Home KRYESORE Kukan: Integrimi i Shqipërisë mes Greqisë, drogës dhe luftës kundër korrupsionit

Kukan: Integrimi i Shqipërisë mes Greqisë, drogës dhe luftës kundër korrupsionit

Eurodeputeti dhe Raportuesi për Shqipërinë, Eduard Kukan, kërkon hapa konkretë nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe drogës, si kritere të forta për integrimin.

Duke folur në një intervistë për Koha Jonë ai thotë se kushti kryesor mbetet zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar. I pyetur se a mund të ndikojnë tensionet e fundit me Greqinë, Kukan shprehet se: “Çështjet bilaterale, si me Greqinë, nuk duhet të shkelin progresin e bërë në procesin e reformave të lidhura me integrimin në BE. Unë mendoj se do të ishte e padrejtë për vendin”.

Z.Kukan, për Shqipërinë u dha rekomandim me kusht për hapjen e negociatave për anëtarësimin. Pse Shqipëria ende nuk po merr rekomandimin e plotë, ku po gabon politika shqiptare?

Rekomandimi i Komisionit është një sukses për Shqipërinë. Është një njohje e progresit që Shqipëria ka bërë në fushën e reformave në lidhje me procesin e integrimit Europian. Pas statusit si vend kandidat, ky është hapi tjetër në këtë proces. Megjithatë, duke finalizuar reformën e drejtësisë dhe duke filluar zbatimin e tij së bashku me përparimin e mëtejshëm në prioritetet kyçe të reformave, mbetet pika e rëndësishme e referencës për fillimin e hapjeve të negociatave. Prandaj, unë dua të inkurajoj politikanët në Shqipëri, që të vazhdojnë të punojnë së bashku dhe të gjejnë konsensus për reformat që kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit në BE. Ky është çelësi për përparimin e mëtejshëm dhe në fund të fundit mënyra më e mirë për të hapur negociatat e anëtarësimit.

Në analizën tuaj, si ka ecur Shqipëria ndaj këtyre prioriteteve?

Unë mendoj se Shqipëria ka bërë progres të mirë në pesë prioritetet kyçe. Megjithatë, ka ende punë për të bërë sidomos kur flasim për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto çështje, së bashku, me mirëfunksionimin e gjyqësorit, do të jenë të një rëndësie të madhe, kur vjen puna për të vlerësuar përgatitjet për fillimin e negociatave. Shqipëria duhet të jetë gati për të treguar se zbatimi i reformave dhe masave konkrete në gjyqësi, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë sjellë rezultate. Është premtimi që politikanët shqiptarë kanë bërë ndaj BE-së, por edhe ndaj qytetarëve të saj.

Shqipëria po bën përpjekje për të marrë që në dhjetor, miratimin e vendeve anëtare për hapjen zyrtare të negociatave. Si e shihni votën e tyre?

Realisht, unë mendoj se ka ende punë për të bërë para datës për hapjen e negociatave. Në të njëjtën kohë, unë shpresoj se Shqipëria do të jetë e suksesshme në plotësimin në të ardhmen e afërt. Tani me statusin e vendit kandidat dhe me rekomandimin e Komisionit do të jetë e rëndësishme që Këshilli Europian të konfirmojë gatishmërinë për të hapur negociatat. Në këtë drejtim është më mirë që të jeni të përgatitur plotësisht dhe për të menaxhuar pritjet.

Mendoni se tensionet e fundit, Shqipëri-Greqi do të ndikojnë dhe në vendimet e shteteve pjesë të BE-së, të 27 votave që duhen?

Unë shpresoj që Këshilli do të marrë vendimin në bazë të progresit të Shqipërisë të bërë deri më tani. Çështjet bilaterale, si me Greqinë, nuk duhet të shkelin progresin e bërë në procesin e reformave të lidhura me integrimin në BE. Unë mendoj se do të ishte e padrejtë për vendin. Unë gjithashtu vlerësoj hapjen e qeverisë shqiptare për t’u marrë me këto çështje të ndjeshme dhe shpresoj që si Shqipëria dhe Greqia të tregojnë vullnetin e mirë dhe frymën Europiane në mënyrë që të dalin me një zgjidhje. Unë do ta përsëris atë që kam thënë në shumë raste, çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë procesin e Integrimit Europian.

Brukseli i ka bërë apel Tiranës zyrtare se, “Vettingu” hap negociatat për anëtarësim, por që Partia Demokratike e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka pezulluar ligjin më themelor të reformës në drejtësi. A mund të ndikojë ky vendim i gjykatës, a rrezikojmë prej tij? A veproi drejtë PD-ja me dërgimin në Kushtetuese?

Unë jam ende i bindur se reforma e drejtësisë është një nga reformat kryesore të ndërmarra nga Shqipëria deri më tani. Është shumë e rëndësishme që të zbatohet kjo reformë, duke përfshirë vetingun, në mënyrë që të kemi një sistem të drejtësisë funksionale, atë që shqiptarët meritojnë. Duke thënë se duhet të respektohen të drejtat e opozitës për të kundërshtuar pjesë të reformës në Gjykatën Kushtetuese, si dhe vendimin e gjykatës. Unë jam i bindur se ne të gjithë kemi të njëjtin qëllim, për të bërë reformën sa më mirë të jetë e mundur.

Në Shqipëri është krijuar ideja se reforma në drejtësi dhe hapja e negociatave janë të lidhura me arrestimin e zyrtarëve të lartë për korrupsion. A është ky kushti kryesor?

Siç e përmenda, Shqipëria duhet të bëjë progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe në fushën e sundimit të ligjit.

Opozita prej disa muajsh ka ngritur problemin e kultivimit të drogës në vend. Sipas përfaqësuesve të opozitës Brukseli po hesht për çështjen e drogës. Cili është qëndrimi i Brukselit për këtë çështje?

Jemi njohur për një kohë të gjatë se kultivimi i marihuanës dhe trafiku i drogës është një problem në Shqipëri. Prandaj, ne e vlerësojmë veprime konkrete të policisë në luftën kundër këtij fenomeni. Ne, gjithashtu, jemi të mirëpritur për një bashkëpunim të mirë dhe efektiv me vendet e tjera. Unë nuk mendoj se ne jemi të heshtur. Ajo është përmendur në shumë raste dhe shumë politikanë, përfshirë mua, kemi reaguar ndaj këtij problemi. Kjo është një çështje e rëndësishme dhe unë shpresoj se Shqipëria do të vazhdojë në përpjekjet e saj për të luftuar kundër tij.

Gjithmonë keni shprehur shqetësim për mungesën e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Cili është këndvështrimi juaj për këtë situatë, çfarë rezultati prisni dhe si duhet të veprojë politika?

E ndjek procesin e dekriminalizimit shumë ngushtë dhe shpresoj se ajo do të zbatohet me më shumë forcë. Zgjedhjet e ardhshme do të jetë testi i vërtetë për partitë politike për të treguar se ata janë seriozë në lidhje me pastrimin e radhëve të tyre nga njerëzit me të kaluar kriminale. Kjo është pjesë e kulturës politike demokratike dhe unë shpresoj se politikanët shqiptarë do ta nderojnë atë./Koha Jone

Share: