Projekti i Edi Ramës për të nisur importin e plehrave nga jashtë ka pësuar një goditje të rëndë pas takimit të Ilir Metës me përfaqësues të aleancës kundër plehrave. Burime të sigurta nga LSI-a i kanë pohuar Lapsi.al se kjo parti nuk e kalon projektin e Ramës i cili nxiti një mëri të madhe popullore dhe mobilizoi kundër tij artistë, të rinj, student dhe gazetarë.
Pohimin e zyrtarit të lartë të LSI-së e konfirmoi edhe një burim i dytë brenda takimit të kreut të Kuvendit me shoqërinë civile sipas këtij burimi Meta tha se: “Pa një konsensus me shoqërinë civile dhe opinionin publik, ai nuk do të votonte “Pro”, ligjit të plehrave për një herë të dytë”.
Pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë edhe opinionisti Artur Zheji, i pranishëm në takim i cili tha: “E vetmja mënyrë për të qenë në Konsensus me Shoqërinë Civile, si edhe po dëshironi të na thoni ju zoti Meta, është të votoni “Kundër!” këtij Ligji të Plehrave!”. Pas këtij takimi komenti i Zhejit në faqen e tij 360gradë ishte: “Në përfundim të këtij takimi, dukshëm Meta, u dakordësua me këtë logjikë, të përfaqësuesve të shumtë që morën pjesë në takimin në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë”.
Pra nga më shumë se një burim po vërtetohet fakti se Meta po e lë në baltë Ramën lidhur me plehrat që ai i mbrojti me aq pathos dhe për të cilat organizoi takime propagandistike të njëpasnjëshme.
Kjo lëvizje e fortë e kreut të LSI-së, e cila vjen në prag të zgjedhjeve përpos se një manovër elektorale e LSI-së, përpos një afrimi të saj me shoqërinë civile, përpos një vëmendje ndaj një pjesë të madhe të opinionistëve të shtypit që Rama i quan kazan mediatik por që me sa duket Meta ka vendosur tua vërë veshin ka edhe një kuptim të madh politik.
Duke qenë se më parë edhe Partia e Idrizit i ka pohuar aleancës kundër importit të plehrave se nuk do ta votojë ligjin e kthyer, ajo e lë Ramën fillikat përballë 1 milionë shpullave që ai i tradhtoi në premtimin që u bëri.
Tani Edi Rama me patericat Shalsi, Bare dhe Balla mbetet i vetmi aleat me plehrat në Shqipëri. (Lapsi.al)