Home KRYESORE Kokëdhima: Në zgjedhjet 2017, PS nuk merr dot as 60 deputetë!

Kokëdhima: Në zgjedhjet 2017, PS nuk merr dot as 60 deputetë!

Nga Koco Kokedhima

Ky tranzicion u karakterizua nga emërimi i njerëzve të paaftë dhe servilë në administratë e qeveri, nga varfëria, nga papunësia dhe mungesa e shpresës dhe e besimit të popullit. Njerëzit ndihen të mashtruar, të përdorur, të pashpresë. Ata janë të mërzitur e të stresuar.

Nuk ka më gëzim dhe optimizëm dhe shumë prej tyre ndihen të fyer dhe vetëm do të donin të largoheshin nga ky vend. Qysh në moshë të re njerëzve tanë ju vriten ëndrrat dhe ata nuk ëndërrojnë dot më. Prona publike në këto 25 vite keqmenaxhohet, vidhet e plaçkitet ose vetëm privatizohet për dy lekë.

Ekonomia nuk po e përmirëson jetën e shumicës së popullit, që nuk përballon dot nevojat elementare për të ekzistuar. Populli masivisht është i papërfaqësuar. Në çdo fushatë elektorale, njerëzve iu premtohet parajsa.

Ndërrohen ekipet qeverisëse, por pushteti nuk e përfaqëson shumicën e popullsisë. Politikanët i manipulojnë qytetarët dhe elitat politike i përbuzin, i shkelin, i mashtrojnë dhe i vjedhin këta qytetarë. Populli, nga viti në vit, është zhveshur nga e drejta për të ushtruar vullnetin e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë, për të zgjedhur përfaqësuesit.

Po të kemi parasysh se sistemi zgjedhor në Shqipëri nuk garanton zgjedhje të lira e të ndershme dhe faktin që populli nuk zgjedh vetë drejtpërdrejt asnjë përfaqësues, me të drejtë do të themi se ky është një popull i lidhur, është një popull i mbërthyer. Popullin nuk e lënë të zgjedhë, nuk e lejojnë të ndëshkojë, nuk e lejojnë të “hakmerret”, nuk e lejojnë të marrë në dorë fatet e veta. Problemet e përfaqësimit janë të mprehta edhe në partitë politike, edhe në Partinë Socialiste.

Sot, të gjithë përfaqësuesit zgjidhen nga kryetarët e partive. Deputetët, kryetarët e bashkive, këshilltarët dhe gjithçka tjetër. Për këtë arsye, ky system është quajtur edhe sistem partiokratik. Kur them se në Partinë Socialiste ka problem të rënda përfaqësimi, kam parasysh faktin se një numër i vogël socialistësh përfitojnë vende pune dhe të mirat e pushtetit. Por, shumica e socialistëve të thjeshtë vuajnë si gjithë pjesa tjetër e popullit. Ata ndihen të parespektuar, të përdorur, të gënjyer, të shfrytëzuar, të abuzuar dhe të zemëruar.

Partia Socialiste ka një anëtarësi besnike, nga më të shkëlqyerat. Socialistët e bazës janë njerëzit më të mirë. Ata janë atdhetarë, qytetarë të devotshëm dhe familjarë shembullorë. Ata janë krenarë dhe janë të lidhur me trashëgiminë patriotike, kulturore, politike e filozofike të së majtës shqiptare, pa dyshim, trashëgimia më e ndritur e partive politike në Shqipëri. Këtë shtresë militantësh, të pathyeshëm dhe të paepur, e mbështesin gati pa kushte Partinë Socialiste në çdo betejë politike e elektorale. Unë i kam quajtur këta persona të devotshëm “socialistët e racës”.

Kini parasysh se nga një palë zgjedhje në tjetër, Partia Socialiste po kanibalizohet nga aleatët, po humbet mbështetje dhe po zvogëlohet. Në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste rrezikon të mos arrijë dot e vetme numrin 60 të deputetëve të saj. Kjo po ndodh edhe pse kemi kaq shumë njerëz të shkëlqyer në bazë, edhe pse përballë kemi një parti të diskretituar si partia e Saliut. Kjo gjë po ndodh, pasi Partia Socialiste po merr kosto të pamerituara nga njerëzit e saj në pushtet.

Share: