Home KRYESORE Ben Blushi: Kryetari në LIBRA zgjidhet çdo 2 vjet!

Ben Blushi: Kryetari në LIBRA zgjidhet çdo 2 vjet!

Refuzimi i kandidaturës së Ben Blushit për kryetar të PS-së ishte pika që derdhi gotën e mbushur plot me atë që Edi Rama e quan “mllef atomik”. Jo më kot, Blushi kërkon t’i japë një tjetër dimension lirie organizatës së tij politike. LIBRA, thotë ai, ka në thelb, lirinë që vjen nga dituria. Por çfarë formule ka zgjedhur Blushi për të shmangur garën false dhe të paracaktuar për kryetar partie?

Në nenin 14 pika 3 të statutit të LIBRA, përcaktohet se kryetari i partisë zgjidhet çdo 2 vjet, dhe se një njeri nuk mund të zgjidhet më shumë se 3 mandate radhazi. Partitë e tjera organizojnë zgjedhje çdo 4 vjet, duke njehsuar mandatin e kryetarit me të njëjtin mandat që kanë legjislaturat parlamentare. Rekordin e mban Partia Socialiste që zgjedhjet e fundit për kryetar i zhvilloi në vitin 2009, ku Edi Rama kishte përballë Maqo Lakrorin.

STATUTI
I ORGANIZATËS POLITIKE “LISTA E BARABARTË“
(LIBRA)
Neni 1
Parimet themelore

LIBRA është një organizatë politike në formën e partisë, e ndërtuar si bashkim shtetasish shqiptarë me bindje, ide dhe pikëpamje të përbashkëta, e strukturuar në bazë vullnetare, me synimin për të ushtruar ndikimin e vet në të mirën e zhvillimit të vendit nëpërmjet përfaqësuesve të saj në organet e zgjedhura të pushtetit.

LIBRA mbështetet në parimet e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Neni 2
Qëllimi dhe Fusha e Veprimtarisë

LIBRA ka për qëllim ushtrimin e vullnetit politik të popullit në të gjitha fushat e jetës publike dhe kryesisht nëpërmjet: ndikimit në krijimin e opinionit publik dhe të edukatës politike, nxitjes së pjesëmarrjes aktive të shtetasve në jetën politike, evidentimit dhe aftësimit të shtetasve për të marrë përsipër përgjegjësi publike dhe pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme e vendore me kandidaturat e saj.

LIBRA ka për qëllim të kontribuojë në ndërtimin dhe forcimin e shtetit të të drejtës, demokracisë dhe në mbrojtjen e parimeve themelore të të drejtave dhe lirive të njeriut.

LIBRA ka për qëllim realizimin e programit të saj politik me mjete kushtetuese, ligjore, demokratike dhe në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Neni 3
Programi

LIBRA ka programin e saj politik, i cili është një akt që përfaqëson qëndrimet për zhvillimin e çdo sektori të jetës në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet mjeteve demokratike dhe kushtetuese.

LIBRA nuk paragjykon askënd për shkak të etnisë, racës, gjinisë, moshës, bindjes fetare apo statusit politik e social.

Libra mbështet dhe zbaton parimet e barazisë gjinore.

LIBRA do të inkurajojë dhe nxisë mendimin ndryshe në të gjithë veprimtarinë e saj.

Neni 4
Emri, Selia, Statusi, Vula, Simbolet

Emri i Partisë është “LISTA E BARABARTE”, me akronim (brevetatis causa) LIBRA. Për efekte të përfaqësimit mund të përdoren si emri i plotë ashtu edhe akronimi.

Selia është në adresën: Rr.”Sami Frashëri”, Tiranë. LIBRA ka të drejtë të ketë shtrirje të saj në çdo pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Libra ka statusin e personit juridik. Ajo ka vulën e vet. Vula e LIBRA-s përcaktohet nga Bërthama.

Simbolet e LIBRA-s janë:
LIBRA ka si simbol një katror të verdhë, mbi të cilin shkruhet Lista e Barbartë, ndërsa brenda tij me gërma kapitale të zeza shkruhet LIBRA.

Neni 5
Anëtarësia

Mund të jetë anëtar i LIBRA-s çdo shtetas shqiptar mbi 16 vjeç, që pranon Statutin, Kodin e Etikës dhe Rregulloret e Brendshme. Anëtarë të LIBRA-s mund të jenë edhe shtetas të huaj me banim në Shqipëri.

Nuk mund të jetë anëtar i LIBRA-s një person që është anëtar i një partie tjetër politike.

Anëtarët e humbasin anëtarësimin:

Nëse kërkojnë të largohen me vullnetin e tyre të lirë;

Me vendim të Komisionit të Etikës, si pasojë e shkeljeve të përcaktuara në Kodin e Etikës, Statutit apo Rregulloreve të Brendshme.

Anëtari, përveç të drejtave ligjore, gëzon të drejtë:

Të ketë pjesëmarrje aktive në jetën e LIBRA-s, të zgjedhë dhe të zgjidhet lirisht në të gjitha forumet drejtuese, në nivel lokal dhe qendror, pa kufizime;

Të paraqesë kandidaturën për t’u zgjedhur në të gjitha organet e LIBRA-s;

Të paraqesë kandidaturën për zgjedhje qendrore apo lokale, sipas parashikimeve statutore dhe ligjit;

Të marrë pjesë në diskutime dhe vendimmarrje të LIBRA-s në të gjitha nivelet, përmes standardeve më të larta të demokracisë së brendshme;

Të shprehë lirisht pikëpamjet e tij;

Të njihet me të gjitha vendimet dhe qëndrimet e LIBRA-s në çdo nivel;

Anëtari, përveç sa ligji parashikon, ka detyrim:

Të kontribuojë aktivisht në organizimin dhe funksionimin e LIBRA-s;

Të paguajë tarifën vjetore të kuotizacionit;

Të gjithë anëtarët kanë të drejta dhe liri të barabarta brenda LIBRA-s.

Neni 6
Natyra, lloji dhe mjetet e veprimtarisë politike

Veprimtaria politike e LIBRA-s është e hapur, demokratike, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi. LIBRA ushtron veprimtari politike me synimin që vetëm në mënyrë demokratike të përfaqësohet në organet e zgjedhura, duke zbatuar programin e saj.

LIBRA, në ushtrimin e veprimtarisë së saj përdor mjete demokratike dhe ligjore. LIBRA ushtron veprimtarinë e saj nëpërmjet edukimit politik, nxitjes së pjesëmarrjes në ushtrimin e të drejtave politike në zgjedhje, si dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje.

LIBRA realizon programin dhe qëllimet e veta me këto mjete:

nëpërmjet veprimtarisë publike në popull dhe media;

nëpërmjet fushatave elektorale dhe pjesëmarrjes në zgjedhje në shkallë kombëtare dhe vendore;

nëpërmjet ushtrimit të pushtetit qendror dhe lokal, ose veprimtarisë si opozitë;

nëpërmjet përfaqësimit të saj në organizatat e nivelit ndërkombetar, ku ajo merr pjesë.

Neni 7
Organet dhe organizimi i LIBRA-s

LIBRA është e organizuar sipas ligjit.

Organet e LIBRA-s janë:

Forumi

Koordinatori

Këshilli

Bërthama

Komisioni i Etikës

Komisioni i Garancive

Kryetari

Neni 8
Forumi

Forumi është mbledhja e të gjithë anëtarëve të LIBRA-s.

Forumi është organi më i lartë vendim-marrës i LIBRA-s.

Forumi mblidhet të paktën një herë në vit.

Mbledhja thirret nga Kryetari, nga 1/3 e Bërthamës ose me kërkesë të 10 përqind të anëtarëve të LIBRA-s. Me thirrjen e Forumit përcaktohet edhe rendi i ditës.

Forumi ka të drejtë dhe merr këto vendime:

Zgjedh Kryetarin

Zgjedh Bërthamën

Zgjedh kandidaturat e përfaqësimit politik për zgjedhjet e përgjithshme apo vendore

Miraton programin dhe të gjitha platformat politike dhe programet zgjedhore të LIBRA-s

Miraton buxhetin vjetor

Miraton Statutin dhe ndryshimet e tij.

Vendimet e Forumit merren me shumicën e thjeshtë të të gjithë anëtarëve të tij. Kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e Forumit është shumica e anëtarëve të LIBRA-s. Në rast se ky kuorum nuk arrihet, Forumi mund të marrë vendime në një mbledhje të dytë brenda 5 ditëve në vijim, pa pasur kuorum detyrues.

Votimet në Forum drejtohen nga Komisioni i Garancive, i cili organizon votimin dhe shpall rezultatin e votimit.

Neni 9
Koordinatori

Grupi është njësia bazë organizative. Koordinatori është organizatori i Grupit.

Grupi ngrihet në nivel bashkie, përveç qytetit të Tiranës, ku Grupi ngrihet në nivel njësie administrative.

Në Grup bëjnë pjesë të gjithë anëtarët e LIBRA-s, banorë të bashkisë/njësisë.

Grupe ngrihen edhe nga anëtarë që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë.

Koordinatori zgjidhet drejtpërdrejt nga anëtarët e Grupit.

Koordinatori zgjidhet me votim të fshehtë dhe ka mandat 1 vjeçar. I njëjti koordinator Grupi nuk mund të ketë më shumë se tre mandate.

Koordinatori është njëri nga përfaqësuesit e Grupit në Këshill.

Përveç koordinatorit, Grupi zgjedh me votim të fshehtë edhe një përfaqësues tjetër të tij në Këshill. Ky përfaqësues ka mandat 1-vjeçar.

Brenda secilit Grup mund të ketë organizime të brendshme.

Neni 10
Këshilli

Këshilli është organ kolegjial që përbëhet nga mbledhja e të gjithë përfaqësuesve të Grupeve, si dhe nga anëtarët e Bërthamës. Anëtarësia e LIBRA-s jashtë Shqipërisë, pavarësisht numrit, ka rezervë statutore përfaqësimi në Këshill me jo më pak se 10% të numrit të anëtarëve të Këshillit.

Këshilli mblidhet minimalisht një herë në tre muaj.

Kryetari i Këshillit është Nënkryetar i LIBRA-s.

Mbledhja e Këshillit thirret nga Kryetari i Këshillit, Kryetari i LIBRA-s ose nga 1/3 e Këshillit. Organi që e thërret përcakton edhe rendin e ditës.

Këshilli i merr vendimet me shumicë të thjeshtë.

Këshilli ka këto kompetenca dhe funksione:

Merr vendime për çështje politike, organizative dhe të administrimit të LIBRA-s, në zbatim të Vendimeve të Forumit;

Zgjedh Kryetarin e Këshillit. Mandati i Kryetarit të Këshillit është 2 vjeçar. I njëjti kryetar këshilli nuk mund të ketë më shumë se tre mandate;

Zgjedh anëtarët komisioneve të Etikës dhe Garancive;

Miraton Rregulloret e Brendshme;

Miraton Kodin e Etikës.

Neni 11
Bërthama

Bërthama është organ drejtues, i cili zgjidhet nga Forumi.

Bërthama është organi përgjegjës për drejtimin e aktivitetit të përditshëm të LIBRA-s. Bërthama përbëhet nga 31 anëtarë, që zgjidhen me votë të fshehtë nga Forumi.

Kryetari i LIBRA-s është anëtar dhe drejtues ex-officio i Bërthamës. Pjesa tjetër e anëtarëve të Bërthamës ruan barazinë gjinore 50%-50% midis të dy gjinive.

Mbledhja e Bërthamës thirret nga Kryetari ose nga 1/3 e Bërthamës. Me thirrjen e Bërthamës përcaktohet dhe rendi i ditës.

Bërthama ka këto përgjegjësi:

Zbaton platformat, programet dhe qëndrimet politike të përcaktuara nga Forumi dhe Këshilli;

Përcakton dhe zbaton agjendën e aktiviteteve politike;

Përgatit projekt-buxhetin e LIBRA-s dhe kontrollon shpenzimet;

Miraton kuotën vjetore të anëtarësisë;

Përcakton listat e përfaqësimit politik në zgjedhjet e përgjithshme apo vendore, duke marrë në konsideratë rezultatet e votimit nga Forumi.

Zgjedh Administratorin e LIBRA-s.

Bërthama ka mandat 2 vjeçar.

Bërthama i merr vendimet me shumicë të thjeshtë.

Neni 12
Komisioni i Etikës

Komisioni i Etikës përbëhet nga 5 anëtarë të LIBRA-s, që zgjidhen nga Këshilli.

Komisioni mblidhet minimalisht një herë në tre muaj.

Komisioni i Etikës është organi përgjegjës për:

Verifikimin e zbatimit të standardeve etike, në çdo nivel;

Menaxhimin dhe vlerësimin e konfliktit të interesit;

Sigurimin e respektimit nga ana e çdo anëtari, të parimeve etike të përfshira në Kodin e Etikës.

Anëtarët qëndrojnë në detyrë për dy vjet.

Çdo anëtar i LIBRA-s mund t’i drejtohet Komisionit të Etikës lidhur me çështjet në kompetencë të tij.

Komisioni i Etikës mund të japë sanksionet e mëposhtme:

Vërejtje;

Përjashtim, i cili miratohet vetëm me votim unanim.

Vendimet e Komisionit të Etikës në çdo rast janë transparente për anëtarët e LIBRA-s.

Neni 13
Komisioni i Garancive

Komisioni i Garancive përbëhet nga 5 anëtarë të LIBRA-s, që zgjidhen nga Këshilli.

Komisioni i Garancive është organi përgjegjës për:

Respektimin e procedurave dhe procesve të votimit;

Besueshmërinë e platformave elektronike të votimit dhe diskutimit.

Komisioni shqyrton dhe vendos për të gjitha ankesat e anëtarëve në lidhje me votimet.

Anëtarët qëndrojnë në detyrë për dy vjet.

Anëtarësia në Komision e Garancive është e papajtueshme me çdo funksion tjetër.

Neni 14
Kryetari

Kryetari zgjidhet nga Forumi, ndërmjet anëtarëve të LIBRA-s, me shumicë të votave të Forumit.

Kryetari ka këto kompetenca:

Përfaqëson ligjërisht LIBRA-n për palë të treta;

Thërret dhe drejton mbledhjet e Forumit;

Thërret dhe drejton mbledhjet e Bërthamës;

Vendos për çështje politike dhe të organizimit elektoral të LIBRA-s.

Mandati i kryetarit është dy vjet. I njëjti kryetar nuk mund të ketë më shumë se tre mandate.

Neni 15
Vendim-marrja dhe votimet

Vendimarrja në LIBRA është në çdo rast në përputhje me statutin dhe ligjin.

Vendimet janë transparente dhe në çdo rast iu bëhen të ditura të gjithë anëtarësisë.

Vendimet në organet e LIBRA-s merren me shumicë votash dhe kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e mbledhjeve është më shumë se gjysma e anëtarëve të organit kolegjial. Vendimi i Forumit për ndryshime në statut kërkon miratimin me 2/3 e anëtarëve të pranishëm.

Votimi në LIBRA është i lirë, demokratik dhe në asnjë rast nuk mund të kufizohet. LIBRA zbaton votime të brendshme për çdo çështje, duke aplikuar standardin me të lartë të demokracisë së brendshme.

Votimi për zgjedhje individësh dhe për çështje të caktuara, kur kërkohet nga të paktën 10% e anëtarëve të organit, është i fshehtë. Mënyra e votimit është me fletë votimi ose me mjete elektronike që garantojnë në mënyrë të certifikuar fshehtësinë e votimit.

Mbledhjet e Forumit duhet të thirren minimalisht një muaj përpara datës së mbledhjes.

Mbledhjet e Këshillit duhet të thirren minimalisht shtatë ditë përpara datës së mbledhjes.

Çdo anëtari të organit që mblidhet i dërgohet njoftimi për mbledhjen, rendi i ditës dhe nëse është rasti, materialet përkatëse për shqyrtim.

Të gjithë të zgjedhurit i nënshtrohen votëbesimit nga zgjedhësit e tyre.

Kryetari dhe anëtarët e Bërthamës i nënshtrohen votëbesimit nga anëtarësia e LIBRA-s. Të drejtën e nisjes së mocionit të mosbesimit e kanë 1/3 e anëtarëve të LIBRA-s.

Koordinatori dhe përfaqësuesi në Këshill i nënshtrohen votëbesimit nga anëtarësia e Grupit përkatës. Të drejtën e nisjes së mocionit të mosbesimit e kanë 1/3 e anëtarëve të Grupit.

Neni 16
Transparenca

LIBRA, në të gjithë veprimtarinë, vendim-marrjen dhe organizimin e saj aplikon parimin e transparencës ndaj të gjithë anëtarëve të saj.

Çdo vendim iu bëhet i ditur anëtarëve.

Për çdo vendim-marrje, organet drejtuese konsultohen me anëtarësinë.

LIBRA, në vendim-marrjet e saj, organizon konsultime me grupet e interesit dhe shoqërinë civile.

LIBRA ka faqen e vet ëeb, ku bën transparente aktet dhe aktivitetet e saj.

Neni 17
Burimet Financiare

Burime financiare te LIBRA-s janë kuotat e anëtarësisë; çdo pasuri e fituar në mënyrë të ligjshme; fondet publike duke përfshirë edhe ndihmën financiare në masën e caktuar në Buxhetin e Shtetit; dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime, nga individë, persona juridikë apo fizikë, organizata e fondacione politike, në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe sipas procedurave ligjore përkatëse. LIBRA nuk mund të pranojë dhurata nga persona juridikë apo fizikë, që mund të ndikojnë në veprimtarinë e saj.

Menaxhimi i burimeve financiare do të kryhet në përputhje me standardet ligjore të kontabilitetit dhe sipas parashikimeve statutore, të Rregulloreve apo legjislacionit përkatës në fuqi.

Veprimtaria financiare ushtrohet sipas legjislacionit përkatës dhe atij financiar në fuqi. LIBRA kryen auditim të veprimtarisë financiare përkatëse sipas ligjit dhe miraton pasqyrat financiare sipas ligjit. Viti financiar është 1 Janar-31 Dhjetor dhe në çdo rast sipas legjislacionit në fuqi.

Administratori është përgjegjës për menaxhimin dhe funksionimin financiar të LIBRA-s.

Neni 18
Ndryshimi i Statutit dhe Rregulloret e Brendshme

Ky statut mund të ndryshohet nga Forumi, me kërkesën e të paktën 30 përqind të anëtarëve të Bërthamës ose 10 perqind të Forumit dhe nevojitet të miratohet nga 2/3 e anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Forumit. Kuorumi i mbledhjes është shumica 50%+1.

Rregulloret e brendshme të LIBRA-s përgatiten nga Bërthama dhe miratohen nga Këshilli.

Neni 19
Dispozita kalimtare për zgjedhjet e organeve të para

Organet e para drejtuese zgjidhen nga mbledhja e parë e anëtarëve themelues-nismëtarë. Mandati i organeve të para drejtuese është njëvjeçar. Brenda afatit njëvjeçar nga themelimi, LIBRA do të organizojë zgjedhjet e para.

Mandati i organeve të para drejtuese nuk llogaritet në numrin maksimal të mandateve të lejuara nga nenet e mësipërme të këtij Statuti.

Neni 20
Praktikat e mira politike dhe zgjedhore

LIBRA zbaton në çdo rast praktikat më të mira politike dhe zgjedhore, bazuar në parimet e demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe standardeve më të larta të përfaqësimit dinjitoz.

Listat e përfaqësimit politik të LIBRA-s në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore respektojnë barazinë gjinore 50%-50%.

Për sa nuk është parashikuar në Statut, zbatohet legjislacioni në fuqi dhe praktikat më të mira të gjithë pranuara.

Share: