Home KRYESORE Edi Rama në Nju Jork: Studentët e dhjetorit dolën në rrugë pasi...

Edi Rama në Nju Jork: Studentët e dhjetorit dolën në rrugë pasi kishin pirë

Kryeministri Rama ka hapur një ekspozitë personale me letra muri të stampuara me skicat e tij dhe me punime qeramike në galerinë e famshme Marian Goodman në Nju Jork.

Në mjediset e galerisë ai zhvilloi gjithashtu një bisedë me promovuesin kryesor të tij në qarqet ndërkombëtare artistike prej gati 20 vjetësh, Hans Ulricht Obrist.

Sikurse në bisedat e mëparshme Rama-Obrist, qëllimi dhe përmbajtja e bisedës në Nju Jork ishte portretizimi i Ramës si një artist dhe politikan rebel dhe transformues, i cili fillimisht sfidoi komunizmin dhe artin e socializmit realist dhe pastaj përdori artin për të ndryshuar shoqërinë dhe politikën, fillimisht si kryebashkiak dhe më pas si kryeministër.

Duke folur për aktivitetin e tij antikomformist si pedagog në ish Akademinë e Arteve, Kryeministri Rama u shpreh se aktiviteti i tij filloi si lëvizje për të sjellë në akademi artin e ndaluar dhe pastaj u kthye në lëvizje ndaj regjimit.

Ai pohoi se protestat e studentëve të dhjetorit filluan të frymëzuara nga një takim për të përkujtuar vdekje e Xhon Lenonit ku ndër të tjera u luajt kënga e tij Power to the People (Pushteti popullit).

Por në mënyrë të çuditshme, ai pohoi se studentët kishin pirë përpara se të dilnin në rrugë dhe kështu të fillonin protestat e dhjetorit (nga minuta 44 këtu):

[L]ëvizja filloi më 8 dhjetor 1990 dhe ishte një festë [në Akademi] për të përkujtuar 10 vjetorin e vrasjes së Xhon Lenonit…

Dhe pastaj njerëzit u entuziasmuan nga kënga Pushteti popullit dhe pasi kishin pirë disa gota dolën rrugëve dhe kjo ishte një kombinim i pabesueshëm me disa studentë të tjerë nga ana tjetër e qytetit që dolën dhe ata në rrugë dhe kështu shpërtheu.

Në fakt kryeministri Rama nuk ndodhej në Shqipëri, por në Korfuz të Greqisë më 8 dhjetor 1990 (fakt që dëshmon se më shumë se kundërshtar i regjimit ai ishte i privilegjuar i regjimit që lejohej të dilte jashtë shtetit). Edhe pse në Nju Jork ai la të nënkuptohet se ishte ai organizatori i përkujtimit të Xhon Lenonit, në të vërtetë ai nuk ishte.

Por e pavërteta më e madhe e rrëfimit të tij është fakti se protestat studentore nuk filluan nga njerëzit që dolën nga Akademia e Arteve, por nga studentët e inxhinierisë së godinës 15 në Qytetin Studenti. Në orët e vona të mbrëmjes së 8 dhjetorit, pas disa orësh qëndrimi para godinës për shkak të mungesës së dritave, pasi kënduan këngë patriotike dhe hodhën parulla kundër qeverisë, këta studentë filluan të lëviznin drejt daljes së Qytetit Studenti duke tërhequr qindra studentë të tjerë që pastaj vërshuan së bashku në rrugicën që lidhte Qytetin Studenti me pjesën tjetër të Tiranës.

Vazhdimi është histori—por jo historia në variantin e manipuluar që mundohet të shesë Kryeministri Edi Rama./exit.al

Share: