Home KRYESORE Terrorizon bankën në Tiranë me ‘eksploziv’

Terrorizon bankën në Tiranë me ‘eksploziv’

 Një 53 vjeçar ka terrorizuar punonjësit e një banke të nivelit të dytë në Tiranë, duke i kërcënuar se do t’i hidhte në erë.

Gjatë kërcënimit ai ka ngritur këmishën duke u treguar atyre një pako të mbështjellë, në dukje si eksploziv. Veprimi në fjalë, i përsëritur brenda ditës në dy filiale të së njëjtës bankë, është bërë për shkak të nervozizmit të tij për një transfertë të pakryer. Ngjarja ka ndodhur në 22 korrik të vitit të kaluar.

Pak ditë më parë Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin e “protagonistit” të saj, Qazim G. i cili u shpall fajtor kryerjen e dy veprave penale atë të “kanosjes për shkak të detyrës” dhe “prishjes së qetësisë publike. I pandehuri u dënua me 4 muaj burg. Ai nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli, pasi përfundimisht gjykata e la atë në liri me kusht për një periudhë 18 mujore, raporton Panorama.

Sipas vendimit të gjykatës, banka e nivelit të dytë ka bërë kallëzim ndaj klientit Qazim G., në lidhje me incidentet e shkaktuara prej tij në 22 korrik 2015 është paraqitur pranë dy degëve të bankës në rrugën “Bardhyl” dhe “Komuna Parisit”.

Ai ka shkuar në këto filiale për të kërkuar informacion nëse kishin kaluar para në llogarinë e tij nga ana e një kompani private, si rrjedhojë e një kontrate shitblerjeje prone.

I pandehuri është sqaruar se llogaria e tij nuk ishte kredituar nga shoqërisë “D…”. Në këtë moment është irrituar se përse llogaria e tij nuk kreditohej dhe ka ngritur këmishën duke treguar dhe një pako të mbështjellë, që dukej si lëndë eksplozive.

Pas këtij veprimi i pandehuri është larguar nga dega e Bankës në rrugën “Bardhyl”dhe të njëjtin veprim e ka përsëritur edhe në degën e Bankës në rrugën “Komuna Parisit”.

Veprimet e të pandehurit janë shpjeguar nga punonjëset e bankës, E. G, dhe E. T., të cilat kanë komunikuar me të pandehurin në çastet e qëndrimit të tij në bankë. Ato kanë shpjeguar se në një moment i pandehuri nxori nga xhepi i pantallonave një send si katror të ngjitur me ngjitës transparent dhe e mbante në dorë, duke u shprehur se “ishte dikushi dhe u hedh në erë”. Sipas gjykatës së Tiranës rezultoi e provuar se i pandehuri Qazim G. ka konsumuar plotësisht veprat penale për të cilat akuzohej./Dita/

Share: