Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Veliaj, kanë bllokuar regjistrimin ligjor të një prone prej 10 hektarësh në hipotekën e Tiranës. Paralelisht Bashkia dhe Veliaj po bëjnë letrat që mbi këtë pronë të jepet një koncension për ndërtimin e Stacionit Multimodal të Tiranës.
Rasti është i paprecedentë, pasi trashëgimtarët e pronës e cila ndodhet në kthesën e Kamzës, kanë siguruar në janar të vitit 2016 dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, një vendimarrje supreme që detyronte autoritetet shtetërore të bënin menjëherë regjistrimin e 10 hektarëve në Hipotekë në emër të trashëgimtarëve të ligjshëm të familjes Dapi.
Por regjistrimi nuk ka ndodhur edhe pse ka folur Gjykata Kushtetuese. Bllokimi duket se lidhet me interesa të forta biznesi, në të cilat dyshohet se është e përfshirë klientela financiare dhe biologjike e kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj.
Prona prej afro 10 hektarësh, është pjesë e perimetrit ku Bashkia po planifikon ndërtimin e stacionit multimodal. Një projekt koncensionar i cili do realizohet nëpërmjet një kredie prej disa dhjetëra milionë euro nga Berzh.
Kryeregjistruesja e Hipotekës së Tiranës, zonja Lediana Bardhi mban të bllokuar pronën dhe nuk kryen regjistrimin prej disa vitesh, ndërsa ajo është prononcuar në vitin 2015 në ”Agon Channel” mbi këtë çështje.
Sipas Bardhit, vendimet e deriatëhershme gjyqësore nuk e impononin atë që të fshinte nga regjistri si pronare Bashkinë e Tiranës dhe të kalonte titullin e pronësisë në emër të familjes Dapi.
Por në janar 2016 ka folur Gjykata Kushtetuese e cila ka kërkuar regjistrimin e menjëhershëm të pronës në emër të trashëgimtarëve.
Burime të informuara mbi çështjen i thanëHashtag.al se pas vendimit të Kushtetueses, Kryeregjistruesja e Tiranës, zonja Bardhi, ka njoftuar eprorët e saj e alarmuar nga vendimi i Kushtetueses.
Por kryeregjistruesja ka ndryshuar menjëherë qëndrim kur ka marrë “sinjalin” se nuk duhej ta zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Nga ana tjetër Ministria e Drejtësisë e cila drejtohet nga LSI, nuk ka ndërmarrë asnjë masë mbi situatën e krijuar dhe ka lënë që gjithçka të konsumohet ndërmjet drejtoreshës së besuar të Ramës dhe eprorëve të saj në kryeministri.
Në fillim të kësaj jave në prokurorinë e Tiranës është regjistruar një kallëzim penal ndaj drejtoreshës së Hipotekës. / Hashtag.al