Home KRYESORE ANALIZA/ A po i braktis Amerika aleatët e saj?

ANALIZA/ A po i braktis Amerika aleatët e saj?

Nëse Donald Trump i mban premtimet elektorale për të zvogëluar apo mundësisht, për t’i braktisur marrëveshjet e sigurisë me aleatët e SHBA, si psh NATO, fitorja e tij në zgjedhje, i detyron kombet në të gjithë botën që të përgatiten se një ditë, nuk do ta kenë mbështetjen e amerikanëve.

Rreziku tani vjen, jo prej fjalëve të Trump, që janë shpesh të vështira për t’u analizuar, por prej pamundësisë për të parashikuar vendimet e tij dhe mënyrën si shtetet do t’i përgjigjen situatës së re.

Paqartësia, i vë aleatët dhe kundërshtarët nën presion se çfarë qëndrimesh dhe pozicionesh duhet të mbajnë, para se Trump të ulet në zyrë, për shkak se bota po humb një nga shtyllat më të forta të stabilitetit.

“Do të shihni frikë mes aleatëve të Amerikës, dhe në disa raste ato do të përpiqen të reagojnë” tha Xhejms Goldgejer, një studiues i politikës dhe rektor i Universitetit Amerikan të Shërbimit Ndërkombëtar.

Zgjedhja e Trump-it si president, ndodh në një moment kur fuqitë e huaja po kërcënojnë zonën e ndikimit amerikan: Kina në Azi, Irani në Lindjen e Mesme dhe në veçanti, Rusia e Vladimir Putinit në Europë.

Këto fuqi po tundohen për të provuar forcën.

Aleatët e Shteteve të Bashkuara në Europë apo në Azi, papritur po kuptojnë se duhet të përballen të vetëm me një fuqi armiqësore dhe nuk mund të presin gjatë, nëse Trump i ka seriozisht ato që thotë, sipas Goldgejer, i cili shton se “ata duhet të bëjnë plane të tjera tashmë”.

Vendet e Europës Perëndimore si Gjermania dhe Franca “mund të mendojnë se nuk është në interesin e tyre të mbajnë qëndrime të forta kundër Rusisë së Putinit” është shprehur studiuesi i politikës për NYTimes.

“Ata mund të mendojnë se, më e mira për momentin është një marrëveshje me të”, edhe pse kjo do të thotë më shumë influencë ruse mbi Europën Perëndimore.

Ose ndoshta nuk do ta pranojnë këtë.

Por kjo mundësi- dhe fakti se vendet e Europës Lindore duhet të shqetësohen dhe të nisin të planifikojnë pozicionin e ri- tregon se si paqartësia në vetvete, krijon destabilitet në rajone të paqëndrueshme.

Gjatë viti të kaluar, kam kërkuar nga ekspertët, të jepnin një vlerësim me përafërsi për politikën e jashtme nën presidencën e Donald Trump. Vazhdimisht më kanë dhënë të njëjtën përgjigje: Që janë të paaftë të bashkojnë fjalimet shëtitëse të Trump me dokumentet e tij të dobëta, për të krijuar një botëkuptim kohërent të presidentit të ardhshëm të SHBA.

Mungesa e qartësisë ishte thjesht teorike dje, kur sondazhet parashikonin një fitore dërrmuese të Hillari Klinton.

Sot, ky është një problem që shqetëson liderë botërorë, miq apo armiq, të cilët kishin bërë planifikime afatgjata për marrëdhëniet me jashtë, bazuar në rolin serioz që kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vend të kësaj, shtetet tani duhet të përgatiten për një botë jo aq miqësore, e cila nuk mund ta parashikojë më shtetin më të fuqishëm, që deri dje ishte luante rolin e një garancie globale.

Megjithëse besojnë tek ky rend botëror, i krijuar nga Shtetet e Bashkuara, sot nuk kanë shumë zgjedhje, veçse të bëhen pjesë e shpërbërjes,  duke menduar për rikthimin e një botë të një epoke tjetër, me aleanca fluide dhe qendra graviteti rajonale.

Vështirësia për të parashikuar politikën e jashtme të Donald Trump, mund të krijojë forma të tjera destabiliteti.

I pyetur mbi marrëveshjen ndërkombëtare për kufizimin e programit nuklear të Iranit, Deril G. Kimbëll, drejtor i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, tha se ishte i paqartë- dhe me shumë mundësi edhe liderët e Lindjes së Mesme- nëse Zoti Trump “me ose pa dashje do të ndërmarrë veprime që e prishin këtë marrëveshje”  

Vendet e Lindjes së Mesme duhet ta marrin me mend, politikën e jashtme të Donald Trump përkundrejt Iranit, dhe duket krejt i pamundur bashkëpunimi me liderët europianë që Trump i ka fyer disa herë gjatë fushatës. Për këto arsye Zoti Kimbëll thotë se: “e ardhmja e marrëveshjes së Iranit është në rrezik të madh”.

Ndërkohë Zoti Kimbëll thotë se rinovimi i programit bërthamor nga Irani do të nxiste vende të tjera të Lindjes së Mesme që të kenë edhe ato programet e tyre nukleare, pra situata në rajon do të përkeqësohej nëse Amerika heq dorë nga ndërmjetësimi dhe roli i saj kufizues.

Disa shtete, do të merrnin hapa ekstreme për t’u përballur me kërcënimet, nga të cilat i mbron sot Amerika.

Zoti Kimbell merr si shembull Korenë e Jugut e cila është drejt fillimit të programit të saj të armëve nukleare. Trump ka paralajmëruar se do të tërheqë trupat amerikane, ndaj dhe armët bërthamore mund të jenë një pikë kthese në marrëdhëniet me jashtë të Koresë së Jugut.

Shtete më të vogla do të kenë zgjidhje më të vështira.

“Nëse je një nga vendet Baltike, tani nuk e ke idenë çfarë do të bëjë Amerika, nëse Putin vendos të veprojë” thotë Zoti Goldgejer, duke iu referuar deklaratave të Trump, se ai nuk do t’i përmbahet marrëveshjeve të NATO-s për të mbrojtur një vend aleat. Si Estonia për shembull nga një sulm i rusëve.

Dinamika të ngjashme ka në Azi, ku vende si Filipinet dhe Malajzia po lodhen duke qenë në ekuilibër mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në rritje. Nëse mbështetja amerikane bëhet më pak e sigurtë, Kina bëhet për ta më tërheqëse.

“Tradhti” të tilla do të krijonin një thyerje të besimit në një rajon pro-amerikan, duke i lejuar Pekinit të kishte një rol më të madh në detin që lag Kinën Jugore.

Zoti Goldgejer thotë se është e pamundur të parashikosh me ekzaktësi çfarë do të ndodhë, sepse planet e Donald Trump janë të panjohura për askënd dhe sepse është e vështirë të kuptosh si do të reagojë bota nga ky ndryshim drastik i rolit amerikan.

Por ne e dimë atë që nuk do të ndodhë: “Nuk ka asnjë shenjë që tregon se Donald Trump dëshiron të vazhdojë të njëjtën politikë të jashtme që SHBA ka ndjekur që nga Lufta e Dytë Botërore” thotë ai. Çfarëdo rrugë që ka zgjedhur ai, thotë Goldgejer, “do të jetë krejt ndryshe”.

Nga Max Fisher për NYTimes/ Përkthyer nga Lapsi.al  

Share: