Home KRYESORE Gjylja e vjetër gjermane në Akropol dhe një sherr i ri shqiptaro-grek

Gjylja e vjetër gjermane në Akropol dhe një sherr i ri shqiptaro-grek

Nga Lorenc Vangjeli

Në historinë serioze thonë se ka ndodhur në motin e largët 1687. Një artilier gjerman, nga një lartësi pranë Akropolit, qëlloi me topin e tij për llogari të venecianëve dhe kundër turqve. Gjylja e rëndë goditi tavanin e ngrehinës së mermertë që ishte shndërruar në depo baruti për garnizonin turk dhe e hodhi në erë atë. Dy ditë e dy net vazhdoi zjarri që e la gjysëm të shkatërruar monumentin e famshëm. Pak a shumë në pamjen e sotme, pavarësisht kohës që ka kaluar, grabitjeve, por dhe restaurimeve të shumta.

Një monument fatkeq i aksiomës se çfarë bën momenti edhe mbi monumentet shekullore.

Goditja e topit ishte një moment që bëri bashkë në një teatër luftimi grekë e shqiptarë që banonin aty, turq që i kishin pushtuar të dy palët, venecianë që donin të zëvendësonin pushtuesin dhe gjermanë që luftonin në emër të pushtuesit modern një pushtues më anakronik. Edhe sot nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe në të njëjtën copë tokë, ku sërish vërtiten si në një shoqëri kozmopolite, normale dhe evropiane, pak a shumë të njëjtët aktorë, të të njëjtave gjuhë, por me role të ndryshme.

Historia është një lloj lavjerësi. Popuj, kombe dhe fati i tyre herë shkon mbarë, herë më keq. herë kanë ditë të bardha, herë netë që duket se nuk mbarojnë kurrë. Në Ballkanin që ka shpikur vetë historinë, kjo është një histori e përsëritur. Edhe kur e djeshmja tentohet të bëhet udhërrëfyese e të sotmes.

Pak a shumë këtë gjë bëri nja 300 e kusur vjet më pas kryeministri Rama në Tiranë. Ai u zhyt thellë në histori dhe bëri një paralelizëm mes Athinës së dikurshme dhe Himarës së sotme. Duke publikuar në fillim të javës një gravurë të vjetër të Athinës, të vitit 1670, Rama citoi një princ, përmendi një shqiptar dhe një venecian që kishin jetuar në kohë të ndryshme; sipas të parit deri në fillim të shekullit të shkuar Athina fliste shqip, ndërsa i dyti kishte negociuar me të tretin për të mos shkatërruar një nga monumentet më domethënës të njerëzimit. Por siç thotë historia, Akropolin më shumë se vandalët, koha, grabitjet, por dhe restaurimet e gabuara, e ka dëmtuar artilieri gjerman. Dhe po të kihet parasysh roli i stërnipërve gjermanë të artilierit përgjatë krizës greke në kohë moderne, pushtimin e dikurshëm të bërë në Luftën e Dytë Botërore, apo dhe dëmshpërblimet e “mohuara” të asaj lufte, atëherë skenari funksionon plotësisht. Në Ballkan, një gjë e tillë meriton të quhet me plot gojën konspiracion. Si i tillë ai besohet plotësisht sepse në këto vise, më shumë se tek mishi, njerëzia beson ende tek fantazmat. Dhe as Shqipëria, as Greqia, nuk i shmangen dot përcaktimit fatal që ju vjen në historinë e sotme nga gjeografia e vjetër: ajo që i vendos me shpinë nga malet dhe me këmbët në det.

Nëse do t’i hysh në zemër dikujt në Ballkan, ka vetëm dy mënyra, ose lëvdoje, ose shaji fqinjin. Gjithçka tjetër, qoftë dhe marrëdhëniet njerëzore e deri tek ato diplomatike këtej e andej kufirit, duket se i përmbahet këtij parimi. Në këto ditë, ka pasur një spirale inkandeshente tensioni mes Tiranës dhe Athinës. Një fakt i të përditshmes u shty me një kuturisje historike dhe kjo është vetëm një pjesë e rrugës së deklaratave dhe kundërdeklaratave. Nuk ka nisur me Himarën, por nuk mbaron as me Akropolin kjo tendosje që më shumë se shtëpinë e fqinjit, synon shtëpitë vetjake dhe hallet reciproke brenda shtëpisë së secilit. Duke përdorur artilerinë historikisht më të rëndë të mundshme dhe më të rrezikshme në Ballkan: historinë e të shkuarës dhe opinionet e ngritura nga optika të ndryshme.

Në Himarë po bëhet një plan rregullues. Disa banesa apo biznese do të shëmben për t’i hapur rrugë rrugës së zhvillimit. Prona është e shenjtë, por shpronësimi lejohet kurdoherë për një interes publik dhe kurdoherë në këmbim të një shpërblimi të drejtë. Ky parim kushtetues, që nuk është shpikje shqiptare, por është model fare i zakontë i botës së qytetëruar, nuk merr parasysh mbiemrin në çertifikatën e pronës së destinuar për t’u prishur. Mjafton që procedurat të jenë të rregullta. Për çdo pakënaqësi, basti mes pronarit të shpronësuar dhe entit që bën shpronësim, shkon në gjykatë. Këtu duhet të mbaronte çdo debat, por pikërisht këtu, nis një tjetër debat që dëshmon dhe njëherë nervat e acaruara në segmentin Tiranë-Athinë. E nis Athina me një reagim të shproporcionuar duke paralajmëruar për mosprishjen e banesave të “minoritarëve grekë në Shqipëri” duke e quajtur veprimin e papranueshëm dhe se nëse “Shqipëria dëshiron të antarësohet në bashkimin Evropian duhet të tregojë që vepron si një shtet ligjor duke mbrojtur nga arbitrariteti… gjithë banorët pavarësisht kombësisë dhe origjinës”, citohet një deklaratë e ministrisë së jashtme greke. Që përtej gjuhës diplomatike, në gjuhën praktike përkthehet se nëse vazhdohet me shëmbjen e objekteve, do të ketë një pengesë greke në rrugën e Shqipërisë drejt Brukselit. Një kërcënim tërësisht i pavend dhe i habitshëm. Nëse nuk do të konsiderohej si një kundërpeshë e llogaritur keq për çështjen Çame, tashmë shumë më e pranishme në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Përgjigja shqiptare është në proporcion me të. Ambasadorja greke thirret për shpjegime në ministrinë e jashtme dhe zëdhënësi i saj thotë se “…deklaratat e përsëritura të MPJ greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës”. Zyrtarisht Tirana thotë se tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e rrethanave mund të mirëkuptohen vetëm “…si një mesazh i destinuar për tregun e brendshëm”.

Deri në këtë moment, shkëmbimi i deklaratave mes diplomatëve që jua do profesioni të jenë elegantë, është i kuptueshëm. Por për një të përpjetë të re nervash mendoi vetë kryeministri. Duke u zhytur në histori dhe duke cituar histori të diskutueshme të së shkuarës, me të gjitha gjasat duke menduar të sotmen, Rama lëshoi një brez që nga ana tjetër e kufirit e shkelën pa hezitim. Zyrtarisht me ngazëllim. Mediatikisht me naivitet. Duke rikujtuar se mes popujsh, cilëtdo qofshon ata, nuk mund të ketë ndonjëherë dashuri dhe duke harruar se interesat e dobisë reciproke, janë gjithçka që mund të bashkojnë fqinjët.

Ende nuk dihet se deri ku do të shkojë shqiptari i pazakontë, të cilit i “shërben” si shofer “byrazeri” Ergodan dhe që i kujton “afendikoit” grek se koha kur “fqinji i pasur i tregonte arat fqinji të varfër ka marrë fund”.

Pavarësisht se çfarë do të thotë Rama të enjten në Kuvend, pavarësisht me gjasë dhe shpjegimit të tij të papritur dhe befasues, por brenda stilit të tij për deklaratën me Akropol, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës do të vazhdojnë të paguajnë taksën e fjalës. Që në Ballkanin që ëndërron të mburret dhe të dëgjojë si shahet fqinji, thuhet gjithmonë e para. Duke u zgjedhur si rregull fjala më e rëndë. Njëlloj si gjylja e gjermanit mbi mermerin e lashtë grek, mbushur me barut turk që Rama thotë se e shpëtoi nga rrënimi një shqiptar katolik, i cili me gjasë luftonte nën flamurin e islamit otoman kundër çlirimpushtimit venecian.

Share: