Nga Artur Zheji
Presioni është i madh. Zagarëria e paguar e mbrojtjes së kryeministrit ka dalë nga ferra dhe kërkon të demoralizojë, qëndrimet publike të miat dhe të të tjerëve, kundër Plehrave dhe kundër shumë marrëzive të tjera të keqqeverisjes.
Që të qetësohen ata që më duan dhe më rezulton që kam fatin e mirë, që janë shumë, shumë më shumë se delenxhinjtë, që sot janë pa kauzë dhe kanë vetëm gëlbazë në vend të trurit, mua, nga zhgaravinat e tyre, nuk më ndodh asnjë turbolencë, më rri ora rrumbullak, 12.00!
Sepse, ata që mund të më prekin dhe mund të më lëndojnë, janë vetëm ata që mund të dua dhe mund të kem respekt dhe miqësi, por për zagaravitësit, që mbushin kopenë e gjahut të kryeministrit, nuk kam asnjë ndjeshmëri. Madje, shkrimet e tyre, sidoqë të ujdisen dhe të rrjedhin qelb dhe gëlbazë, specialitet tematik ky mjaft i njohur në vite, jo vetëm që nuk më cekin, porse sjellin ndoshta në fund të fundit, vetëm mbarësi.
Për këtë, është madje dëshmitar dhe udhërrëfenjës vetë kryeministri ynë, që marrtë edhe nga ditët tona. I masakruar edhe ay, nga zagarëria, për koinçidencë shpesh po e njejta, më keq se askush dhe me rekorde të paarrira nga të tjerë. Me lakuriqësira, bythënxjerrje dhe bythëzbulime në grup, pabesira dhe ndohtësira nga më të ndryshmet, por ja, morri hov dhe ja ku është djali, kryeministër! Madje, duke u dhënë dhe duke u shpërndarë sot, ay, i kafshuari i djeshëm, kocka pikërisht atyre që dikur e kafshuan dhe e shqyen gazetave e portaleve, por pa dobi.
Tani një sqarim për jo zagarërinë, që ndoshta do të sqarohet.
E para, në lidhje me botuesin Çili, që e bënë enkas kaq të madhe, për një shënim redaksie, dhe padyshim që kjo më miklon, madje është frymëzuese, nuk kam punuar asnjëherë për 7 vite rresht si drejtor i mediave Mapo. Por kanë qenë në drejtim, vetëm 2 seanca kontraktuale. E para në vitin 2012, që zgjati vetëm 8 muaj. Dhe e dyta, në fillim vitin 2014, deri në fund të vitit 2015.
Kështuqë nuk kanë qenë asnjëherë kaq shumë vite, sa thotë halabaku.
E dyta, për sa i përket, rrogës sime, për aq kohë sa kam qenë drejtor, duhet të trishtoj ata që s’më duan, por rroga ime, ka qenë mjaft më e madhe se 8 milion lekë të vjetra në muaj. Porse hiç më pak se rreth 120,000 euro bonuse në vit, plus shpenzimet, disa pak milionë lekë të vjetra në muaj, me sa më kujtohet. E tillë ishte oferta dhe nuk e refuzova.
E treta, nga mediat Mapo, nuk jam larguar për çështje page apo kontrate, në terma financiarë. Por për arësye krejt të natyrshme, bindjesh të ndryshme me ato, tepër liberale të botuesit Çili. Dhe ky nuk është asnjë turp dhe asnjë kompleks për palët. Bën pjesë në normalitetin, e marrëdhënieve botues-drejtor, në një shoqëri të civilizuar, gjë të cilën, me Çilin, ndryshe nga mjaft botues nursëzë, ishte fare e mundshme të kishe marrëdhënie civile, madje edhe mjaft shoqërore dhe gazmore.
Është krejt tjetër gjë, qëndrimi si një marrëdhënie njerëzish të lirë të medias, mbas mbarimit pothuajse prej një viti të marrëdhënieve tona kontraktuale. Atë qëndrim gjykues, që unë kam shprehur në lidhje me shkrimin e Çilit dhe jo për Çilin si individ, që dikush apo disa e kanë mbiquajtur si një hakmarrje, është thjesht vazhdim i lirisë për të shprehur pa fyerje dhe gëlbaza, një mendim ndryshe, në lidhje me një mendim tjetër, që është botuar, pikërisht për tu gjykuar.
Por lepuri fle gjetkë!
Sot Rama kërkon njëkohësisht, edhe mbështetës, edhe sharës publikë, që të turbullojnë ujërat e qelbura të pushtetit të tij që ka marrë erë.
I kërkon ata me çdo kusht dhe me çdo çmim, sepse është në kuotën më të ulët të pëlqyeshmërisë si kryeministër, përpara opinionit publik.
Merobazëria, që është aq inteligjente, sa të mos afishohet në mburrje të hapur të Ramës, aq më tepër në derexhenë e sotme, merr përsipër atë zanat që di më mirë. Sharjen, gëlbazën, gënjeshtrën, dhe kafshimin ndaj atyre që shqetësojnë sot, bossin e tyre bujar.
Ironia është se xhungla shqiptare është plot me kriminelë aktivë dhe me pushtet dhe që bëjnë dëme reale në shoqërinë tonë, por merobazëria, as nuk i sheh dhe as ka ndërmend ti shohë e të shkruajë për ta.
Janë plot e përplot ata, që grabisin çdo ditë xhepat e shqiptarëve, mirëpo merobazëria, ka marrë urdhër e porosi, të merret me një koleg e gazetar, që krimin e vet më të madh, ka të shkruarit!
Mirëpo ja që zbulohet me këtë rast, që shkrimet dhe opinionet, e shqetësojnë bossin Rama! Dhe nuk turren mbi kriminelët, zhvatësit dhe grabitqarët e sotëm, që duan të sjellin Plehra në Shqipëri, apo që u vdesin nëna e foshnja njëherësh nëpër spitale, po turren mbi opinionistin Zheji! Sepse kështu do bossi!
Dhe ky është problem i problemeve. Ky dhe është kulmi i molepsjes! Turren ndaj një shkrimtari dhe ndaj një gazetari dhe nga ana tjetër, sillen pa dinjitet dhe si jo kërbishtorë, përpara të dërguarve të pushtetshëm të kryeministrit, që u sjellin zarfet përkatëse.
Mirëpo edhe zarfesjellësit flasin, aq më tepër kur janë biznesmenë të shquar të ndërtimit, të ilaçeve, të spitaleve, të universiteteve private dhe të fushave të tjera më pak të fisme. Për rastësi, disa prej tyre, miq të përbashkët, të disa miqve të tjerë të përbashkët.
Por çështja nuk janë këto kategori kalemxhinjsh dhe gëlbaza e tyre. Që në fund të fundit, e dimë të gjithë, që në thelb, kanë një jetë plot halle dhe që, megjithëse kanë njëfarë talenti nën lëkurë, janë në jetën e tyre personale, krijesa të trishtuara.
Çështja nuk janë ata, të cilët, pasi të lexojnë këto rradhë, do të turren duke ndyrë gojën dhe penën e tyre, ndaj meje. Sifoqoftë pa i lëvizur dot akrepat e orës sime nga pozicioni 12.00.
Çështja është se kryeministri që kemi, përtej pritshmërive të kohëve të para, po e zhyt Shqipërinë në kaosin e problemeve të mëdha, të cilat po përshkallëzohen në mënyrë dramatike.
Dhe prandaj është ndoshta hera e fundit që merrem me këta të trishtuar, që as ata vetë nuk e dinë, se sa të trishtuar ata janë.