Home KRYESORE Qeveri teknike? Rama: Pa sens! Meta: Duhet marrë në konsideratë!

Qeveri teknike? Rama: Pa sens! Meta: Duhet marrë në konsideratë!

Dy aleatët e shumicës parlamentare që qeverisë vendin, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta kanë shpërehur qëndrime të ndryshme këtë të mërkurë lidhur me një kërkesë të vazhdueshme të opozitës dhe kreut të PD-së Lulzim Basha. Bëhet fjalë për krijimin e një qeverie teknike që do të çonte vendin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Dihet që standardet e këtyre zgjedhjeve janë një kusht i rëndësishëm i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave. I pyetur për këtë çështje kryeministri Rama thotë se një qeveri e tillë është pa sens.

“Kjo është një pyetje që e ka përgjigjen brenda, besoj, pasi Shqipëria, sot qeveriset  nga një shumicë, e cila ka një mandat për të bërë reforma dhe për të realizuar një proces që ne e gjetëm të bllokuar dhe të pashpresë, procesin e integrimit europian. Kemi marrë rekomandimin pozitiv, duke bërë faktikisht të mundur, realizimin e njërit prej zotimeve më ambicioze të vitit 2013. Si mundet që një proces i tillë dhe një mandat i tillë të vihet në diskutim për arsye të axhendës politike, apo të strategjisë dhe taktikes së opozitës! Më duket pa sens” – tha Rama i pyetur nga gazetarët në daljen që bëri në krah të ambasadores Vlahutin pas dorëzimit të Raportit të Progresit.

Por ndryshe e sheh këtë çështje Ilir Meta. Kreu i LSI-së dhe i Kuvendit thotë se duhen parë me kujdes kërkesat e opozitës.

“Besoj se çdo kërkesë e drejtë, e mundshme, e arsyeshme dhe e realizueshme nga ana e opozitës, që ndihmon transparencën dhe integritetin e reformës zgjedhore dhe procesit zgjedhor duhet marrë në konsideratë dhe duhet bërë çdo përpjekje për ta realizuar atë. Lidhur me standardet e reformës zgjedhore, ne kemi kërkuar edhe asistencën e OSBE/ODIHR-it, që është mjaft e gatshme për të kontribuar në këtë drejtim. Natyrisht që është tepër e rëndësishme që ne të përmirësojmë më tej kulturën tonë demokratike dhe të punojmë të gjithë për një klimë sa më të shëndetshme para-elektorale dhe zgjedhore. Ashtu siç është e rëndësishme edhe për të rritur më tej kredibilitetin e zbatimit të reformës në drejtësi një angazhim i plotë i të gjithë forcave politike për të respektuar legjislacionin për dekriminalizimin” – u shpreh Meta.

Edhe pak kohë më parë kreu i LSI-së u shpreh në favor të krijimit të një qeverie teknike, por më pas nëe prapaskenë u luajtën të tjera lojëra dhe ai u tërhoq.  /lapsi.al/

Share: