Home KRYESORE Ne Tirane takim kushtuar komunitetit shqiptar me banim në Itali.

Ne Tirane takim kushtuar komunitetit shqiptar me banim në Itali.

Ditën e sotme, 18 nëntor, Italia Lavoro, agjenci e Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Tiranë, organizuan një takim kushtuar komunitetit shqiptar me banim në Itali.

Në këtë aktivitet, pjesë e Samitit të parë të Diasporës shqiptare, morën pjesë Ambasadori i Italisë Alberto Cutillo, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Odeta Barbullushi, përfaqësues të Ministrisë të Punës dhe Politikave Sociale të Italisë dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit dhe Zyrës së Bashkëpunimit Italian, si dhe përfaqësues të komuniteteve më të rëndësishme shqiptare në Itali.

Gjatë takimit u prezantuan rezultatet e Raportit 2016 mbi komunitetin shqiptar në Itali, të dhënat statistikore të përditësuara mbi analizimin e fenomenit të emigrimit në tërësinë e tij, mbi statistikat socio-demografike të komunitetit, praninë e të miturve si dhe mundësitë e arsimimit dhe formimit të tyre, mbi përfshirjen në tregun e punës, mbi politikat e mirëqënies dhe proceset e integrimit.

Ambasadori Cutillo theksoi se komuniteti shqiptar përfaqëson sot në Itali një histori suksesi të integrimit të emigrantëve, që meriton të merret si shembull. Sipas Raportit të përgatitur nga Italia Lavoro, shqiptarët përbëjnë një ndër komunitetet më të mëdha dhe të integruara më mirë në jetën shoqërore dhe ekonomike të Italisë.

Pas takimit u zhvillua një diskutim mbi marrëdhëniet e komuniteti shqiptar jashtë vendit, bazuar në dëshmi të drejpërdrejta, si dhe mbi rolin “urë” që ky komunitet mund të luajë në kuadër të perspektivave të reja të emigrimit për të ndihmuar në zhvillimin e të dyja Vendeve.

Share: