Historiani Kastriot Dervishi nuk rresht se surprizuari opinion publik. Ai ka publikuar në faqen e tij në Facebook një dokument të rrallë dhe mjaft të veçantë ku behet fjalë për “kartën e anëtarësisë” të Nexhmije Hoxhës në Partinë Fashiste të Shqipërisë.
Këtë anëtarësim, bashkëshortja e Enver Hoxhës e ka bërë në moshë të re pasi në dokument ajo mban mbiemrin e vajzërisë, Xhunglini.
“Meqë tani jemi në prag të 29 nëntorit “të lavdishëm”, për të gjithë antifashistët e vërtetë apo falsë, po postoj për njohje e ndërgjegjësim dokumentin e regjistrimit në Partinë Fashiste të zonjushës Nexhmije Xhuglinit. Ky dokument është i datës 10.11.1941. Dokumentin e kam publikuar në librin tim “Historia e lëvizjes komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së”. Dokumenti në fjalë si dhe disa të tjera rreth saj, ruheshin nga Enver Hoxha” – shkruan historiani Kastriot Dervishi.