Çdo perspektivë Europiane e Shqipërisë është në funksion të progresit të marrëdhënieve greko-shqiptare. Ky është ultimatumi që ka marrë Ditmir Bushati gjatë takimit të ditës së hënë në Bruksel me homologun e tij Nikos Kocias.
Gjatë Këshillit të Çështjeve të Jashtme, në axhendën e zhvillimeve politike, u diskutuan marrëdhëniet me SHBA-në dhe Turqinë, ku Kocias përmendi sfidat shqiptare, duke dhënë shpjegime tek homologu i tij edhe për identifikimin dhe ndalimin nga autoritetet greke të personave që po përpiqeshin të kalonin në Greqi 1500 libra dhe harta me “Shqipërinë e Madhe”.
Personat në fjalë kishin pasaporta diplomatike dhe Athina e quajti këtë një incident që konfirmon edhe njëherë provokimet e vazhdueshme të Tiranës dhe vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe në vështirësi. Kocias këmbënguli edhe njëherë se pa mbrojtjen e të drejtave të minoritetit në Shqipëri, të drejtën e pronës së tyre, luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, Greqia nuk do të binte dakord për vazhdimin e perspektivës evropiane të Tiranës.
Burime diplomatike i thanë “Kathimerinit”-t se Kocias nënvizoi se Greqia i respekton kufijtë e saj jo vetëm me Turqinë e Erdoganit, por me të gjitha vendet ballkanike, duke nënkuptuar se qeveria e zotit Rama ka afruar aleatë irredentistë në koalicion (partinë e çamëve).
Në fund, shefi i diplomacisë greke tha se takimi katër palësh mes Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, është shtyrë, për shkak të zgjedhjeve që do të të mbahen më 11 dhjetor në Maqedoni. /360grade.al