Home KRYESORE Rama nuk do të marrë pjesë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Rama nuk do të marrë pjesë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Kryeministri Rama nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga Presidenti Nishani më 11 Nëntor për të diskutuar për situatën e krijuar nga kanabisi.

Burime zytare pranë Kryeministrit, konfirmuan për Televizionin Klan se në të njëjtën datë, kreu i qeverisë do të jetë në New Jork, ku do të hapë një ekspozitë personale me pikturat e tij, në galerinë “Mariana Goodman”, siç është njoftuar prej javësh në faqen zytare të galerisë njujorkeze.

Pasi Presidenti lajmëroi thirrjen e kësaj mbledhjeje, përmes një statusi në Facebook, Kryeministri shprehu habinë mbi nevojën e mbledhjes së këtij Këshilli, ndërsa ironizoi duke publikuar dhe letrën e Komisionerit Europian për Punët e Brendshme, Avramopulos që vlerësonte përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër kultivimit të kanabisit.

Nëse do të jetë i pranishëm në mbledhjen e thirrur nga Presidenti, nuk ka vendosur as Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili, sipas kreut të shtetit do të jetë një nga personat që duhet të flasë për situatën.

Pjesëmarrjen e ka konfirmuar Kryeparlamentari Meta, siç pohoi për Televizionin Klan, Zyra e tij e Shtypit. Ndërsa nuk ka ende konfirmim nga ministrat, që janë pjesë e këtij Këshilli, si ai Jashtëm, i Drejtësisë, Financave, Transporteve.

Axhenda e takimit të Këshillit të Sigurisë Kombetarë, sipas një shkrese të Presidentit, të siguruar nga Televizioni Klan, parashikon raportimin e Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorit të Përgjithshëm./Tv Klan

Share: