Problematika e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, prej javësh është vendosur në qendër të aksionit politik të opozitës dhe si formë reagimi ndaj rrezikut për votën e lirë, Partia Demokratike po shqyrton dy rrugë: protestat dhe bojkotin e Parlamentit. Në radhët e aleatëve të PD, protestat gëzojnë mbështetje, por nuk ndodh kështu me idenë e largimit nga Parlamenti, e cila për disa është e papranueshme e për disa të tjerë, duhet të jetë opsioni i fundit me arsyetimin se Kuvendi është një tribunë ku opozita mund të paraqesë qëndrimet e saj, raporton Vizion Plus, për të cilin kanë folur edhe drejtuesit e disa partive të koalicionit në opozitë.
Dashamir Shehi: Unë nuk mbështes idenë e daljes nga Parlamenti. Pse? Mirë apo keq Parlamenti e ka akoma një rol, dhe 5-6 muaj do të vazhdojmë ta kemi si një lloj tribune për të shprehur idetë tona kundër apo pro; kështu që me duket e palogjikshme pse duhet të dilet nga parlamenti. Këtë se kam kuptuar kurrë.
Agron Duka: Bojkoti duhet të jetë opsioni i fundit që mund të mendohet nga opozita, bojkoti i Parlamentit, për arsye se në Parlament ke mundësi të bësh oponencë, të debatosh dhe të gjesh rrugët e zgjidhjes.
Nard Ndoka: Nëse ne ndeshemi përballë një mazhorance, e cila përpiqet të shfrytëzojë dhunën e kartonave që ka, atëherë kuptohet që një bojkot është më se normal. Por pa e konsumuar një axhendë parlamentare të opozitës besoj që është e parakohshme një gjë e tillë.
Aleatët ndajnë një qëndrim ndryshe edhe për reformën zgjedhore, duke theksuar se ende ka kohë për të bërë ndryshime që përmirësojnë zgjedhjet.
Dashamir Shehi: PD bën njeë gabim fatal nëqoftëse tërhiqet nga ideja për të ndryshuar kodin zgjedhor se është për atë në radhë të parë. Unë gjykoj që ka kohë të mjaftueshme për disa ndryshime që janë rrënjësore, për shembull numërimi elektronik.
Agron Duka: Nëse ka vullnet politik gjendet koha, të paktën ato që janë esenciale siç është për shembull numërimi elektronik.
Nard Ndoka: Kur ka vullnet politik nga palët gjithmonë ka kohë, për faktin se reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme./Syri.net