Home KRYESORE THUMBI I CICËS SI LAJTHI, DO TA PI O ME RAKI…

THUMBI I CICËS SI LAJTHI, DO TA PI O ME RAKI…

NGA HABERET E MITRO CELA

Kënga e cicave

O bo-bo ç’u prish dynjaja
U mbushën cicat me maja
Cicatë, si maja e gjembit
Nuk i zë as maja e dhëmbit

Në katin e parë ka ardhur të banojë një italian. Gruan e ka nga Kameruni. Nuk është grua, por top-modele afrikane. Ka një djalë 5 vjeç. As i zi e as i bardhë.

Një ditë bëra dy-tre marifete për të takuar bukuroshen afrikane. E pyeta për djalin, për të ndenjur sa më gjatë me të ëmën.

– Djali rri natë e ditë me fëmijë shqiptarë. Dua që të mësojë shqip. Le ta ketë si kujtim një gjuhë të dytë. I vogli, thonë, mëson me lehtë gjuhën e huaj.

Unë i dhashë të drejtë, ndërsa me sytë e mendjes parafytyroja se si do të ishte në shtrat zeshkania.

Kaluan 6 muaj. Një ditë dola në ballkon. Italiani luante me disa shokë. Të gjithë i flisnin italisht. Duke pasur sebep djalin, thashë t’i hedh një sy zeshkanes. Zbrita shkallët dhe trokita në derë. Portën e hapi e zonja e shtëpisë. Kishte veshur një bluzë të hollë! Ruana Zot! Dallova: Thumbi i cicës si lajthi, do ta pi o me raki!… Më erdhi ndër mend ky avaz i një kënge popullore përmetare!

Mallkova veten: Si të shkon mendja për mirë, duke qenë politikan nga radhët e demokratëve? Gjërat e mira janë për sovranin! Harrove zotrote, që Bill Klintoni, sa nuk shkoi për dhjamë qeni, sepse donte të bënte një klitonçe! (Seks në këmbë, sipas një fjale që ka pasuruar zhargonin e seksualitetit gjatë viteve të presidencës së Klintonit!)

– Si shkon djali me shqipen?
– Nuk ka mësuar asnjë fjalë. Dhe nuk ka për të mësuar kurrë: Këtu të gjithë fëmijët flasin italisht!
– Shqipen më mirë e mësojnë gratë e huaja kur shoqërohen me burra të sërës sime, – thashë unë në gjuhën e mamasë.

Zeshkania, duke mos kuptuar tekstin dhe nënteksin, buzëqeshi duke nxjerrë një palë dhëmbë… që isha gati ta pranoja një kafshim nga ku, le të më rridhte gjak demokrati… Në mungesë të kafshimit mallkova perëndinë, që më dha ymër në vitin 1948, kur bëri Kongresin e parë partia e Enverit!

Të më kishte bërë në Kongresin e 6-të, tani do të isha të paktën ministër me sekretare që ka edhe raste që nuk punojnë me tre turne!

Share: