Nga Altin Bamllari
Po të lexoni komentet e njerëzve në çdo lajm për shtrimin e një deputeti në urgjencë do të kuptoni disa gjëra:
E para ato s’janë komente, por mallkime me një gjuhë sopate që synojnë t’i japin viktimës (të sëmundjes së vet) goditjen e fundit. Fjala “vdekje” gjendet pothuajse ngado, përveç atyre rasteve kur kjo fjalë nuk ka peshën e duhur për ta bërë mallkimin sa më të kobshëm.
E dyta, duket ashiqare që komentet reflektojnë jo vetëm urrejtjen e njerëzve ndaj individit konkret, por edhe ndaj gjithë racës së politikanëve. Aq shumë të fyer, nëpëkëmbur e të tallur e ndiejnë veten këta njerëz, saqë vdekja e deputetit nuk i ngop dëshirat për hakmarrje. Prandaj dhe disa prej tyre i urojnë me shpirt një kalvar sa më të gjatë dhimbjesh deri në portat e ferrit.
E treta, nga këto komente kupton që situata është aq e keqe sa njerëzve u ka humbur totalisht arsyeja përderisa gjejnë ngushëllim në një vdekje. Mbaj mend që edhe gjyshja ime, kur s’kishte nga t’ia mbante, mallkonte ndonjëherë personin e gabuar, që kujtonte se ishte shkaktari i vuajtjeve të saj: “Vdektë inshalla!”. Ndërkohë, ai jo vetëm që s’vdiste, por i zgjatej jeta edhe më shumë.
Dhe së fundi sillni ndërmend doktor Adhamudhin në komedinë “Pas Vdekjes” të Çajupit. Po sikur baba Taku të ketë bërë gjoja, të shohë me sytë e tij ç’thonë njerëzit për të dhe për Rilindjen ku bën pjesë?