Gjykata e Tiranës ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor të dosjes në ngarkim të një 60-vjeçari, të akuzuar si autor të një historie të rrallë përndjekjeje.
I pandehuri Hasan G. dyshohej të kishte shqetësuar për tre vjet me radhë ish-të fejuarën e tij, me të cilën ishte ndarë plot 36 vjet më parë, në vitin 1980. Megjithëse “palët” kishin krijuar familje, 33 vjet pas prishjes së marrëdhënies së tyre, i pandehuri ka nisur të telefonojë dhe ndjekë në rrugë të dëmtuarën.
Në përfundim të gjykimit, gjyqtarja Klorinda Çela vlerësoi të provuar akuzën e “përndjekjes” dhe dënoi të pandehurin me 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit dhe përfundimisht duhet të vuajë dhjetë muaj e 20 ditë burgim.
Sipas vendimit të Gjykatës, 60-vjeçari është kallëzuar nga ish-e fejuara e tij në qershor të vitit 2016. Kjo e fundit ka pretenduar në Polici se përndiqet dhe shqetësohet prej kohësh nga ana e tij.
Sipas kallëzimit, e dëmtuara me iniciale M.H. ka qenë e fejuar me të pandehurin për periudhën 1975-1980. Pas këtij viti, fejesa është prishur dhe dy ish-partnerët kanë krijuar familje. Kallëzuesja ka pretenduar se gjatë tri viteve të fundit ka pasur shqetësim nga i pandehuri. Sipas saj, Hasan G. e ka bezdisur, duke e marrë në telefon, duke e ndjekur nga pas kur ajo del nga shtëpia, apo nga puna.
Po sipas së dëmtuarës, i pandehuri edhe e ka sharë, ofenduar, si dhe kërcënuar se do t’ia shkatërrojë jetën, ashtu si ajo ia shkatërroi jetën atij. Gjykata sqaron në vendim se pas depozitimit të kallëzimit, ajo është telefonuar sërish nga i pandehuri. Për shkak të shqetësimit të vazhdueshëm që i krijonte së dëmtuarës, anëtarë të familjes së saj kanë kontaktuar me vëllanë e të pandehurit.
Pasi ka mësuar për veprimet e vëllait të tij, ai u ka premtuar se do të ndikonte që situata të tilla të mos përsëriteshin. Përpjekjet e tij kanë rezultuar të pasuksesshme. Për këtë shkak, familjarët e së dëmtuarës kanë takuar edhe djalin e të pandehurit.
Ai u ka kërkuar falje për këto ndodhi dhe ka premtuar se nuk do të lejonte të atin t’i krijonte më shqetësime së dëmtuarës. Sipas Gjykatës, ndonëse problemi në fjalë është bërë objekt bisede mes familjarëve të dy palëve, situata nuk ka ndryshuar.