Nga Lulzim Basha
Ndërsa po kthehem në Tiranë nga takimet me qytetarët plot halle dhe shqetësime të Memaliajt, Tepelenës, Përmetit, Gjirokastrës, Sarandës dhe Delvinës, dëgjova mesazhin që Edi Rama kishte lënë mbrapa për popullin e tij, ndërsa vetë është duke shijuar, prej dy ditësh, argëtime luksoze dhe ndeshje futbolli nëpër Itali e Gjermani.
Me gjuhen e plakur te genjeshtrave ditore Edi Rama shpalli armiq të tij dhe të shqiptarëve gjysmën e Shqipërisë dhe gjysmën e Europës, të gjithë ata që kanë guxuar ta kritikojnë.
Vulgariteti i zakonshëm dhe mentaliteti autokratik, përzjerë me arrogancën që jep pushteti dhe paraja, duket se e kanë shpërfytyruar Edi Ramën deri aty sa ka humbur çdo lidhje me realitetin dhe ka filluar të shohë të njejtat ëndrra e përjetojë të njëjtat makthe si udhëheqësit e dikurshëm komunistë, mes të cilëve u lind dhe u edukua.
E vërteta është se as unë dhe as demokratët nuk jemi të gëzuar për vonesën e fillimit të negociatave me Bashkimin Europian. Përkundrazi, ne jemi shumë të shqetësuar.
Ne jemi të shqetësuar dhe të turpëruar që të gjitha mediat dhe politikanët e Europës po flasin për drogën e krimin në Shqipëri dhe rrezikun që ata ndjejnë nga kjo situatë. Por më e rëndësishmja është se, si të gjithë njerëzit e ndershëm në Shqipëri, ne jemi të alarmuar që krimi dhe droga po shtine në dorë politikën dhe ekonominë e vendit, duke shkatërruar edhe shpresën e fundit të shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Ne nuk mund të heshtim dhe nuk do të heshtim para kësaj situate. Askush nuk duhet të heshtë. Historia jonë ka treguar që sa herë ne kemi heshtur dhe kemi bërë kompromis me të keqen vetëm kemi vuajtur dhe kemi mbetur mbrapa.
E keqja Shqipërisë nuk i ka ardhur asnjëherë nga kritikët dhe nga zërat e lirë që kërkojnë liri, rend, të drejta dhe të vërtetën. E keqja Shqipërisë i ka ardhur përherë nga autokratët që pushtetin e kanë përdorur për t‘u pasuruar për vete, duke shtypur çdo zë të lirë dhe çdokënd që guxon të mendojë ndryshe nga ata që ju kanë mbajtur ison.
E keqja Shqipërisë i ka ardhur përherë nga ata udhëheqës që për dështimet dhe të zezat që bëjnë vetë kanë fajësuar armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, konspiracionet nga Amerika në Europë; nga ata që betoheshin se bota le të flasë dhe armiku të pëlcasë, por ata do të vazhdonin të palëkundur në rrugën e tyre.
Edi Rama i shpalli sot deputetët austriakë, gjermanë, hollandezë dhe europianë armiq. Por të gjithë ne shqiptarët e dimë fare mirë se kanë qenë këta “armiq” që kanë miratuar qindra milionë euro ndihmë për popullin shqiptar nga paratë e popujve të tyre, ndërkohë që Edi Rama i rrëmben çdo vit popullit të tij qindra miliona euro për vete dhe klientët e tij. Ne e dimë shumë mirë se ishin deputetët austriakë, gjermanë, hollandezë dhe të gjithë BE-së që hapën krahët për Shqipërinë dhe miratuan fillimisht marrëveshjen e Stabilizim asocimit.