Me rregulloren e re për legalizimin e ndërtimeve dhe shtesave pa leje për 5 kategori ndërtimore në zonat ushtarake, trojet shtetërore apo shtesat për godinat e ndërtuara gjatë regjimit të kaluar, ALUIZNI ka publikuar dhe vendimin e plotë, i cili do të hyjë në fuqi pasi të botohet në Fletoren Zyrtare. Në vendim përcaktohet se jo të gjitha banesat do të kenë fatin për lëshimin e lejes, pasi brenda këtyre zonave ka dhe objekte që cenojnë interesin publik, shkelin distancat e kufijve rrugorë a hekurudhorë, shkelin pragun në vijat bregdetare apo cenojnë monumentet e kulturës. Më poshtë, për të gjithë banorët që kanë ndërtuar pa leje, e jetojnë në godinat që preken nga procedurat e reja, po botojmë të plotë vendimin.
Kualifikohen
“1. Objektet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje, në vijim të quajtura “ndërtime informale”, kualifikohen për legalizim kur nga pikëpamja ndërtimore: a) kanë, minimalisht, të ndërtuar një kat mbi ose nën tokë; b) janë të ndërtuara me materiale të qëndrueshme, të ngritura të paktën në strukturë dhe plotësojnë kushtet për regjistrim, sipas legjislacionit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme; c) Ndërtimi informal i ngritur në zonë, për të cilën dokumentet e miratuara të planifikimit të territorit parashikojnë ndërtime mbi 6 kate, nuk gjendet në rrethanat e nenit 35
Përjashtohen nga legalizimi
“2. Ndërtimi informal i llojit “objekt”, i ngritur brenda vijës kufizuese të zonës informale të miratuar dhe i përfshirë në fushën e zbatimit të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, përjashtohet nga legalizimi në një nga rastet e mëposhtme: a) Shkel distancat nga kufiri rrugor i rrugëve ekzistuese të kategorive A e B ose trupi i rrugëve ekzistuese të kategorive C, D dhe E. Për rrugët e kategorive A dhe B, distancat nga kufiri rrugor nuk mund të jenë më pak se: i. 30 metra për rrugët e kategorisë A; ii. 20 metra për rrugët e kategorisë B. b) Cenon sistemin ose shkel brezin mbrojtës të vijës hekurudhore ekzistuese funksionale, të nivelit kombëtar, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9317, datë 18.11.2004, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar; c) Është ngritur brenda “territorit të institucioneve publike”, sipas neneve 39 dhe 42, pika 2, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizmin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me përjashtim të rasteve kur është ndërtuar nga vetë këto institucione.
Në kuptim të këtyre neneve, “territor i institucionit publik” është sipërfaqja e truallit funksional të ndërtesës publike apo që rezulton të jetë pjesë e inventarit për këtë ndërtesë, si: godinat e institucioneve shtetërore, të shkollave e kopshteve publike, spitaleve, qendrave shëndetësore, kampuseve studentore e të tjera të ngjashme; ç) Është ngritur në zonën e sigurisë të centraleve prodhuese të energjisë elektrike dhe nënstacioneve elektrike ose shkel brezin mbrojtës të sistemit të linjave ekzistuese të interkonjeksionit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.43/2015, datë 30.4.2015,
“Për sektorin e energjisë elektrike; d) Cenon vëllimin ose pamjen e jashtme tw monumentit tw kulturws sw Kategorisw sw parw, ose është ngritur brenda zonës mbrojtëse te tij sipas parashikimeve te ligjit nr. 9048, date 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore ne zbatim te tij; dh) Cenon vëllimin ose pamjen e jashtme të monumentit të kulturës të kategorisë II e) Cenon integritetin e objekteve në grup të trashëgimisë kulturore, të shpallura sipas kategorive:
i. Zonë-muze; ii. Ansambël-muze; iii. Qendër historike; iv. Park arkeologjik; v. Zonë arkeologjike “A”, me përjashtim të rasteve kur shkalla e mbrojtjes është hequr ose kur në këto territore lejohen ndërtime të reja, në përputhje me legjislacionin përkatës; ë) Është ngritur brenda zonave dhe nënzonave të mbrojtura, shkalla e mbrojtjes të të cilave nuk lejon ndërtime, f) Është ngritur brenda sipërfaqes së truallit funksional të ndërtesave, objekt kulti, përveç rasteve kur poseduesi/subjekti ndërtues është vetë institucioni fetar dhe objekti informal është në funksion të këtij institucioni; g) Është ngritur mbi ose shkel brezin mbrojtës të tubacionit të gazsjellësit, naftësjellësit, puseve të nxjerrjes së naftës dhe infrastrukturës së tyre, rrjeteve kryesore të ujësjellësve, aeroportit, portit apo cenon sigurinë e digave të mëdha, të mbrojtura sipas legjislacionit në fuqi; gj) Preket nga zbatimi i një projekti konkret të infrastrukturës rrugore ose të linjës energjetike të interkonjeksionit, të miratuar në mënyrë të posaçme nga Këshilli Kombëtar i Territorit; h) Është ngritur në breg të detit, liqenit ose lumit, brenda distancës në të cilën nuk lejohen ndërtime, siç përcakton dokumenti i planifikimit të territorit, i miratuar në përputhje me legjislacionin në fuqi;
Shtesat
Ndarjet e hapësirave të brendshme (që ndryshojnë sipërfaqen ndërtimore, brenda vëllimit ekzistues) në ndërtime të regjistruara, legalizohen pa iu nënshtruar kritereve kualifikuese të parashikuara në këtë vendim. Legalizohen edhe objektet e ngritura para datës 10.8.1991, sipas kuptimit të vendimit nr.608, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, si dhe për regjistrimin e tyre”, i ndryshuar, nëse në to apo në truallin funksional të tyre gjenden zhvillime ndërtimore informale. Kritereve kualifikuese sipas këtij vendimi u nënshtrohet vetëm shtesa dhe/ose objekti pa leje.
Shtesat, ja distanca që do matet nga rruga
Shtesat pa leje, për të cilat ALUIZNI thotë se është e pamundur të bëhet një llogaritje se sa janë, edhe për faktin se ende vijojnë të ndërtohen të tillë, si brenda dhe jashtë zonave informale, do i nënshtrohen dy rregullave bazë, që kanë të bëjnë me largësinë nga rruga dhe këqyrjes specifike nga ALUIZNI, në rastin kur ndodhen në zona të mbrojtura. Kështu, sipas vendimit shtesat do t’u nënshtrohen vetëm kritereve të përcaktuara në pikën 2, të këtij , me përjashtim të: a) distancave nga rrugët ekzistuese, ku, si rregull, do të merret për bazë vetëm trupi i rrugës. Përjashtimisht, për akset rrugore jokombëtare, kur shtesat bien mbi trotuar, ato legalizohen në përputhje me nenin 42. “Kërkesë për legalizim”, në kuptim të këtij neni, konsiderohet aplikimi për legalizim.; dhe b) legalizimi lejohet vetëm me miratimin paraprak të autoriteteve përgjegjëse sipas ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, ose sipas legjislacionit në fuqi për mjedisin. Këto autoritete duhet të shprehen mbi miratimin ose jo të legalizimit, brenda 45 ditëve nga data e kërkesës së drejtorisë së ALUIZNI-t.”. Po ashtu në pikën 4 të vendimit, për favorizim në dhënien e lejeve, ndryshohën disa pika. “Shkronja “b” ndryshohet, si vijon: “b) shkel distancat ndaj rrugëve ekzistuese, sipas përcaktimeve të mëposhtme: i.10 metra nga kufiri rrugor për rrugët e kategorisë C, brenda qendrave të banuara. Për rrugët e kategorive D dhe E, brenda qendrave të banuara, do të merret për bazë vetëm trupi i rrugës; ii. distancat e përcaktuara në nenin 25, pika 2, të “Rregullores për zbatimin e Kodit Rrugor”, c) është ngritur në breg të rezervuarit, brenda distancës në të cilën nuk lejohen ndërtime, siç përcakton dokumenti i planifikimit të territorit, i miratuar në përputhje me legjislacionin në fuqi;”. “ç) me kërkesë të subjektit të interesuar, provohet nga evidentimi faktik në terren se objekti cenon integritetin strukturor dhe/ose funksional të ndërtesës private, në pronësi të kërkuesit”.
Ku cenohet interesi publik, s’ka kompromis ligjor
Sipas njoftimit të ALUIZNI-t, akti i radhës i procesit të legalizimit, përmirëson procedurat e kualifikimit të ndërtimeve pa leje dhe trajton drejtpërdrejt të drejtat dhe interesat e qytetarëve, duke ndarë kategoritë e ndërtimeve që mund të legalizohen, nga ato që nuk mund të legalizohen. “Qëllimi kryesor i vendimit është pakësimi i kritereve që shkaktojnë përjashtimin e ndërtimeve nga legalizimi. Në përpjekjen për të përkrahur sa më tepër aplikuesit, vendimi parashikon përjashtimin nga legalizimi vetëm në ato raste kur cenohet një interes publik shumë i lartë, siç janë veprat që i shërbejnë komunitetit dhe ato të rëndësisë kombëtare, situata në të cilat legalizimi do të binte ndesh me interesin publik më të lartë”, citon shpjegimi. Në të gjitha rastet e tjera, vendimi bën të mundur legalizimin, duke zhdukur pengesat e çdo lloji; thelbësore dhe procedurale, pengesa të cilat kanë qenë për një kohë të gjatë, karakteristikë e procesit të legalizimit.
“Mund të konfirmojmë me siguri se asnjëherë nuk ka pasur kuadër rregullator më të thjeshtuar dhe favorizues për aplikuesit, se sa ai i krijuar tanimë. Ai ka në thelb të drejtat themelore të qytetarëve dhe është i prirur drejt realizimit të tyre, duke ndjekur frymën e ligjit “Për legalizimin”, raporton ALUIZNI. “Përveç kësaj, shumë i rëndësishëm është edhe lehtësimi i procedurave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, në funksion të legalizimit. Përmendim këtu, bashkëpunimin me Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë apo Institutin e Monumenteve të Kulturës, për rastet kur ndërtimet gjenden pranë monumenteve të kulturës, ose pranë zonave arkeologjike. Po aq i rëndësishëm është edhe bashkërendimi me Ministrinë e Mbrojtjes, organet e njësive të qeverisjes vendore (bashkitë), dhe institucione të tjera, kur është e nevojshme pjesëmarrja e tyre, gjatë procedurave legalizuese”, citon ALUIZNI.
Si veprohet kur objekti është sekuestruar
Nëse personi ka kredi të pashlyer, ALUIZNI nuk merr parasysh asnjë veprim juridiko-civil për kalimin e të drejtave mbi ndërtimin te të tretët
Qeveria ka përcaktuar një sërë kriteresh për mënyrën se si do të realizohet verifikimi në terren dhe plotësimi i dokumenteve. Gjithashtu janë parashikuar dhe si zgjidhen rastet kur ndërtesat si objekt legalizimi janë në një vendim gjyqësor, apo kur prona është e sekuestruar si pasojë e një konflikti. Vendimi “8/1. Në vlerësimin e kritereve për rrugët ekzistuese, verifikimi i trupit të rrugës kryhet mbi bazën e dokumentacionit të gjendjes faktike dhe të klasifikimit të rrugës, të vënë në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar ose nga autoriteti vendor i zhvillimit të territorit. Nëse nuk disponohet dokumentacion, konstatimi i trupit të rrugës bëhet sipas evidentimit faktik në terren, të kryer nga vetë drejtoria e ALUIZNI-t. Në kuadër të këtij vendimi, “qendra të banuara” konsiderohen zonat e urbanizuara (zonat e ndërtueshme), sipas vendimit nr.5, datë 29.12.2014 të KKT-së. 8/2.
Për zbatimin e pikave 3, shkronja “b”, dhe 4, shkronja “d”, të këtij vendimi, drejtoria e ALUIZNI-t vendos në dispozicion të autoriteteve përgjegjëse dokumentacionin e praktikës së legalizimit (genplan, planimetritë, prerjet tërthore dhe gjatësore dhe fotografi të ndërtimit). Vlerësimi i ndërtimit nga autoritetet përgjegjëse kryhet bazuar vetëm mbi këtë dokumentacion dhe mbi verifikimet e tyre. Kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje, sipas dispozitave të Kodit Proc. Adm., nëse autoriteti nuk shprehet brenda 45 ditëve. Pika 8/3. Në përputhje me nenet 141 dhe 144 të Kodit Civil, si dhe me nenin 560 të Kodit të Procedurës Civile, ndërtimi informal nuk përbën objekt të ekzekutimit të detyrueshëm dhe legalizimi i tij nuk ndërpritet për shkak të këtyre procedurave. 8/4.
Kur poseduesi e ka ngritur ndërtimin në pronën e tij dhe kjo pronë rezulton e sekuestruar, ALUIZNI, brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni për këtë fakt, kryen procedurat kualifikuese, miraton lejen e legalizimit (nëse përmbushen kriteret), si dhe njofton përmbaruesin gjyqësor përpara regjistrimit të pasurisë së legalizuar. Përjashtimisht, nëse si pasojë e ekzekutimit të detyrueshëm poseduesi e ka humbur pronësinë përpara kualifikimit, kjo procedurë vijon vetëm me miratimin paraprak të subjektit që ka fituar pronësinë mbi truallin ose pasi konflikti për të drejtat mbi ndërtimin informal të jetë zgjidhur me vendim gjyqësor të formës së prerë. 8/5. Në rastin e pikës 8/4 dhe kur poseduesi është subjekt i ekzekutimit të detyrueshëm të një kredie, ALUIZNI, gjatë legalizimit, nuk merr parasysh asnjë veprim juridiko-civil për kalimin e të drejtave mbi ndërtimin te të tretët. 8/6. Ekzekutimi i detyrueshëm nuk pengon procedurat e legalizimit as në rastin e objekteve me shtesa në tejkalim të lejes së ndërtimit dhe/ose me ndryshime të funksionit të hapësirave.
Kur objekti dhe/ose trualli rezultojnë të sekuestruar, drejtoria e ALUIZNI-t procedon sipas përcaktimeve të pikës 8/4, të këtij vendimi. Nëse ekzekutimi i detyrueshëm ka përfunduar më parë dhe karabinaja është tjetërsuar, objekti legalizohet në favor të subjektit që e ka përfituar atë, vetëm për ato njësi për të cilat nuk janë lidhur më parë akte noteriale mes investitorit dhe porositësve apo pronarëve të truallit. 8/7. Për situatat e pikave 8/4, 8/5 dhe 8/6, kur ZVRPP-ja nuk ka përcjellë informacion sipas kreut I, të VKM-së nr.1095, ALUIZNI nuk mban përgjegjësi nëse nuk është njoftuar më parë nga përmbaruesi gjyqësor. Nëse përmbaruesi pengon legalizimin apo pretendon pezullimin e procedurave, në kundërshtim me pikat 8/3 deri në 8/6, të këtij vendimi, ALUIZNI njofton ministrin e Drejtësisë për nisjen e procedimit disiplinor”.
Pika 11- Për “shtesat” në ndërtime të regjistruara, marrëdhënia me ndërtimin e regjistruar shqyrtohet gjatë procedurave kualifikuese, vetëm nëse, sipas evidentimit në terren të kryer nga ALUIZNI, shtesa është e lidhur pazgjidhshmërisht nga ana funksionale me të. Në këto raste, kur ndërtimi i ligjshëm është tjetërsuar, procedurat e kualifikimit të shtesës kryhen në emër të pronarit të ri të tij. Përjashtimisht, me pëlqimin e shprehur të pronarit të ndërtimit të regjistruar, shtesa mund të legalizohet në emër të një subjekti tjetër edhe kur ekziston lidhja funksionale me ndërtimin ekzistues. Kur lidhja funksionale nuk ekziston, marrëdhënia me ndërtimin e regjistruar nuk merret parasysh gjatë kualifikimit për legalizim”.
Objektet dhe repartet ushtarake
Sipas pikës 13, nëse poseduesi ka ngritur ndërtim informal mbi truallin e një objekti të shembur, që ka qenë në pronësi të tij, ai duhet të dorëzojë pranë drejtorisë së ALUIZNI-t deklaratën noteriale në të cilën pranon faktin e shembjes. Kjo deklaratë dorëzohet përpara miratimit të lejes së legalizimit dhe një kopje e saj përcillet pranë ZVRPP-së. Sa i përket objekteve ish-ushtarake, ALUIZNI zbaton procedurat e përcaktuara në këtë vendim, duke bashkëpunuar me Ministrinë e Mbrojtjes, në përputhje me pikën 17, VKM-së nr.465. Për territoret ose për sipërfaqe të tjera në përgjegjësi administrimi të institucioneve shtetërore, legalizimi kryhet duke njoftuar paraprakisht këto institucione”.
Nishani pret reporterët e KiE: Me pronat po veprohet me dy standarde
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në takimin e zhvilluar me dy reporterët e Këshillit të Europës si pjesë e misionit faktmbledhës në Tiranë ka renditur disa shqetësime sa i përket situatës në vendin tonë, duke u ndaluar kryesisht te reforma në drejtësi, zgjedhjet, pronat, si dhe dëmshpërblimi i ishtë përndjekurve. Presidenti, në takimin me bashkëreporterët Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly vlerësoi rolin e Këshillit të Europës në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e demokracisë si shtyllat bazë të misionit të tij, si dhe kontributin e këtij institucioni prestigjioz ndërkombëtar për përparimin e Shqipërisë në këto fusha. Zyra e shtypit bën të ditur se, duke iu përgjigjur interesimit të bashkëreporterëve, Nishani vuri në dukje ndryshimet kushtetuese të miratuara konsensualisht në Parlamentin shqiptar, përfshirë reformën e thellë gjyqësore, si procese shumë të rëndësishme për vendin.
Duke pohuar rëndësinë e përparimit të këtij procesi, si dhe domosdoshmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe miratimin gjithëpërfshirës të paketës shoqëruese ligjore, Presidenti theksoi pritshmërinë e lartë që ka krijuar ky proces tek qytetarët shqiptarë. Në këtë kontekst Presidenti Nishani theksoi se duhet shmangur me çdo kusht kapja e këtij procesi dhe institucioneve që krijohen prej tij nga çdo grup interesi, pasi vetëm kështu do të arrihet zbatimi efikas i tij në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë. Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Kreu i Shtetit vuri në dukje shqetësimin e thellë mbi rrezikun që i kanoset institucionit të votës së lirë dhe penetrimit gjithnjë e më të hapur të krimit në manipulimin dhe tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve. Presidenti theksoi se ky është një rrezik eminent që i kanoset demokracisë shqiptare, i cili duhet adresuar pa humbur kohë dhe në mënyrë të prerë nga të gjithë aktorët, përfshirë asistencën nga partnerët ndërkombëtarë.
“Nishani shprehu gjithashtu shqetësimin e përsëritur mbi trajtimin me dy standarde që iu bëhet trajtimit të pronarëve të hershëm dhe të rinj në vend, si një akt që cenon rëndë të drejtat e njeriut dhe krijon hapësira dhe mekanizma nxitës të korrupsionit, duke thelluar më tej plagët sociale dhe ekonomike që ka në vend në lidhje me këtë çështje thelbësore. Po kështu, duke iu bashkuar shqetësimit të të persekutuarve politikë prej regjimit komunist, të shprehur përmes shoqatave të tyre të përfaqësimit, Kreu i Shtetit solli në vëmendje mungesën e përparimit në plotësimin e angazhimeve që ka marrë Shqipëria në kuadër të dy rezolutave të miratuara nga Këshilli i Europës në vitet 1996 dhe 2006, mbi krimet e komunizmit në Shqipëri, dhe domosdoshmërinë për t’i adresuar menjëherë ato me vendosmërinë dhe përmasën e merituar./shekulli.