Home KRYESORE Gezuar festen e Flamurit dhe interpretimi i frazes: Tani duhet të bëjmë...

Gezuar festen e Flamurit dhe interpretimi i frazes: Tani duhet të bëjmë edhe shqiptarët’

Nga Capajev Gjokutaj

‘Shqipërinë e bëmë. Tani duhet të bëjmë edhe shqiptarët’. Thonë se kështu tha Ismail Qemali pas shpalljes së pavarësisë.

Kjo frazë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme dhe, çdo herë të përftojë mesazhe të ndryshme.

Plaku i Vlorës duhet të ketë qenë në një çast depresiv. Kur vështirësitë të venë poshtë, i sheh gjërat muzgët dhe bëhesh cinik.

Shqiptarët ekzistonin prej shekujsh. Madje esenca e tyre ekzistonte prej mileniumesh, tek parardhësit pellazgë e ilirë.

Mund të kishte thenë t’i edukojmë, t’i pastrojmë nga zhuli otoman etj. etj., por jo t’i bëjmë.

Ky interpretim mund të bëhej nga ata që mbështeten tek teoritë esencialiste të nacionalizmit.

Të tjerë, që mbështeten tek teoritë moderniste të nacionalizmit do të thoshnin: Ka folur drejt, s’e luan as topi. Shteti krijon qytetarin duke venë në punë shkollat, mediat, shërbimin ushtarak etj.

Pastaj, po të qe i bërë shqiptari, do ta kishim fituar edhe ne pavarësinë kur e fituan fqinjët dhe s’do prisnim çastet e fundit, kur i Sëmuri i Bosforit po shëmbej e mund të na zinte nën vete.

Po të qe i bërë shqiptari, shteti shqiptar nuk do t’i ngjante Kalasë së Rozafës, kemi një shekull që e bëjmë dhe e zhbëjmë periodikisht dhe çdo herë ia nisim nga e para.

Historianët që mbështeten në dokumenta do të thoshin: nuk ka asnjë dëshmi që Plaku i Vlorës të ketë thenë kështu. Madje këtë thenie e kanë venë edhe në gojën e Konicës a të Fishtës.

E vetmja gjë e provuar është se, më 1861 statisti italian Massimo d’Azeglio pat thenë: ‘Italinë e bëmë. Tani duhet të bëjmë italianët.’

Analistët e ligjërimit do të thoshnin: përkthimi i kësaj fraze nga italishtja, trillimi i autorësisë duke qëmtuar mes shqiptarëve më të shquar dhe më me ndikim, dëshmojnë se ligjërimet për nacionalizmin shqiptar janë tejet heterogjene.

Vështirë që gjithë shqiptarët të bëhen bashkë në ndonjerin prej tyre. Edhe në dekadat e ardhshme do vazhdojnë të jenë të ndarë e të përçarë.

Trojet mund të bëhen bashkë, kur të hyjmë në Europën e bashkuar, por jo ligjërimet për nacionalizmin dhe historinë.

Gjithsesi: Gëzuar! Flamurin e kemi dhe, po qe se s’do marrosemi më keq, do vazhdojmë ta kemi të përbashkët.

Share: