Rreth orës 15:00 të datës 7 tetor policia e Tiranës solli njoftimin se në një stan në Kollogjesh u gjet i pajetë 36-vjeçari Besnik Pudja i cili dyshohej të ishte vetëvrarë.
Në pamje të parë dukej si një ngjarje e rëndomtë në periferi të Tiranës. Trupi i viktimës ishte aq larg, saqë mediat fillimisht e trajtuan lajmin në kufijtë e njoftimit të policisë. Lapsi.al ishte i pari që denoncoi të dhëna të pasakta të policisë për vdekjen e Besnik Pudjas, që hidhnin dyshime se pas kësaj historie fshihej më shumë se një vetëvrasje. Viktima ishte qëlluar me një plump pistolete pas koke dhe vendi ku u gjet trupi i pajetë nuk ishte një stan por një kapanon, që përdorej për tharjen e hashashit. Disa ditë më pas, dyshimet kanë rënë dhe bashkë me dëshmitë e familjarëve, gazetari Artan Hoxha dhe Doriana Bezati kanë sjellë pamje nga vendi i ngjarjes duke rrëzuar versionin e policisë për një vetëvrasje. Në materialin e përgatitur rrëzohet versioni i policisë që nuk dha asnjë informacion se ngjarja ndodhi në një kapanon për tharjen e kanabisit.
“Neës24 udhëtoi rreth 4 orë me makinë dhe një pjesë të rrugës më këmbë dhe shkoi në vendin ku u gjet i pajetë 36-vjeçari. Terreni ishte i vështirë.
Gazetarët thonë se janë shkëmbyer në rrugë me makina pa targa ose me targa të huaja.
Në zonë nuk kishte asnjë banesë. Ndodheshin vetëm disa stane bagëtish në të cilët kishte vetëm njerëz të moshuar të cilët shumë të frikësuar përgjigjeshin me mohim për çdo pyetje.
Për të mbërritur në vendngjarje na ndihmoi halla e viktimës e cila punonte në një stan afër rezervuarit. Mes lotëve ajo na orientoi ku të ecnim por nga dhimbja e madhe nuk mundi të na çonte më afër.
Gjithçka fliste për një mirë organizim për përpunimin e kanabisit. Që tek veglat që përdoreshin për hapjen e gropave, rrjetin e ujitjes, magazinën e tharjes, sobat për tharje artificiale, ndriçimin e vendit si edhe ushqimet dhe fjetinat.
Personat të cilët kanë qenë së bashku me Besnik Podjan, menjëherë pas vrasjes së tij kanë asgjësuar lëndën narkotike që gjendej në kapanon dhe çdo send të tyre personal. Motra e viktimës më herët ka thënë se viktimës nuk i është gjetur çanta me rroba që kishte me vete si edhe aparati celular.
Vetëm brenda kapanonit kishte 4 vatra zjarri ku dyshohet se ishte asgjesuar lënda narkotike e tharë.
Ekziston dyshimi se 36-vjeçari mund të jetë vrarë që prej të enjtes dhe krimi është mbajtur i fshehtë deri në fshehjen e lëndës narkotike që ishte tharë plotësisht dhe djegien e asaj që ishte në process tharjeje.
Jashtë kapanonit ishte një tub uji dhe pranë tij në një rrjetë druri gjendeshin sapunë dhe detergjentë enësh që dyshohet se përdoreshin për higjienën personale të kultivuesve. Pak më tutje gjendej nga tjetër vatër zjarri ku punëtorët e kanabisit kishin djegur ushqimet dhe çdo send që kishin përdorur në atë magazinë që te llambat e ndriçimit deri te metri. Ngjitur më këtë vatër zjarri gjarpëronte një rrugë që të çonte poshtë kodrës. Instiktivisht ne ndoqëm rrugën e cila na çoi në një tjetër magazinë hashashi.
Shumë pranë saj në një pjerrtësirë mes pemëve u gjetën të grumbulluara degë hashashi si edhe tuba plastikë uji. Ishte tentuar që këtij grumbulli bimësh t’i vihej flaka por për shkak të lagështisë bimët nuk ishin djegur.
Megjithatë mjegulla për vrasjen e 36-vjeçarit mbetet ende e dendur për aq kohë sa prokuroria dhe policia mbajnë qëndrime të ndryshme për ngjarjen. Policia e Tiranës i qëndron versionit të vetëvrasjes duke marrë në konsideratë faktin që viktimës i kanë gjetur në duar shenjë baruti. Neës 24 ka mundur të kontaktojë me shokë të viktimës të cilët tregojnë se ai punonte në arat me hashash dhe për të ruajtur perimetrin e tyre qëllonte shpesh herë me armë kallashnikov dhe pistoletë.
6 ditë pas ngjarjes policia arrestoi Algers Liçin, Dritan Buzon dhe Halit Dushën me pretendimin se ata kanë qenë në vendngjarje dhe nuk kanë treguar se çfarë ka ndodhur. Mbi 3 personat rëndon dhe akuza e kultivimit të bimëve narkotike. Sipas policisë gjatë momentit kur është vetëvrarë 36-vjeçari është plagosur edhe Algers Liçi.
I pyetur në polici ai ka thënë se gjithë ngjarja ka ndodhur pasi viktima ka qenë duke luajtur me pistoletë lojën rolete ruse. Por ky pretendim nuk qëndron pasi arma e krimit është në pistoletë pa mulli. Ekspertiza mjekoligjore dhe ajo balistike do të hedhë më shumë dritë rreth asaj çka ka ndodhur në malet e Kollogjeshit aty ku këtë verë gjelbëroi më shumë hashashi me hambarët e tij”/lapsi.al