Gjykata e Shkodrës ka vendosur të lerë të lirë shefin e Kardiologjisë së Spitalit të Shkodrës, Edi Smajlaj. Gjatë seancës për masën e sigurisë gjykata vlerësoi se Smajlaj duhet të hetohet në liri.
Sipas gjykatës së faktit në Shkodër, veprimi i policisë dhe prokurorisë për arrestimin e tij ka qenë i paligjshëm. Arrestimit i mjekut të njohur, në qytetin më të madh verior në vend, çoi në protesta të kolegëve, të cilët kërkuar lirimin e Smajlajt.
Shefi i Kardiologjisë u arrestua, pasi sipas policisë, ka falsifikuar një kartelë mjekësore për Simon Lufin, pedagogun e Universitetit të Shkodrës të arrestuar për korrupsion. Simon Lufi ka qenë i shtruar në Spitalin e Shkodrës dhe mjeku Smajlaj i ka hapur një kartelë, sikur ka probleme me zemrën. “Ky veprim është bërë për të shmangur një masë sigurie si arresti me burg”, pretendoi policia e Shkodrës.