Home KRYESORE Sokol Balla: Hashash, Manjaniuana, qeverisja dhe LSI!

Sokol Balla: Hashash, Manjaniuana, qeverisja dhe LSI!

Nga Sokol Balla

Deklarata e Ylli Manjanit për nxjerrjen e ushtrisë për të luftuar mbjelljen e kanabisit, duket se po ringren dhe njëherë pikëpyetje lidhur me sinqeritetin në gjirin e aleancës së majtë, pikërisht në kohën kur të dyja partitë e saj PS dhe LSI, janë zyrtarisht në ngërç sa i përket reformës zgjedhore, përkatësisht kërkesës së Metës për lista të hapura dhe po i drejtohen fushatës me pikëpyetje ende të forta për qëndresën e këtij koalicioni.

Ajo që kërkon Manjani nuk është pa sens. Vetë Policia bile edhe ministri Tahiri, kanë pohuar se lufta kundër kanabisit nuk është më vetëm një betejë e tyrja. Dhe nuk ka edhe si të jetë. Nëse Brenda vitit në një hapësirë të kufizuar janë zbuluar 700 hektarë të tjerë, po ashtu edhe policia ka bllokuar gati 2 milion rrënjë. Por çdo ditë, nga vetë njoftimet zyrtare të policisë bllokohen të tjera sasi. Dhe natyrisht kjo nuk është tashmë vetëm një problem shqiptar. Legalizimi në rritje i përdorimit të kanabisit është një proces i cili ka mbërritur edhe në Itali. Kjo do të thotë se veç kërkesave në tregun ilegal, tashmë shtohen edhe kërkesat legale për hashash. Mjafton për këtë, të shohësh se ka një shtim të aktivitetit në Italinë fqinje, me raste si ai në Foggia, kur sipërfaqja e mbjellë me kanabis thyente shifra record. Atëherë çfarë duhet bërë?

Sigurisht të nxjerrësh ushtrinë është një zgjidhje dhe nuk do të ishte hera e parë. Mimi Kodheli e ka nxjerrë një herë ushtrinë në një tjetër aksion: Të Pastrojmë Shqipërinë. Edhe atëherë fadromat, kamionet dhe forcat ushtarake dolen në një aksion në shkallë kombëtare. Dhe atëherë u përmend togfjalëshi: emergjencë kombëtare. Por askush nuk doli as për vendim qeverie dhe as u kthye në debat politik. Në një vend fqinj si Italia ama po. Vite më parë kur situate e mbledhjes së plehrave në Napoli u përkeqësua për shkak të përplasjes së bashkisë me firmat, kryeministri Berlusconi dërgoi mes debatesh edhe ligjore dhe kushtetuese te forta në parlament. Por përderisa kur nxorri ushtrinë për plehrat, askush nuk reagoi, ndërsa kur ja kërkojnë ta nxjerri për kanabisin, pjesa socialiste e qeverisë shfaqet skeptike ose refuzuese, kjo tregon se çështja është shumë e komplikuar se aq.

Në radhë të parë nxjerrja e ushtrisë për të luftuar kanabisin, do të ishte kapitullim konkret i qeverisë në luftën kundër tij. Do ishte ngritja e flamurit të bardhë dhe pranimi jo i një problemi, por i një emergjence kombëtare.

Në radhë të dytë do ishte ndërkombëtarizim i problemit, por tashmë në mënyrë formale. Kjo, pasi ushtria shqiptare nuk mund të kryejë aktivitete të tilla pa u bashkërenduar me Komandën e NATO-s. Kujtojmë se forcat tona të armatosura dhe mjetet e saj, janë me udhëzim të Aleancës të trajnuara prej vitesh në aksione “Search and Rescue”, pra kryesisht aksione ushtarake shpëtimi, në rast aksidentesh. Të gjithë jemi dakort, se lufta kundër kanabistëve, nuk mund të klasifikohet si e tillë.

Ushtria kundër kanabisit do të duhej të angazhohej jo thjesht me kosa dhe zjarre, por edhe me armë, për të luftuar ata që Tahiri i quan si kultivues të medhenj dhe biznesmenë. Përveç kësaj kjo do sillte përballje fizike me kultivuesit dhe punëtorët e “vegjël”, vetëm pak muaj para zgjedhjeve, duke krijuar potencial për përplasje dhe rritje ekstreme pakënaqësie.

Të jemi realistë: situata është vërtet shqetësuese dhe ndoshta Manjani me krahasimin me situatën piramidale, ndonëse në formë një argument i përdorur nga kritikët dhe opozita, nuk është larg realitetit. Por Ministri Tahiri deklaroi në kuvend të enjten se nuk duhen trajtuar penalisht njëlloj kultivuesit e mëdhenj dhe të vegjël dhe kjo tregon se PS dhe LSI e shohin ndryshe zgjidhjen e problemit. Ose më saktë gjykojnë ndryshe efektet negative që ai mund të ketë mbi qeverisjen.

Në rastin më të mirë kjo tregon se LSI është një kokë me vete në menaxhimin e punëve të vendit, ndërsa variantet e tjera janë edhe më shqetësuese. Kjo përplasje shton pikëpyetjet nëse dy partitë e koalicionit janë realisht në një pakt nderi me njëra tjetrën, apo tashmë secila i drejtohet me kokën e vet fushatës së afërt elektorale. Drejt së cilës po shkojnë që tani me mosmarrëveshje për reformën zgjedhore, e cila shihet si gjithmonë nga partitë e vogla apo “ende jo” të mëdha si LSI, si pakti i djallit i dy partive të mëdha.

Pas këtij debati të ri mbi kanabisin, gjithsesi nuk do të zgjidhet asgjë. Ushtria nuk do të dalë e me siguri as Manjani nuk do të këmbëngulë më në idenë e tij. Ajo që mbetet, është shija e keqe se ky koalicion i pasinqertë Rama Meta Idrizi, mbetet ende një alternativë e fortë përballë opozitës ende të hutuar të Lulzim Bashës./ Posaçërisht për Javanews

Share: