Gjykata e Lartë në Britani ka vendosur t’ia delegojë Parlamentit të drejtën për të vendosur përmes votimit nëse Mbretëria e Bashkuar mund të fillojë procesin e largimit nga Bashkimi Evropian.
Kjo do të thotë se qeveria nuk mund të hapë vetë Nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, për nisjen e bisedimeve formale me BE-në.
Kryeministrja britanike, Theresa May, ka këmbëngulur se referendumi i 23 qershorit për dalje nga BE-ja dhe fuqia e qeverisë nënkuptojnë se nuk ka nevojë për votën e Parlamentit.
Qeveria pritet të apelojë vendimin e Gjykatës.