Partia Demokratike do i rikthehet protestave, ajo do të thërrasë qytetarët që t’i bashkohen opozitës për të larguar Kryeministrin Rama, me akuzën e keqqeverisjes. Por a është e përgatitur PD-ja, çfarë ndodh nëse me ato protesta qeveria nuk rrëzohet?
Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Kastriot Islami, thotë se qytetarët nuk mund të durojnë më. “Vendi nuk do të ketë qetësi e stabilitet me Ramën Kryeministër. Para, gjatë ose pas zgjedhjeve vendi ka shumë gjasa të futet në trazira sociale për shkak të ilegjitimitetit dhe që potencialisht do të thellohej nëse Rama do të manipulonte zgjedhjet e ardhshme”.
I pyetur nëse protestat mund të përshkallëzohen si 21 janari fatkeq, ai pohon se, “opozita do jetë e përgjegjshme në krye të veprimeve demokratike të qytetarëve dhe se, Basha nuk do të lejojnë të ndodhë një organizim i tillë banditesk duke abandonuar qytetarët dhe vendosur ata në përplasje kriminale me policinë”.
Duke analizuar idenë e tij se përse vendi rrezikon destabilitetin nën qeverisjen e Edi Ramës, deputeti i Partisë Demokratike thotë:
“Situata është ekstremisht e rënduar dhe do të vazhdojë të rëndohet. Ekonomia po shkon drejt rrënimit me shpejtësi. Papunësia po rritet. Varfëria po rritet e zgjerohet. Niveli i jetesës po ulet ndjeshëm, Pasuria po përqendrohet në pak duar oligarkësh me pushtet ose pranë pushtetit. Siguria publike e njerëzore janë vënë në dyshim. Krimet,vjedhjet, kërcënimet janë të përditshme. Krahas korrupsionit dhe lidhjes së shtetit me krimin kjo qeveri ka futur në lojë kultivimin e kanabisit për blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve. Asgjë s’është e sigurt dhe e parashikueshme; prandaj shumë shqiptarë po largohen për në vendet e BE dhe SHBA, me idenë se, “ky vend nuk bëhet”. Rama nuk qeveris më, por “menaxhon zjarrin që i ka rënë në çdo sektor dhe në çdo cep të vendit” për më tepër që marrëdhëniet mes Rilindjes dhe PS, por edhe mes Rilindjes dhe LSI janë shumë të nxehta e të tensionuara”./360grade.al