Home KRYESORE Rama nën hyqmin e vëllait Erdogan? (zbulohet dokumenti)

Rama nën hyqmin e vëllait Erdogan? (zbulohet dokumenti)

Qeveria nis zbatimin e udhërit për heqjen e simboleve turke nga shkollat “Gylen”

Më 13 maj 2015, nga sheshi i Namazgjasë ku ndodhjej për fillimin e punimeve të xhamisë së re të kryeqytetit presidenti turk Erdogan ka lëshuar alarmin: nxirrni jashtë Shqipërisë Lëvizjen Gylen, të cilën Erdogan e sheh tani edhe si organizatore të grushtit të dështuar të shtetit të 15 korrikut 2016.

Në maj të vitit të kaluar Gylen akuzohej se kishte ngritur një strukturë paralele. Këto akuza nuk ngjitën në komunitetin ndëkrombëtar, sikundër dyshime ka edhe se grushti i shtetit ka qenë vetëm një sajesë e presidentit autokrat të Turqisë.

I vetmi që reagoi ndaj kërkesës së Erdogan të bërë në Tiranë ishte deputeti Ben Blushi. Një ditë më vonë ai i kërkoi parlamentit që të mos e linte në heshtje kërkesën:

“M’u duk dje sikur në këmbim të kësaj dhurate (finacimit të xhamisë) presidenti turk kërkoi një shkëmbim. Dhurata nuk shkëmbehet. Ai kërkoi mbylljen e një organizate, sipas tij terroriste, që vepron në Turqi, vepron edhe në Shqipëri. Ne e dimë për kë flet. Unë nuk kam parë organizatë terroriste në botë që nuk vret. Në Shqipëri nuk kemi parë vrasje nga një organizatë që presidenti turk e quan terroriste. Na kërkon ta zhdukim për interesat e tij. Kjo është arsyeja për të folur në këtë parlament dhe prandaj po flas, na vë në pozitë të vështirë dhe për mua të papranueshme, të një vasaliteti. Këtë nuk mund ta pranoj. Jam i bindur se këtu shumica, burra e gra në këtë parlament, nuk mund ta pranojnë. Shqipëria njeh dhe ka detyrimin të njohë organizata terroriste vetëm atë listë organizatash të shpallura nga OKB. Asnjë president, kryeministër, kushdoqftë ai që përcakton listën e terroristëve turq apo shqiptarë në vendin tonë, kjo nuk është e pranueshme, prandaj duhet ta refuzojmë”.

Për interesat e tij apo jo, Erdogan nuk e ka lënë vetëm tek deklaratat luftën kundër Gylen në Shqipëri.

Lapsi.al disponon një kërkesë të ambasadës turke drejtuar Ministrisë së Jashtme për të hequr simbolet dhe flamurin turk nga të gjitha institucionet arsimore jopublike në Shqipëri. Shkresa i është kaluar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe ajo ua ka shpërndarë në formë urdhëri të gjitha insitucioneve jopublike në Shqipëri.

Në shkresën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Plarent Ndreca, thuhet:

“Në ministrinë e arsimit dhe Sportit është paraqitur shkresa me nr 11395 prot.ddatë 29.09.2016 e Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me kërkesën e ambasadës turke në Tirën për të ndaluar përdorimin e mërtimeve “turke” dhe simboleve Kombëtare të Republikës së Turqisë, përfshirë flamurin turk, në godinat e institucioneve arsimore jopublike.

Bazuar në nenin 34 të ligjit 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, institucionet e arsimit të lartë kanë emrin zyrtar dhe stemën, të cilat përcaktohen në vendimin e hapjes së institucionit.

Për sa më sipër kërkojmë respektimin e dispozitës së  mësipërme lgijore, për përdorimin e mërtimeve zyrtarë të stemës, që u janë miratuar në aktin e ahpjes së institucionit”.  (shih më poshtë shkresën e siguruar nga Lapsi.al)

“Perandoria” Gylen në Shqipëri përfshin disa kolegje dhe universitete. Ajo që bie në sy në shkresën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është fakti sesi ajo ua kërkon shkollave jopublike të arsimit të lartë zbatimin e ligjit të arsimit të lartë në Shqipëri bazuar në kërkesën e një ambasade të huaj. Në vend që t’u kërkojë thjesht që të mbajnë vetëm simbolet që kanë të përcaktuara në ligj, u shkruan se është e detyruar ta bëjë këtë sepse e ka kërkuar “ambasada turke”, duke treguar kështu atë lloj vasaliteti për të cilin Blushi u binte këmbanave të alarmit në parlament kur Erdogani kërkoi luftë ndaj investimeve të Gylen në Shqipëri, të cilat, në kohën kur kanën nisur, kanë patur edhe bekimin e Erdogan dhe të ambasadës turke.

Mjaft institucione arsimore jopublike në Shqipëri mbajnë flamuj e simbole të vendeve të ndryshme, përfshirë flamurin grek, atë të Bashkimit Europian apo të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por kërkesa e ambasadës turke duket se ka për qëllim që shkollat e Gylen në Shqipëri të mos identifikohen si përfaqësuese të Turqisë.

Lapsi.al do të sjellë pas pak edhe një shkresë tjetër që ambasada turke i ka dërguar Ministrisë së Brendshme, me anë të së cilës e vë në dijeni për disa përfaqësues të lëvizjes Gylen nëpër institucionet shqiptare. /Lapsi.al

Share: