Shqipëria pret që të hap negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duket se një draft-rezolutë për Shqipërinë do t’i paraqitet Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian nga raportuesi Knut Fleckenstein.
Në draft vec të tjerash thuhet se, Shqipëria ka bërë progres mbresëlënës vitet e fundit në rrugën e integrimit dhe plotësimi i pesë prioriteteve i hap rrugën Shqipërisë drejt negociatave. Ky draft-rezolutë paraqet dhe anët e dobëta të politikës, ku jepen vërejtje e propozime.
“Mungesa e dialogut politik pengon progresin e mëtejshëm drejt BE-së, marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët janë konstruktive dhe në përputhje me BE-në. Statusi kandidat duhet të shikohet si inkurajues për reformat. Konsiderohet jetik, bashkëpunimi politik mes partive. Kërkohet një kulturë politike bazuar në mirëkuptim dhe dialog”, thuhet në draft-rezolutë.
Janë 5 kushte thelbësore që vendi duhet ti përmbushë. Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein thekson se roli i parlamentit është kyç në demokraci. Lidhur me këtë ai ju ka bërë vazhdimisht thirrje politikës dhe autoriteteve të forcojnë rolin mbikëqyrës.
“Sugjerohet të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të adresohet çështja e njerëzve me rekorde kriminale, që kërkojnë poste publike.
Bëhet thirrje për zbatimin e duhur të saj në mënyrë konstruktive, ndërsa i kërkohet të gjitha partive politike të përmirësojnë ndërtimin e konsensusit demokratik në mënyrë që të avancohet me procesin e anëtarësimit. Konsiderohet e rëndësishme që shoqëria civile, media dhe qytetarët t’i mbajnë liderët e tyre llogaridhënës.
Theksohet nevoja për zgjidhjen e sistemit të fragmentuar të qeverisë lokale dhe për krijimin e qeverisë funksionale lokale e aftë që t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve me shërbime eficente publike. Nënvizohet nevoja e forcimit të shtetit të së drejtës dhe reforma në gjyqësor, në mënyrë që të rritet niveli i besimit të publikut në këtë sistem.
Gjyqësori ende me probleme, siç është politizimi dhe llogaridhënia e kufizuar, niveli i lartë i korrupsionit, burimet e pamjaftueshme. Autoritetet ftohen të ndjekin reformat në bashkëpunim konstruktiv me të gjithë aktorët politikë në bashkëpunim me Komisionin e Venecias”, thuhet në draft rezolutë.