Home KRYESORE SHBA, thirrje për rinumërim të votave!

SHBA, thirrje për rinumërim të votave!

Thirrjet e mbështetësve të zonjës Hillary Clinton për një rinumërim të votave në tre shtete kryesore janë shtuar këtë javë, pas njoftimeve se ajo ka fituar mbi 2 milion vota popullore më shumë se sa rivali Donald Trump, si edhe pas raportimeve për parregullsi zgjedhore në disa qarqe.

Javën e kaluar, kreu i fushatës Clinton, John Podesta, bisedoi me disa avokatë të çështjeve zgjedhore dhe ekspertë kompjuterësh, të cilët i bënë thirrje të kërkojë rinumërimin e votave në shtetet Uiskonsin, Pensilvani dhe Miçigan, sepse sipas tyre, disa makina elektronike votimi mund të jenë manipuluar nga hakerat, siç thuhet në një njoftim të revistës “New York”.

Disa studiues thonë se mbështetja për Clinton ra shtatë përqind në qarqet që përdornin makina elektronike të votimit, në krahasim me ato qarqe ku u përdorën skanera optikë apo votimi me letër.

Edhe pse studiuesit nuk kanë dhënë asnjë provë manipulimi, ata e bënë thirrjen për rinumërimin bazuar në diferencën e vogël të fitoreve të zotit Trump në këto shtete – më pak se dy për qind në të tre shtetet.

A ka patur ndërhyrje të huaj?

Sikur Clinton të kishte fituar në këto tre shtete, ajo do të kishte marrë 274 vota elektorale, pra pak më shumë sesa 270 votat e nevojshme për të marrë presidencën.’

Në një postim në Medium.com, një prej studiuesve, profesori i shkencave kompjuterike J. Alex Halderman i Universitetit të Miçiganit, shkruante se është e mundur që një qeveri e huaj të ketë manipuluar makinat e votimit. Ai bëri thirrje që të analizohen pajisjet e votimit në të tre shtetet për të parë nëse ka shenja të ndonjë sulmi kibernetik.

Në disa shtete vazhdon numërimi

Ndërsa vazhdon numërimi i votave në disa shtete, deri të mërkurën avantazhi i Clinton ishte 2 milionë e 17,563 vota, një shifër që mund të rritet, ngaqë jo të gjitha votat janë numëruar në shtetet që ajo fitoi, sidomos në Kaliforni, shteti më i madh në brigjet amerikane të Paqësorit.

Por sado e madhe që të jetë shifra e votave popullore që ka fituar Clinton, kjo nuk e ndryshon rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit.

Clinton bëhet kështu kandidatja e 6-të presidenciale në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe e dyta në 16 vitet e fundit, që fiton votën popullore, por humbet zgjedhjet, për shkak të sistemit të Kolegjit Elektoral, që sipas Kushtetutës amerikane, përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale.

Kandidati fitues duhet të ketë siguruar 270 prej 538 votave elektorale. Kur të ketë përfunduar numërimi i të gjitha votave Donald Trump mendohet se do të ketë 306 vota elektorale dhe Hillary Clinton 232./dita.al

Share: