Nga Gavrosh Levonja
Intervistës së kryeministrit, Rama në një stacion televiziv grek nxituan t’I bëjnë jehonë analistë e të tjerë, duke e paraqitur si “shfaqje krenarie, dinjiteti, guximi…”, se “Rama i talli dhe I përqeshi grekët…” se “mori fund koha kur grekët komandonin fijet e politikës në Tiranë…”
Vlerësimet në fjalë i përgjigjen plotësisht realitetit përsa kohë intervistën e Ramës apo dhe deklarime të tij poshtë e lart në audienca të ndryshme trajtohen në aspektin e spektaklit, fushë në të cilën kryeministri artist i Shqipërisë, mund të thuhet se është i paarritshëm.
Personalisht nuk do t’i kisha kursyer vlerësime si ato më sipër nëse kryeministri shqiptar do të shtronte problemin e Camërisë dhe të drejtat e pakontestueshme të popullsisë came, në radhë të parë kthimin e pronave të grabitura nga shteti grek, në aktivitete zyrtare dypalëshe si dhe në forume ndërkombëtare.
Vec kësaj do të kisha dëshirë që kryeministri Rama dhe ekipi i tij marrëdhëniet me Greqinë t’i kushtëzonin me cështjen came, gjë që është mëse normale për deri sa pala greke nuk e ka për gjë të ndërmarrë sanksione të njëanshme sa herë ngre probleme lidhur me të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri si dhe kur kërkon varreza për ushtarët grekë që kanë humbur jetën në luftën italo-greke.
Do ta konsideroja Ramën si një lider dinjitoz nëse do të ishte në gjendje t’i jepte fund nëpërkëmbjes së shtetasve të tij nga autoritetet greke në pikat kufitare duke mos i lejuar të hyjnë në Greqi duke u grisur e zhgarravitur pasaportat që në fund të fundit është dhe injorim i vetë shtetit shqiptar.
Deklaratat nëpër intervista apo në ceremoni të ndryshme janë vetëm sa për “të larë gojën”, zakonisht përdoren për efekte elektorale ose për të fituar kredite tek faktori ndërkombëtar, në kohën që postimet në rrjetet sociale janë vetëm një lloj zhurme për të ndezur ndonjë zinxhir debatesh e diskutuimesh. Madje, nuk mungojnë rastet kur kanë efekte negative pasi përdoren nga qarqe të ndryshme për të justifikuar ndonjë qëndrim në dëm të Shqipërisë.
Edhe përmendja e Kosovës dhe Trepcës në Beograd ishte vetëm për të bërë show. Përmendja e Kosovës në takimin e Beogradit nga ana e Ramës u bë për t’u treguar shqiptarëve, në radhë të parë atyre në Kosovë se ai, pavarësisht normalizimit e forcimit të lidhjeve me Serbinë, nuk harron “të mbrojë” Kosovën.
Por përmendja e Kosovës, në të njejtën kohë ishte dhe një shërbim për zotin Vucic, të cilit i u dha rasti të sigurojë qytetarët e tij se për Kosovën “nuk lëshon pe” në asnjë situatë, edhe pse mund të puthet e përqafohet me kryeministrin e Shqipërisë. Vetëm kaq; pas kësaj as edhe një fjalë e vetme e as ndonjë akt që të vlerësohet si kontribut në ndihmë të cështjes së Kosovës qoftë dhe duke avantazhuar pozitën e Kosovës në dialogun me Beogradin.
I vetmi produkt që prodhoi përmendja e Kosovës në takimin me Vucic ishte debati disajavor në mediumet shqiptare në Kosovë, Shqipëri e gjetkë, duke nxitur nëntema të tjera diskutimi si ato që kanë të bëjnë me kombësinë kosovare, se ka apo nuk ka Kosova tashmë shtet i pavarur, nevojë për ndihmën e Tiranës në zgjidhjen e problemeve të saj me të tjerët, se a i ka kjo e fundit kapacitetet për të luajtur rolin e patriarkut për gjithë shqiptarët në rajon etj.
Gjithë kjo më sjell ndërmend zhurmën që E. Hoxha bënte me fjalime në kongrese e pleniume duke përmendur Kosovën apo duke bërë të njejtën gjë, me shkrime në “Zërin e Popullit” (kjo, pas vitit 1981, se deri athere konflikti me jugosllavët ishte vetëm për probleme ideologjike), nuk e ngriti asnjëherë problemin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi në asnjë forum ndërkombëtar si p. sh. në OKB. Dhe dihet, shqiptarët në Jugosllavi nuk fituan asgjë nga nacional-komunizmi deklamativ i Enverit
Sot, problemi ështrë se gjithë aktiviteti i Edi Ramës, në cdo fushë, anon më shumë nga spektakli. Kjo konstatohet si në politikë, ashtu dhe në ekonomi që janë terreni kryesor i aktivitetit të një kryeqeveritari. Të paktën deri më sot nuk është bërë publike ekzistenca e ndonjë plani ose doktrine “Rama” për Kosovën, e aq më pak për shqiptarët në shtete të tjera fqinje. Edhe sumit-i i diasporës, në mungesë të një projekti mbarëshqiptar, mund të thuhet se përbën një farë paradoksi, duke pasur parasysh se diaspora përbëhet nga shqiptarë të të gjitha trevave. Konkretisht, për Camërinë ishte përmendja nga ana e zotit Hahn se ekziston një problem cam për Greqinë, të cilit i duhet dhënë zgjidhje, që politika shqiptare, në radhë të parë Rama, të shkundej. Por ama gjithcka e kufizuar vetëm në deklarata, pa ndonjë plan të caktuar, të paktën edhe nëpërmjet ndonjë oferte për qeverinë greke për ta futur në axhendën e aktivitetit dypalësh, për t’i a lënë më pas stafetën organizmave ndërkombëtare.