë nuk kanë se si të mos e tërheqin vemendjen e atyre që vërtetë i kuptojnë shakatë politike.

Turp! Turp për ata politikanë që jetojnë në një Shqipëri ku mbizotërojnë fermat e vogla me tokë bujqësore me ngastra mesatare prej 1.2 hektarë, të ndara në parcela (që në nga pikëpamja e vendodhjeve nganjëherë, kërkojnë jo pak, por një ditë për t’i vizituar).

Ndërkohë, prej më shumë se dy dekadash, sidomos në zona fushore nga veriu në jug, shihen hapsira të papunuara djerrë, që pëmbajnë një kapacitet prodhimi bujqësor të konsiderueshëm.

Në këtë sfond, a nuk janë deklaratat e fundit shaka politike?

Dhe, ndërkohë, Ministri aktual i Bujqësisë etj, deklaron pambarimisht se vemendja duhet të perqendrohet mbi strategjitë e miratuara me qëllim që të gjejmë mjetet e nevojshme për të siguruar bazën ushqimore; për të rritur produktivitetin dhe cilësinë e produkteve; për të vendosur sistemet e kontrollit të cilësisë, (ndoshta) sipas parimeve të HACCP. Në këtë kontekst do të desha të parashtroj pyetjen e mëposhtme: Si do t’i nxisë qeveria skemat e zhvillimit të agrobiznesit në kontekstin e mësipërm?

Përvoja e gjatë e këtyre viteve në agrobiznes, si përfundim, ka nxjerrë se kërkohet ai lloj financimi që përshtatet me të drejtën e pronës (më saktë tregun e munguar të shitblerjes së tokës bujqësore si rezultat i “reformave“ pa fund dhe lidhjes së kontratave, si dy prej mekanizmave të tregut që bëjnë të mundur sigurimin e sasisë, cilësisë dhe sigurinë e bazës ushqimore dhe të produkteve Zoti Ministër dhe pas teje Zoti Kryeministër?!

Agrobiznesi kërkon rrugëzgjidhje praktike që rrisin financimin ose me përqindje të ulta për fermerët dhe veprimtaritë grumbulluese, përpunuese, amabalazhuese, të kërkimit dhe zhvillimit dhe zvogëlimin e barrës tatimore në fushën e sigurimit të bazës ushqimore, ose me anë të subvencionimit (për aq kohë sa nuk ka një formulë të saktë se cila qasje e provuar në Shqipëri është më e mira).

Personalisht për aq sa kam vëzhguar, jam informuar nga fermerët e disa zonave të sukseshme në Berat, Lushnjë, Durrës, etj, do të sugjeroja që skemat e financimit duhet të përfshijnë fermerët që do të rrjeshtohen në zinxhirët e vlerës për sigurimin e bazës ushqimore të agrobiznesit, që t‘i mbështesin ata për ndërtimin e kapacitetit, transferimin e teknologjisë dhe pjesëmarrjen në zhvillimin e shërbimeve teknike dhe monitoruese për të hyrë në treg.

Skemat e financimit që do të ofroheshin do të ishin mirë të demonstronin dukurinë se zinxhiri i sigurimit të bazës ushqimore të agrobiznesit, do të shtonte vlerën, do të kursente kohën dhe do të çonte në avantazhe konkurruese në treg, si dhe ta mbante biznesin e fermerit mbi tavolinë. Gjithashtu do të sugjeroja që financimi të ishte realist, të kishte vazhdimësi dhe jo të ndërpritet në momentin e zhvillimit nga cikli politik i ndrrimit të pushtetit.

Ndryshimi i rregullave të deritanishme është ligji i jetës për zhvillimin e bujqësisë, prandaj e do ta vlerësoja shumë një deklaratë të tillë, që do të na bënte të mendojmë në korr se nuk duhet parë vetëm ajo që është bërë në të kaluarën, por e tashmja dhe, veçanërisht, e ardhmja sepse kështu do të sigurohemi se nuk do ta humbasim këtë të fundit.

Toka në Republikën e Shqipërisë ndahet sipas kategorive të mëposhtme: 24 për qind tokë bujqësore; 15 për qind tokë kullotë; 36 për qind pyje. Thuhet, sepse nuk dihet se nga rreth 3.1 milion banorë në total, rreth 55 për qind të tyre punojnë në bujqësi. Avantazhet e Shqipërisë në kuptim të zhvillimit të bujqësisë në zonat rurale janë: vendndodhja e favorizuar gjeografike; krahasuar me vende të tjera ka kosto të ulët të punës (pagat) në bujqësi; popullsi rurale relativisht e arsimuar; toka pjellore dhe me klimë të favorizuar në disa rajone.

Por çfarë thonë disa të dhëna? Në vitin 2010 raporti eksport – import ishte 1:9.4, ose me një defiçit të tregtisë ushqimore me 77.7 miliard lekë (rreth 560 milion euro), ose 24 për qind e defiçitit të përgjithshëm. Importet e ushqimeve në vitin 2010 ishin 87 miliard lekë (rreth 630 milion euro – rreth 200 euro/person).

Volumi më i madh tregtar në importe përbëhet nga grupi dithëra (grurë, misër, miell dhe ushqim blegtorie me rreth 15.5 miliard lekë, ose 110 milion euro). Importi i prodhimeve blegtorale arrin 11 miliard lekë, ose rreth 80 milion euro. Sasia e fruta perimeve që importohen është rreth 9 herë më e madhe se sa eksportet. Importet ushqimore llogariten për 7.2 për aind të PBB – së.

Në Shqipëri mbillen 146 mijë hektarë grurë dhe misër dhe rreth 200 mijë hektarë foragjere dhe jonxhë. Nga 400 mijë hektarë tokë e kultivuar në shkallë vendi 70 për qind e tokës së kultivuar i përket drithërave dhe foragjereve.

Duke mos qenë prioritet prodhimi i drithërave dhe foragjereve ka sjellë degjenerimin e tij dhe rënien në primitivizëm, veçanërisht, në drejtim të prodhimit të farërave cilësore.

Por, bujqësia shqiptare është në gjendje të mbushë disa role në qoshet e tregut brenda bujqësisë europiane, që kërkon nxitjen e investimit vendas dhe të huaj.

Infrastruktura rurale nuk është shumë e zhvilluar: rrugët janë në kushte të varfëra; furnizimet me ujë shpesh ndërpriten dhe pak fshatra kanë sisteme shëndetsore të organizuara. Përmirësimi infrastrukturës rurale është një prioritet i rëndësishëm për ekonominë rurale dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zvogëlimin e migrimit rural – urban.

Shtyllat kryesore të zhvillimit rural për Shqipërinë janë: rritja e qendrueshme e të ardhurave të fermave; ii) menaxhimi i qendrueshëm i burimeve natyrore përfshirë pyjet, kullotat dhe ujin; dhe krijimin e mundësive për vende pune të reja dhe cilës më të mirë të jetës nëpërmjet diversifikimit dhe infrastrukturës së përmirësuar rurale.

Këto tre shtylla janë të barasvlershme me tre akset kryesore të formuluara në rregulloren e Zhvillimit Rural të BE – së, skemave të mbështetjes për vendet në parahyrje dhe hyrje në BE.

Shqipëria i dedikon çdo vit rreth 7 miliard lekë zhvillimit rural përveç investimeit publik total prej rreth 40 miliard lekë. Shpenzimet korente dominohen nga investimi për fermat dhe infrastrukturën.

Aksi i parë, (modernizmi fermave, vlera e shtuar/marketingu, pyjet/trajnimi/shërbimet e këshillimit) nga 3,213 në vitin 2006 do të rriteshin në 8,500 milion lekë në vitin 2013, ose në 50 për qind të totalit të përgjithshëm.

Aksi i dytë, (fushat më pak të favorizuara, mjedisi bujqësor dhe natyra 2000) nga 1,558 në vitin 2006 në 1,700 milion lekë në vitin 2013, ose 10 për qind të totalit të përgjithshëm.

Aksi i tretë, (punësimi jo në ferma, cilësia e jetës rurale/infrastruktura) nga 2,583 në vitin 2006 në 5,950 milion lekë në vitin 2013, ose 35 për qind e totalit të përgjithshëm.

Aksi i katërt, (zhvillimi pjesëmarrës vendor) nga 0 milion lekë në vitin 2006 në 850 milion lekë në vitin 2013, ose 5 për qind e totalit të përgjithshëm.

Totali përgjithshëm, nga 7,355 në vitin 2006 dhe 17,000 milion lekë në vitin 2013.

Strategjia e zhvillimit rural përfshinte gjithashtu, përveç akseve të mësipërme, arsimin, shëndetin, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturës rurale.

Reformat dhe strategjitë për bujqësinë dhe zhvillimin e zonave rurale janë afatgjata dhe kërkojnë konsensus të gjërë ndërmjet qarqeve politike.

Ku jemi sot?! Mesa shihet, jemi te deklaratat – shakatë politike të rastit.

Share: